ISIS po i do shqiptarët

0

URAN KRASNIQI

Javën që lamë pas dy pjestarë shqiptarë të “Shtetit Islamik” i njohur si ISIS kërcënuan shqiptarët. Në storien e lansuar u përmend edhe qasja e ish-liderit të Shqipërisë gjatë shekullit të kaluar, Enver Hoxha, por edhe sipas tyre, përçmimi aktual që u bëhet myslimanëve.

Në fakt, premisat ku është i konstruktuar kërcënimi janë të paqëndrueshme, meqë Hoxha ka qenë një diktator komunist, veprimet e të cilit nuk e kanë pasur tumirjen e të gjithë shqiptarëve si dhe qasja e tij në raport me religjionet ka qenë e njëjtë me të gjithë dhe jo vetëm ndaj Islamit. Kurse sot liritë e feve në shtetet ku qeverisin shqiptarët janë të papenguara dhe nuk ka diskriminime bazuar në përkatësitë konfesionale.

Por argumentet e prezantuara të ISIS-it në fakt janë vetëm paralajmërim për konflikt, ngase arsyet për konfrontim janë shumë thellë si në kuptim të historisë e po ashtu edhe në kontekst të dallimeve botëkuptimore. Fillimisht kërcënimet e tilla janë brenda kontekstit të një armiqësie mbi 2500 vite konflikt, mes Lindjes dhe Perëndimit, e pastaj edhe tendencave të lëvizjeve moderne xhihadiste dhe islamike, ku bën pjesë edhe ISIS. Siç dihet një nga gjërat që këto lëvizje nuk e durojnë është kombi. Për eksponentin më të fuqishëm të këtij mosdurimi, Said Kutb, autorin e veprës “Moment historik”, armiku i vërtetë i botës islame nuk është Evropa, aq më pak feja e krishterë, por shteti nacionalist, të cilin Perëndimi e ka krijuar dhe e ka eksportuar në Lindje. Sipas tij, detyra e brezit të ri Kura’nor, do të ishte që të shpallte natyrën hyjnore vetëm të Zotit dhe të merrte pushtetin nga duart e uzurpatorëve humanë dhe t’ia rikthente Zotit, si dhe të shpallte supremacinë e ligjit hyjnor dhe anulimin e të gjitha ligjeve njerëzore. “Distanca mes ringjalljes së Islamit dhe udhëheqjes botërore mund të jetë shumë e madhe dhe mund të ketë vështirësi shumë të mëdha rrugës, por duhet të ndërmerret hapi i parë për rigjallërimin e Islamit”, thoshte ai.

Kërcënimet e ISIS-për shqiptarët nuk janë ekskluzive vetëm për ta, por shqiptarët janë prioritet në planin e tyre. Pra kihet të bëhet me strategji të ISIS-it në llogari të hesapeve të tyre. Thjesht ISIS po i do shqiptarët më shumë se sa disa të tjerë. Po i do fillimisht për t’i vrarë ata që kanë tjetër mendim për jetën e botën nga ISIS, normal. Po i do për t’i masakruar ata që në tabelën e identitetit në vend të parë e kanë shqiptarin dhe tek në pozita të tjera fenë islame. Po i do pastaj në anën e vet shqiptarët myslimanë që fenë e kuptojnë para kombit për të vrarë e për t’u vrarë për ISIS-in. Pra ISIS po i do shqiptarët për shtrirjen e Shtetit të myslimanëve në tërë globin. Një glob ku nuk ka kombe dhe as shqiptarë. Ku ka, sipas ISIS-it, vetëm myslimanë që thonë Allah. S’ka se si të mos kujtohet ish-presidenti i Bosnë dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviçm, që thoshte: “shekuj të tërë në gjumë nuk mund të arsyetohen me vepra terrori”.

Në të vërtetë, gjykuar nga brenda logjikës së ISIS-it, kjo organizatë nuk ka menduar keq për vete në rastin e shqiptarëve. Të pasurit mysliman me shumicë në mesin e kombit shqiptar nënkupton që bëhet fjalë për njerëz që më lehtë mund të ndajnë pikëpamje të përbashkëta me ISIS-in. Pra në krahasim me një serb a një kroat, që janë ortodoks, përkatësisht katolik, një mysliman shqiptar më lehtë e lëshon mjekrrën, e veshë uniformën e ISIS-it dhe e rrëmben kallashnikovin. Që të vrasë pastaj fëmijë, të cilët janë të privuar edhe nga faktori moshë për të ditur se kush e si ka mundur që ta krijojë këtë botë si dhe të mund të mendojë për mënyrat dhe format e qeverisjeve në botë. Ideja e ISIS-it është aksesi në një vend me shumicë myslimane, që më pas bashkë me ta, t’u qaset edhe vendeve me besime tjera. Deri në ngritjen e flamurit të zi kudo mbi tokë.

Në fakt aktualisht shqiptarët, pavarësisht kërcënimeve deklarative, nuk janë të kërcënuar praktikisht nga një sulm i jashtëm dhe një pushtim klasik prej ISIS-it. Shqipëria është anëtare e NATO-s, forcat e kësaj trupe janë prezente edhe në Kosovë, por edhe kjo organizatë është akoma në orët e përpjekjes për shtrirje në zonat ku ka buruar. Por në të ardhmen, varësisht edhe zhvillimeve në botën arabe, Shqipëria dhe Kosova mbesin cak i i synuar dhe me përparësi nga vendet e tjera për ISIS-in. Tash për tash shqetësuese është se ISIS në një mënyrë është brenda shqiptarëve. Shërbimet sekrete dashakeqëse, organizatat e dyshimta, arsimi i dobët bashkë me varfërinë, bënë që persona të caktuar të përqafojnë edhe rryma fetare brenda Islamit me opsione ekstreme për zgjidhje të problemeve, siç është ky se si Islami dhe myslimanët duhet të sundojnë botën. Shumë shqiptarë kanë shkuar në luftë në Irak e Siri dhe janë vrarë atje. Ka të tjerë që nuk kanë shkuar por që edhe ndajnë bindjet e njëjta me ta.

Shqiptarët evitimin e rrezikut të brendshëm nga ISIS duhet ta bëjnë përmes një qasje, ku angazhimi për mposhtjen e teorisë së kësaj organizate që e përfaqëson dikush nga ta është i shumëfishtë. Këtu hyjnë familja, shkolla, xhamia, shërbimi sekret, policia, gjykata. Të gjithë duke e luajtur rolin e tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here