ISIS ka ekzekutuar 300 pengje të komunitetit Jazidi

0

Disa qindra pengje të komunitetit të krishterë Jazidi janë ekzekutuar në Irak nga militantë të Shtetit Islamik, në perëndim të Mosulit. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë irakianë, por edhe përfaqësues të komunitetit në fjalë.

Një deklaratë e lëshuar nga Partia për Progresin e Jazidëve bën të ditur se 300 pengje ishin ekzekutuar të premten në qarkun Tal Afar, pranë qytetit të Mosulit.

Zëvendëspresidenti irakian, Osama al-Nuxhaifi e përshkroi këtë ngjarje si “të tmerrshme dhe barbare”. Mijëra anëtarë të grupit të minoritetit fetar janë marrë peng që prej fundvitit të kaluar.

Ende nuk është bërë e qartë se si janë ekzekutuar ata, apo përse ka ndodhur tani kjo vendimmarrje nga ana e ekstremistëve të IS, por mësohet se shumica e tyre ishin marrë peng në Mosul, një prej bastioneve më të forta të IS gjatë muajve të kaluar.

Jazidët, feja e të cilëve përfshin edhe elemente të disa konfesioneve tjera, konsiderohen si të pafe nga Shteti Islamik. Mijëra të tjerë janë larguar për në rajonet e kontrolluara prej kurdëve, në veri të Irakut, pasi IS pushtoi qarkun e Sinxharit, pranë provincës së Ninev, të populluar kryesisht nga komuniteti Jazidi.

Qindra meshkuj u vranë, ndërsa shumë gra janë mbajtur peng dhe shfrytëzohen si skllave seksi, transmeton Top Channel.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here