Ish-ushtari i UÇK-së nga Malisheva: “Kjo ishte lufta në Bllacë”

0

Ish-ushtari i UÇK-së nga Malisheva, Muharrem Mazreku, ka qenë një nga ata që kanë marrë pjesë në luftimet me Ushtrinë jugosllave në Bllacë të Suharekës në vitin 1998. Ai ka shkruar për ballafaqimet e UÇK-së me forcat serbe, për guximin e ushtarëve të UÇK-së, për tankset e shkatërruara, por edhe për vendimin e tërheqjes nga pika e Bllacës, meqë siç ka thënë, pas thyerjes së frontit në Llapushnik serbët në një mënyrë ishin pas shpinës.

Ky është artikulli i plotë i Mazrekut:

 

“OFENZIVA E PARË ( 25, 26, 27 e 28 KORRIK 1998 )

UÇK-ja gjithnjë po forcohej gjithandej Kosovës, sikur po binte nga toka, përhapej si një fantazmë, duke u zgjeruar ne aspektin horizontal, pothuajse në tërë vendin si në: Dukagjin, Drenicë, Llapushë, Malet e Berishës, Carralevës, në anë të Vrrinit, Jezercit, Nerodimes, Karadakut, Llap-Gollak e Shalë të Bajgorës. Serbia me shqetsim i shihte këto zhvillime, se një ditë ajo do të hynte edhe në Prishtinë, sepse forcat tona ishin të pranishme deri tek Bardhi i Madh (afër kryeqendrës sonë pak km). Krimineli Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij të zhytur në krimet e Bosnjës, Kroacisë, tani po përgatiteshin që mllefin e brutalitetin ta shfrynin mbi popullin e Kosovës. Ultranacionalisti Sheshel kohe me pare deklaronte: “shqiptarët nëse duan liri le të ngritën në kryengritje dhe të fitojnë me luftë shtetin e tyre dhe Pavaresinë”. Ai aludonte se shqiptarët nuk kanë armë dhe nuk kanë me se të luftojnë, ai bazohej në ushtrinë e policinë e tij të armatosur gjerë në dhëmbë, duke i frikësuar shqiptarët. Pasi që shqiptaret tani kishin hyrë në luftë, ai deklaronte “shqiptarët do t’i përzëmë përtej Bjeshkëve të Nemuna’’.

Më 25 korrik 1998 ishte ditë e shtunë në ora gjashtë të mëngjesit, ku forcat e mëdha ushtarake kishin filluar të dislokoheshin rreth e përqark Bllacës aty ku ndodheshin pozicionet tona. Dalëngadalë situata po perkeqesohej me ç`rast po bëhej një rrethim i hekurt, i cili gjithnjë vinte e ngushtohej. Ushtarët tanë ishin alarmuar nga pikat e vëzhgimit ku tani të gjithë ndodheshim nëpër pozicionet dhe detyrat që i kishim të caktuara në raste të atilla. Gatishmëria ishte në shkallën më të lartë që ishte e mundur të bëhej, përcillnim dhe vështronim situatën, që po krijohej duke i paragjykuar planet djallëzore të armikut. Ato që kemi mundur t’i shohim dhe t’i përcjellim kemi arritur t’i numëroje 36 automjete, që erdhën nga Theranda, duke përfshirë këtu tanke, autoblinda, praga, transporterë dhe kamionë, maune me municion. Trupa të shumtë të armatosur me armatim supër të rëndë. Fillimisht këto forca grumbulloheshin në udhëkryqin e Duhlës që na ndante një distancë rreth 7oo m (vija ajrore) ku ne mund t’i vërenim fare mirë. Këto forca që kishin ardhur ndihmoheshin nga bazat anësore si Qafta e Duhlës, baza më e madhe në Kosovë (mendohet se kishte 40-80 tanke me“ kaqusha”dhe 30 avion bombardues e që u perdorën më voëe) dhe baza tjetër tek “Pishat” me forca të mëdha artilerike e tankiste. Duke e vlerësuar një situatë me kaq arsenal komanda jonë kishte alarmuar duke kërkuar përforcime nga të gjitha bazat e tjera të UÇK-së në Malishevë e Llapushë. Tani kishin mbërritur përforcimet e luftëtarëve tanë nga të gjitha pikat tjera. Komandanti i operatives vizitoi të gjithë ushtarët nëpër pozicione dhe me përvojën që kishte nga lufta në Bosnjë na rekomandoi një prognoze e cila tamam doli ashtu siç ishte paraparë. Ai na tha: “mos keni panikë, ne jemi në pozicione armiku i humbe 5 ushtar ne një, pra një me pese, armiku fillimisht granaton, kjo nuk është rrezik, ju hyni në bunkerë dhe në istikamet e thelle 1,5m. Pas granatimit fillon të vijë këmbësoria, e kjo është e rrezikshme, ju mos hapni zjarr deri sa kembsoria të vijë 200 apo 150 metra afër, keni urdhrin të hapni zjarr me të gjitha mjetet, por ne rafale të shkurtera të mos shpenzojmë municionin.Pasi tanket e armikut marrin pozicionet e tyre filloi lufta, filluan të na granatojnë nga disa drejtime sa që nuk e dinim kahjen e gjuajtjeve. Predhat vinin nga Qafa e Duhlës, Kryqi i Duhlës dhe nga ”Pishat”, ku epiqendra e goditjes fillimisht ishte lagjja Bajraktari. Në të vërtetë filloi, një luftë tejet e pabarabartë që ishte më shumë se luftë. Deri më tani ne kishim luftuar me forcat policore, ndërsa tani është hera e parë që po luftonim me një ushtri të rregullt kriminele serbe të komanduar nga gjenerali famëkeq Perishiq. Herë pas here forcat e armikut lëviznin përpara me shpejtësi jo të madhe, duke u afruar gjithnjë më afër nesh. Së pari kanë filluar granatimet me tanke, minahedhës, praga dhe topa të rëndë. Vetëm në ditën e parë 25 korrik 1998 të shtunën, vlerësohet se mbi pozicionet tona kanë hedhur 1700 projektilë (vlerësim i një raporti ushtarak të UÇK-së). Me të filluar lufta predha e parë e tankut e ka goditur katin e dytë të shtëpisë ku ishim, ndonëse ne ishim në katin e parë që kishte muret nga guri, ndërsa kati i dytë nga tullat. Pas shumë orë luftimesh diku pasdite u ndërpre granatimi me armë artilerie dhe minahedhës. Ushtria serbe granatonte me praga të cilat lëviznin, duke marshuar në drejtimin tonë duke siguruar terrenin, ndërkaq trupa të shumtë këmbësorie, vinin prapa dhe anash mjeteve të blinduara. Ky rrethim i hekurt po ngushtohej dhe po bëhej më dramatik. Tanimë këmbësoria sa mundete hapte zjarr mbi pozicionet tona. Trupat serbe kishin uniforma ushtarake të ushtrisë së rregullt serbosllave, por kishte edhe disa formacione qe dukeshin me rroba të zeza dhe qëllonin me armë shurdhuese (pa zë),duke përdorur lloj-lloj armatimi të kalibrave nga më të ndryshmit. Mbi pozicionet tona binin plumbat dhe predhat e armëve të ndryshme, mu sikurse shiu, breshëri apo fara e grurit. Diku rreth orës 15:00 mbi ne ka fluturuar një helikopter ushtarak në një lartësi shumë të madhe, i cili nuk ka sulmuar, por si duket vëzhgonte operacionet ushtarake. Forcat e armikut me t’u afruar në një distancë (supozojmë 200m), komandanti ynë kishte dhënë urdhrin për të hapur zjarr me gjithë arsenalin që kishim. Në atë moment janë dëgjuar krisma e ushtima të një beteje të vërtetë, ku forcat e armikut kanë mbetur të befasuara, kështu po zhvillohej një luftë gati dhëmbë me dhëmbë. Ne ishim në istikame, kanale nëntokësore, nëpër bunkierë të fortifikuar shumë forcë, nëpër bodrume, nëpër shtëpi nëpër oborre, këto oborre secila ishin të rrethuara me mure prej gurit apo blloka betoni kështu, ne mund të manovronim prej njërit oborr në tjetrin. E tëra kjo ka ndodhur në lagjet Bajraktari, Bekteshi dhe Suka. Nga kjo distancë e afërt serbët kanë filluar të na godasin me armë të shurdhëta (pa zë). Çdo minutë situata vështirësohej dhe bëhej jashtëzakonisht e rëndë në situata të atilla jo minutat, por edhe sekondat janë të gjate. Po pritnim që lufta do të bëhej edhe më e ashpër oborri ku qëndronim ne ishte i rrethuar me një mur të lartë mbi 2 m, i cili u rrënua për tokë nga goditjet me praga. Në këto momente kemi përgatitur bombat, granatat e dorës, mendonim t’i hidhnim në ajër trupat e armikut. Shtëpitë digjeshin, shembeshin, sana, kashta, grunajat, digjeshin dhe dita me diell e me vapë, dukej si e errët edhe nga tymi i barotit. Në oborr po shikonim para syve tanë pulat dhe zogjtë e pulave kishin mbetur të ngordhur nga plumbat dhe granatimet. Ajo që neve na shpëtoi nga këtu ishin luftëtarët tanë, të cilët po hidhnin zjarr me armë e rrafale, mitralozë dhe minahedhës të UÇK-së. Disa nga ushtarët tanë, ishin plagosur dhe ishin dërguar në spitalin e Gajrakut, për t’iu dhënë ndihmën e parë. Nga zjarri i mortajave dhe minahedhësve luftetaret tanë kishin arritur ta shkatrronim një tank të armikut aty prenë shitores “Lumi’’,dhe vrasjen apo plagosjen e rëndë të oficerit serb, ka të ngjarë se komandanti që po udhëhqte operacionin serb ishte në këtë tank dhe po kërkonte ndihmë duke bërtitur, i cili kishte hedhur helmetën për toke te gjakosur, të cilën me vone ia kishin marrë ushtarët tanë. Më pas ky tank i shkatërruar u tërhoq nga tanku tjetër. Po të mos kishin qenë minahedhësit, ne ushtarët e kësaj pike do të kishim kaluar shumë keq. Këtu kishim përdorur një taktikë nga minahedhesi “Profi’’ duke manipuluar me aktivizimin e minahedhësve. P.sh: pasi gjuante me minahedhës e ndërronim vendin për të gjuajtur sërish një taktikë e cila lë të kuptohet se prej dy minahedhësve të duken se jane shumë. Me t’u afruar perëndimi i diellit intensiteti i luftimeve po binte dhe kjo për ne ishte dita më e gjatë, më e rënde që kishim përjetuar ndonjëherë.                                                                                                                                       Ishte dita e parë e ofensivës së 25 korrikut 1998 tashmë dielli po perëndonte duke u futur në horizont, muzgu filloi të bjerë, forcat serbe filluan një tërheqje graduale duke u përqendruar në kryqin e Duhlës, në lagjen Rrafshi përreth lagjes Sukaj për të kaluar natën duke i maskuar mjetet e blinduara. Errësira ra në tokë, është një natë me plot rreziqe ku nuk dinim se çka do të sjellë e nesërmja. Gjatë tërë kësaj nate, ne nuk futëm gjumë në sy nga granatimet e herë pas hershme, që vinin nga kryqi, Qafa e Dulës dhe “Pishave’’.   Të nesërmen është 26 korriku 1998 ditë e diel, ku dielli po lindte më vonë, sepse ne ishim zgjuar më herët për të pritur lindjen e tij, sërish një lindje e pazakonshme me përleshje të armatosura. Nuk mund ta kujtoj dhe ta përshkruaj në detaje, por e tëra ishte me luftime kryesisht granatime të fuqishme, por në distancë më të largët. Kjo ditë dallohej nga e djeshmja me një intensitet më të vogël, kishin kuptuar se këtu do të hasnin në një rezistencë me pasoja, andaj nuk donin ta rrezikonin kembësorinë e tyre. Ata dëshironin që pozicionet tona t’i shkallmonin me bombardime të rënda duke vazhduar me ditë të tëra (25, 26, 27, 28 -korrik- 1998).- Më 28 korrik të këtij viti (e martë), jemi tërhequr definitivisht nga pozicionet tona. Kjo tërheqje është bërë me urdhërin e shtabit në Malishevë, informata ka ardhur në radiolidhje. Ne radiolidhje është japur urdhëri që për 15 minuta t’i terhiqeni te gjithe ushtaret pa panikë, në heshtje dhe terhiqeni gjithë armatimin, sepse gjendeni në ,“senduiq’’, për arsye se forcat serba e kanë thyer ,“Pikën e Llapushikut” dhe janë prapa shpines suaj. Në momentin kur jemi tërhequr nuk ka pasur luftime të intensitetit të lartë dhe jemi habitur, por më vonë mësuam se në të njëjtën ditë, kishte pasur luftime në shumë pozicione dhe në “Pikën e Llapushikut”. “Pika e Llapushikut” pas një qëndrese ishte thyer dhe forcat e armikut kishin depërtuar deri në qytezën e vogël, por heroike të Malishevës. Me pushtimin e përkohshëm të Malishevës tanke të tëra kishin hyrë nëpër vreshta duke ardhur në drejtim të “Pikës së Bllacës”. Tani forcat tona kishin ngelur në një “senduiq’’ d.m.th. armiku me forca të mëdha kishte hyrë prapa shpinës sonë. Për këtë arsye qëndrimi ynë i mëtutjeshëm në Bllacë ishte i panevojshëm dhe me të drejtë Shtabi Qendror i UÇK-së në Malishevë kishte urdhëruar tërheqjen tonë, sepse edhe pak ne do të ngelnim në një rrethim të hekurt ku do të bëhej vonë. Por ushtaret e Bllacës që vërtetë përbenin një bërthamë në vete nuk janë tërhequr në asnjë moment deri në kapitullimin e Serbisë”, ka shkruar ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here