Ish punonjësit serbë rikthehen në Doganat e Kosovës në veri

0

Ish punonjës serbë të Doganave të Kosovës që e kishin braktisur punën më 2008 pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot janë rikthyer në vendet e tyre të punës. Këtë rikthim e kanë prezantuar në një konferencë shtypi ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Ian Braathu. Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Lulzim Rafuna ka njoftuar se procesi i rikthimit është bërë në bazë të ligjeve të Kosovës. Ai ka bërë me dije se sot janë nënshkruar 20 kontrata me serbët dhe 4 kontrata tjera priten të nënshkruhen në ditët në vijim, për arsye që 4 ish punonjës mungonin fizikisht sot e të cilët kanë kaluar të gjitha fazat e verifikimeve. Rikthimi i serbëve është bërë pas një dialogu të gjatë në të cilin ka asistuar ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, e cila ka thënë se me pranimin e kërkesave të ish punonjsëve serbë për kthim në vendet e punës Qeveria e Kosovës dëshmoi përkushtimin për politika integruese për komunitetet. Ajo e ka falenderuar Ambasadën Norvegjeze dhe Ambasadorin Ian Braathu për mbështetjen që dhanë në realizimin e projektit për dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve kosovar në veri të vendit, “i cili krijoi një rritje të besimit të ndërsjellë dhe rezultoi në këtë sukses të përbashkët”.
Ambasadori Ian Braathu ka theksuar se ky proces rikthimi i punonjësve të Doganës tregon gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin edhe të serbëve të veriut, dhe është shprehur i lumtur që Ambasada e Norvegjisë i dha mbështetje projektit të dialogut mes institucioneve dhe qytetarëve të pjesës veriore të Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here