Ish polici Dritan Lorenci u vra me armë gjahu, nga një veturë në lëvizje

0

Policia e Lezhës ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e ish-policit Dritan Lorenci.

Ajo thotë se të shtunën rreth orës 20:30 është njoftuar se në afërsi të fshatit Mabë, në rrugën kombëtare Shkodër-Lezhë, është vrarë nga persona ende të paidentifikuar shtetasi Dritan Lorenci, 45 vjeç, banues në ish-SMT Lezhë, ish-punonjës i Policisë Rrugore të këtij qarku.

Ai u qëllua nga një tjetër makinë teksa ishte në timonin e një “Lancia”-je blu me targë AA 479 KJ duke udhëtuar nga Shkodra drejt Lezhës. Mënyra se si është qëlluar, pa qenë e nevojshme të ndalohej automjeti i tij, bën të kuptosh se gjithçka ka qenë e studiuar që më parë.

Fillimisht ngjarja është raportuar nga kalimtare të rastit si aksident rrugor, pasi automjeti ka përfunduar në një parcelë are. Por pasi grupi hetimor shkoi në vendngjarje konfirmoi se bëhej fjalë për vrasje me dashje. Dyshohet se 45-vjeçari është qëlluar me armë gjahu.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si rezultat i përfshirjes së viktimës në ngjarjen e datës 14 tetor 2011 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku pas një konflikti për motive pronësie gjeti vdekjen një shtetas dhe u plagosën pesë të tjerë. Gjithashtu po hetohet dhe në drejtime të tjera.

Për të zbardhur krimin dhe arrestuar përgjegjësit policia ka ngritur disa pika kontrolli si dhe ka shoqëruar 15 persona.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here