Ish-oficeri jugosllav pranon bombardimin e qytetit kroat

0

Në një marrëveshje me prokurorinë në gjyqin e tij, ish-oficeri i Ushtrisë Popullore Jugosllave Milan Pavloviç pranoi bombardimin e qytetit kroat të Sibenikut në vitin 1991 në këmbim të një dënimi me katër vjet e gjysmë burg.

Në një seancë gjyqësore në qarkun në qytetin bregdetar kroat të Splitit të martën ish-ushtari i Ushtrisë Popullore Jugosllave, Milan Pavloviç, pranoi akuzat kundër tij të listuara në aktakuzë si pjesë e një marrëveshjeje për pranim fajësie.

Pavloviç, 73 vjeç, një ish-kapter i parë në Ushtrinë Popullore Jugosllave, po rigjykohet për krime lufte kundër civilëve në zonën rreth qytetit bregdetar të Sibenikut në shtator 1991.

Së bashku me autorët e tjerë të dyshuar – të cilët nuk janë në gjyq së bashku me Pavloviçin – ai akuzohet, si komandant i një toge artilerie, për përfshirje në sulme ndaj civilëve dhe ndërtesave civile dhe kulturore në Sibenik.

Gjatë sulmeve, një civil u vra, ndërsa katedralja katolike e qytetit – pikë referimi në Sibenik – dhe kishat aty pranë, vende trashëgimie kulturore dhe prona të tjera u dëmtuan rëndë.

Edhe pse Pavloviç e deklaroi veten të pafajshëm në seancën përgatitore përpara gjykatës në shkurt, ai tani e ka ndryshuar deklaratën e tij si pjesë e një marrëveshjeje midis prokurorisë dhe mbrojtjes, sipas të cilës ai pranon krimet dhe dënohet me katër vjet e gjysmë burg.

Dënimi minimal për krimet e luftës është caktuar me pesë vjet, por gjykatat mund të japin dënime më të ulëta nën kushte të veçanta – në rast pranim faji, moshe të madhe ose gjendje të dobët shëndetësore.

“I pranoj akuzat,” u përgjigj Pavloviç kur u pyet nga gjyqtari Vladimir Zivaljiç nëse pranon akuzat e ngritura kundër tij në aktakuzë.

“Më vjen keq për gjithçka që ka ndodhur dhe nuk duhet të kishte ndodhur në radhë të parë,” shtoi ai.

Prokuroria tha se provat që kishte mbledhur ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë e Pavloviçit nëse gjyqi do të vazhdonte. Përveç dokumentacionit, prokuroria kishte propozuar rreth 50 dëshmitarë – ish-trupa të JNA-së, ushtarët kroatë, të afërm të personit të vrarë dhe civilë të tjerë që qenë dëshmitarë të granatimeve.

Deklaratat mbyllëse dhe leximi i vendimit janë caktuar për në datën 4 maj.

Policia malazeze e arrestoi Pavloviçin bazuar në një urdhër arrestimi të Interpolit në mars të vitit 2017 në kalimin kufitar në Bijelo Polje ndërsa ai po hynte në vend nga Serbia fqinje.

Gjykata e apelit në Mal të Zi vendosi për ekstradimin e tij në maj 2017 dhe ai u dërgua në Split në korrik.

Zyra e prokurorit të shtetit në Sibenik paditi Pavloviçin dhe gjashtë oficerë të tjerë të JNA-së për krimet e kryera në vitin 1992. Gjykata e qarkut në Sibenik i shpalli ata fajtorë dhe e dënoi Pavloviçin me 15 vjet burg në mungesë.

Pas ekstradimit të tij, Pavloviç kërkoi rigjykim të çështjes, gjë e cila iu aprovua.

Një tjetër i akuzuar në aktakuzën e tij ishte ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç – i cili në atë kohë ishte kreu i Korpusit të 9-të të JNA-së, me bazë në qytetin kroat të Kninit. Mlladiç u dënua me 20 vjet burg në mungesë.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë e gjeti Mlladiçin fajtor për gjenocid në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte në nëntor./BI/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here