Ish-kryeministri serb Zhivkoviq: Qytetarët e kanë fshirë Kosovën që në vitin 2000

0

Kryeministri i dikurshëm serb Zoran Zhivkoviq thotë se interesimi për Kosovën në Serbi është folklorik. Ai akuzon shefin e Qeverisë Aleksandar Vuçiq se po bën shou sa i përket luftimit të korrupsionit. Zhivkoviq ka thënë se të vetmen punë që Vuçiq mund ta bëjë është mbikëqyrja e hapjes së nevojtoreve publike, transmeton Indeksonline.

Në një intervistë dhënë televizionit «N1» politikani serb Zoran Zhvikoviq ka kritikuar ashpër kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për politikë jorealiste ndaj Kosovës. Zhivkoviq, i cili ka qenë kryeministër i Serbisë pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit nga mafia gjysmështetërore, tha se nuk është zgjidhje të thuhet, siç thotë Vuçiq, se «nuk e jap Gazivodën», sepse «ajo as që është e tij». Në bisedimet e Brukselit me delegacionin e Kosovës Vuçiq kishte propozuar që pronësia mbi liqenin e Gazivodës të jetë 50 me 50. Këtë nuk e kishte pranuar Prishtina, sipas Vuçiqit.

Zhivkoviq tha se kryeministri serb në Bruksel ka pranuar që Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë të themelohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. «Vuçiq de jure e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. (…) Kosova nuk është temë për zgjedhjet e ardhshme, Kosovën qytetarët e kanë fshirë që në vitin 2000. Nganjëherë për këtë temë krijohet interesim folklorik. A është mirë kjo – jo, a është ky realiteti – po», nënvizoi Zhivkoviq, i cili është shef i Nova Stranka (Partia e Re).

Lidhur me arrestimet e fundit për korrupsion në Serbi Zhvikoviq e ka akuzuar Vuçiqin se po bën shou të panevojshëm, pasi që disa nga të arrestuarit janë nën hetime ngaherë dhe rregullisht i janë përgjigjur ftesave të organeve të drejtësisë. Zhivkoviq ka pyetur përse nuk po arrestohen bashkëpunëtorët e Vuçiqit si kryetari i Beogradit Sinisha Mali, i cili dyshohet se është pronar banesash në Bullgari apo ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, i cili po ashtu përflitet si i involvuar në afera financiare. Me arrestimin e dhjetëra njerëzve për korrupsion Vuçiq vetëm po tenton të fsheh të vërtetën për Serbinë, tha Zhivkoviq.

E vërteta, sipas tij, është se brenda më pak se katër viteve në pushtet qeveria e Vuçiqit i ka rritur borxhet për 10 miliardë euro. Ish-kryeministri Zhivkoviq e ka akuzuar Vuçiqin për manipulim të opinionit publik me ndihmën e mediumeve që i kontrollon dhe agjencitë për matjen e disponimit publik.

Ai tha se në emisionet e lajmeve Vuçiqit i kushtohen së paku 15 minuta, me ç’rast kryeministri aktual i Serbisë «hap gropa për semaforë, një metër e gjysmë hekurudhë, nevojtore publike… Ai ka thënë se do të verifikojë ndërtimin e 1356 nevojtoreve në spitale dhe shkolla… Porosia ime është kjo: kjo, Vuçiq, është punë për ty, duhet t’i vizitosh pese deri gjashtë prej tyre çdo ditë… Shko, puno atë punë që di, lëri të tjerët të bëjnë punën që ti nuk e di…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here