Ish komisioneri i BE-së për bujqësi premton mbështetje për bujqësinë në Kosovë

0

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim ish komisionerin e Bashkimit Evropian për Bujqësi dhe ish ministër i Bujqësisë së Austrisë, Franz Fischler i cili shoqërohej nga ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Ministri Krasniqi e informoi ish komisionerin Fischler për politikat programore në bujqësi dhe ndikimin që ato kanë pasur në zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi dhe avancimin e bujqësisë si sektor me mjaft potencial.

Ministri theksoi se bujqësia është një prioritet i qeverisë dhe mbështetja është rritur dukshëm në vitet e fundit, gjë që ka sjellë edhe rritje të prodhimit, duke ndjekur kështu synimin që të zëvendësohet importi dhe të shtohet sa më shumë konsumi i prodhimeve vendore.

Ai deklaroi se është objektiv i vendeve të rajonit që të avancojnë politikat e tyre për bujqësinë konform atyre që janë në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim ai tha se ndihma e zotit Fischler është mjaft e domosdoshme duke ditur karrierën e tij si ministër i bujqësisë dhe për 10 vjet komisioner për bujqësi.

Nga ana e tij, Fischler vlerësoi angazhimin e Qeverisë që këtë potencial që ekziston në bujqësi ta kthejë në vepër. Ai tha se bujqësia është një nga fushat ku Kosova duhet të ketë fokus të madh dhe për këtë ai shtoi se mbështetja e tij nuk do të mungojë, në drejtim të avancimit të politikave dhe proceseve integruese.

Ministri Krasniqi dhe ish komisioneri Fischler u pajtuan që të kenë komunikim të vazhdueshëm me qëllim të krijimit të mundësive për bashkëpunim në projekte të ndryshme në ndihmë bujqësisë në Kosovë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here