Isa Mustafa: “Vizioni i Ibrahim Rugovës është përmbushur”

0

PRISHTINE, 21 JANAR – Në nëntë vjetorin e vdekjes së ish presidentit të Republikës së Kosovës, Ibrahim RUgova, kryeministri aktual i Republikës, Isa Mustafa ka tërhequr vëmendjen se “ai vdiq në kohën kur po përmbyllej përmbushja e profecisë së tij, kur po bëhej realitet pavarësia e Kosovës”. Por nëntë vjetë më pas Mustafa ka thënë se “vizioni i Rugovës është përmbushur”. “Kosova është e lirë, e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht anekënd globit!”, është shprehur ai. Duke folur në kontekstin historik Mustafa ka theksuar në një Akademi përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës në Prishtinë se ish lideri i LDK-së shpesh nuk është kuptuar nga bashkëkohanikët e tij. “Prijësit e mëdhenj shpesh mbesin të pakuptuar nga bashkëkohanikët e vet”, ka thënë ai duke e krahasuar Rugovën në këtë kontekst me liderë të shquar botëror. Mustafa ka vequar poashtu respektin që ish presidenti Rugova e ka patur “nga personalitetet më të njohura të skenës politike ndërkombëtare”, miqësinë me të cilët sipas Mustafës, Rugova ia la trashëgim Kosovës. Ai e ka kujtuar edhe kontributin e ish presidentit Rugova në ndërtimin e strukturave të qëndrueshme të Kosovës në kohën e okupimit që sipas tij “patën rol shumë të rëndësishëm edhe në organizimin e rezistencës sonë për çlirim”. “Rugova është krijuesi i Republikës së Kosovës, është engjëlli i saj mbrojtës”, e ka përmbyllur fjalimin e tij kryeministri Isa Mustafa. Në nëntë vjetorin e vdekjes varri i ish presidentit Rugova dhe familja e tij në Prishtinë janë vizituar nga qytetarë e drejtuesë të ndryshëm institucionesh të Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here