Isa Mustafa: “Qytetarët e Kosovës nuk duhet ta braktisin vendin”

0

PRISHTINË, 31 JANAR – “Zahir Pajaziti, njëri ndër themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe dy bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, dhanë jetën të përkushtuar tërësisht për idealin e shenjtë të çlirimit të vendit. Veprimtaria e tyre e gjatë për kauzën e lirisë dhe të pavarësisë është një shembull unik i vendosmërisë së popullit të Kosovës për të luftuar për liri, për paqe dhe për prosperitet, ashtu si të gjithë popujt e tjerë të emancipuar e liridashës”, ka thënë sot në një Akademi Përkujtimore kushtuar kërtyre 3 heronjëve, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. Ideali për të cilin dhanë jetën këta heronjë, ka thënë Mustafa u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008. E tani në përvjetorin e 7 të Republikës kryeministri Mustafa nën patronatin e të cilit ishte organizuar Akademia ka thënë se “Republika e Kosovës mund të krenohet me të arriturat e saj në shumë fusha”. Megjithatë, ka tërhequr vëmendjen ai “vendi ynë vazhdon të ballafaqohet me një varg sfidash, ndër të cilat, pa dyshim, edhe gjendja ekonomike dhe shkalla mjaft e lartë e papunësisë, sidomos ndër të rinjtë”. “Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të angazhohet me tërë potencialin e saj për të krijuar kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët, si dhe për të hapur vende të reja pune, në mënyrë që të rinjtë tanë të mos kenë më arsye për t’ua mësyrë udhëve të panjohura e të pasigurta të rajonit, me shpresën për të gjetur perspektivë dhe jetë të re në vendet tjera evropiane”, ka tërhequr vërejtjen kreu i ekzekutivit të Kosovës. “Qytetarët e Kosovës nuk duhet ta braktisin vendin dhe duhet të kenë besim në vendin e tyre, Kosova është e lirë, sovrane dhe demokratike falë një lufte të ashpër e me shumë flijime, të cilën është dashur ta bëjnë brezat e popullit të Kosovës gati një shekull të tërë; Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht në të katër anët e globit, falë qëndresës së jashtëzakonshme të popullit të saj, dhe heronjve të Kosovës”, ka theksuar ai pasi kishte folur për janarët tragjik të historisë së Kosovës .
“Kemi nevojë të punojmë, të gjithë së bashku, që të ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e vendit, sepse luftëtarët e lirisë u flijuan për çdo pëllëmbë të vendit të tyre”. “Zahiri, Edmondi, Hakifi dhe shumë e shumë bijë e bija të këtij vendi, u flijuan për një Kosovë të lirë, për një Kosovë paqësore dhe demokratike, për një Kosovë të dijes e të përparimit, për një Kosovë të tillë punoi me dije, vizion dhe urtësi të rrallë edhe Presidenti Historik i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për një Kosovë të tillë u flijua edhe Komandanti Legjendar Adem Jashari”, ka tërhequr vëmendjen Mustafa.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here