Isa Mustafa: Nuk e dimë ende pse ndodhi eksodi

0

Pasojat e protestave të fundit janë të dukshme në godinën qeveritare në qendër të Prishtinës, ku Kryeministri Isa Mustafa, i intervistuar nga Rudina Xhunga për emisionin “Shqip” në “Top Channel”, flet për situatën politike që nuk ka shkaktuar thjesht xhama të thyer, por një eksod të paparë që nga koha e luftës. Biseda fillon me protestat:

 

Fajësoni veten për ato protesta? Cila ishte pjesa juaj e fajit në atë çfarë po ndodhte?

Protestat kanë shpërthyer në mënyrë të pakontrolluar, sepse preteksti i protestave ishte një deklaratë e ministrit Jabllanoviç, e cila është një deklaratë e papranuar edhe për ne anëtarët e qeverisë, dhe për mua si Kryeministër. Ai kërkoi falje, kërkoi falje dy herë, por kjo nuk mjaftoi për opinionin publik. Unë shpresoja që ndjesa e tij të mjaftonte, por kjo nuk ndodhi. Normalisht qëllimet ishin edhe të tjera.

 

Qëllimi ishte që ju të largoheshit, që ju mos të bëheshit kryeministër?

Qëllimi ishte që qeveria të jepte dorëheqjen.

 

Sepse ju tradhtuat Bllokun?

Në Bllok nuk ka pasur tradhti, me Bllokun ka pasur marrëveshje, e cila nuk funksionoi. Marrëveshja ka qenë që unë të bëhem kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe z. Haradinaj të bëhej kryeministër, meqenëse Gjykata Kushtetuese e rrëzoi mundësinë që ne ta zgjedhim kryeparlamentarin, ne insistuam që të ridefinohet edhe një herë marrëveshja, të ulemi e të merremi vesh, sepse LDK-ja me 30 deputetë, përkatësisht tri herë më shumë sesa AAK, e dy herë më shumë sesa “Vetëvendosja”, nuk mund të mbetej në margjinën e organizimit të qeverisë. Nuk pati mirëkuptim, kishte gjithashtu dhe paqartësi lidhur me mundësinë e marrjes së mandatit, sepse kriteret që u dhanë nga Presidentja e vendit kërkonin që qeveria e ardhshme të ishte ajo që do të mbante partneritetin ndërkombëtar, do të vazhdonte dialogun dhe do të reflektonte përfshirjen e të gjitha komuniteteve në qeveri; ashtu siç ishim, ishte mjaft e vështirë që ajo të sigurohej.

 

Jeni Kryeministër pas 7 vitesh pavarësimi të Kosovës, Kosovës shtet; jeni Kryeministër në një kohë të vështirë për Kosovën, kur pamjet që na dalin para syve nuk janë thjesht xhamat e thyer të Kryeministrisë ku ju drejtoni, por edhe të autobusëve që po ikin. Ka ndaluar largimi masiv apo eksodi i qytetarëve, siç është quajtur.

Nuk ka ndaluar tërësisht, por është zvogëluar dukshëm. Kemi dhe ardhje intensive të delegacioneve nga Bashkimi Europian, të cilat bashkë me ne të bëjnë përpjekje për kthimin e njerëzve tanë. Për mua nuk është e qartë pse kjo ndodhi në një periudhë kaq të ngushtë kohore, me intensitet kaq të lartë, sepse migrim ka pasur edhe gjatë viteve të kaluara, siç ka pasur edhe në vende të tjera fqinje, sepse njerëzit lëvizin pandërprerë, por jo në këto përmasa. Sigurisht është problematika sociale, problemi i papunësisë, si ndër problemet kyçe, mirëpo është shumë interesante se nga njerëzit e larguar ka edhe të punësuar, si në sektorin privat ashtu edhe publik, ka njerëz që kanë pasur edhe pagesa mbi nivelin mesatar. Kjo na detyron të ulemi dhe të bëjmë një analizë, nëse janë shkaqe ekonomike, sociale apo edhe psikologjike, në mënyrë që të punojmë në evitimin e tyre në vitet e ardhshme.

 

Ju ende nuk jeni gati të thoni se çfarë i detyroi këta njerëz të largohen masivisht, ende nuk ka një analizë?

Nuk ka një analizë të qartë, mund të jepen vlerësime të ndryshme, por mbeten subjektive.

 

Një javë më parë, Ismail Kadare bëri pikërisht pyetjen se ç’i ka bërë këta njerëz të humbasin shpresën, duke e shoqëruar dhe me pohimin se barinjtë e Kosovës nuk duhet t’i zërë gjumi. Në fakt, kjo është pyetja që bëjmë të gjithë, çfarë ndodhi që humbi shpresa, kaq pak, 7 vjet?!

Mendoj se nuk ka arsye të humbet shpresa. Nuk e kanë humbur shpresën gjermanët edhe popujt e tjerë pas Luftës së Dytë Botërore ku është shkatërruar tërësisht vendi i tyre dhe kanë luftuar në një periudhë të gjatë kohore që ta rindërtojnë vendin. Unë i kujtoj karvanët e vitit ’99 kur janë kthyer njerëzit, ku kanë pasur mundësi të marrin dhe azil jashtë, por janë kthyer në një Kosovë krejtësisht të shkatërruar, e aq më pak ka arsye tani. Tani duhet të punojmë të gjithë ne, sepse të gjithë ne mund të punojmë këtu në Kosovë. Është e vërtetë se situata ekonomike nuk është e mirë, por nuk është një situatë ekonomike që s’ka perspektivë, që s’ka zgjidhje.

 

Ndieni ju përgjegjësi z. Kryeministër që ishit pjesë e një Blloku, i cili u vonua aq shumë të gjente zgjidhjen sa shpresa u shua pak nga pak, te një pjesë e njerëzve, që edhe pse kanë mundësi për të jetuar, nuk duan thjesht të mbijetojnë?

Unë mendoj se asnjë ndikim nuk ka as Blloku dhe as kjo qeveri. Problemi është i hapjes së korridorit në Serbi. Problemi është i kriminelëve tanë dhe kriminelëve serbë, të cilët kanë bashkëpunuar në këtë biznes. Problemi është edhe i komunitetit ndërkombëtar që nuk është deklaruar qartë se qytetarët tanë nuk mund të marrin azil atje, kështu mund të ndalej edhe fluksi. Ka pasur dhe një ndërmjetësim të qëllimshëm dhe të Serbisë në këtë aspekt.

 

Në këtë moment të vështirë për Kosovën, opozita, “Vetëvendosja” dhe Haradinaj i ftojnë qytetarët të mos largohen, por të protestojnë. Po ftesa juaj për qytetarët e Kosovës, cila është? I ftoni në cilën mundësi bashkëpunimi, i ftoni për të bërë çfarë?

Njerëzit nuk jetojnë duke protestuar. Protestat nuk u japin njerëzve ushqime, nuk u japin njerëzve vende pune, nuk u japin njerëzve arsim të mirë. Ne duhet t’i ftojmë të gjithë qytetarët që bashkërisht të punojmë, jo të protestojmë. Shembulli i mirë nuk është të thyejmë xhamat, shembulli i mirë nuk është që ne të dëmtojmë bizneset, pronën private, sheshin që e kemi ndërtuar me para të këtij populli. Prandaj nuk e parapëlqej ftesën e zotit Kurti apo Haradinaj, parapëlqej që ne të ballafaqojmë argumente, që të gjejmë rrugën e daljes nga kjo situatë. Unë ndryshe nga ata, i ftoj qytetarët që të vijnë, të punojnë, pasi është një vend që punohet, ka toka, pyje, lumenj, pasuri natyrore, kemi përvojë të mirë të punës. Njerëzit duhet të kenë dashuri ndaj punës dhe kështu besoj se e kapërcejmë këtë situatë në të cilën jemi.

Intervistoi Rudina Xhunga

Marrë me shkurtime

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here