Isa Boletini ishte një lider popullor që veproi në përputhje me nevojat e kohës

0

Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë, Instituti i Historisë në Tiranë dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, sot në Kuvendin e Kosovës është mbajtur Konferenca Shkencore “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”.
Kryeparlamentari Veseli ka tërhequr vëmendjen se periudha në të cilën jetoi dhe veproi Isa Boletini, “ishte periudhë dramatike e historisë sonë kombëtare dhe e kthesave të mëdha”. Sundimi shekullor osman, shtoi kryetari Veseli, po kalonte vitet e fundit të tij dhe shqiptarët po përballeshin me një sfidë radikale: ose do të dilnin nga ky sundim si një komb i formuar dhe me aftësi shtetformuese, ose rrezikonin shpërbërjen kolektive, si etni dhe territor.
“E gjithë veprimtaria e Isa Boletinit ishte një përballje me këtë sfidë. Ishte një përballje titanike, e cila e çoi atë nga betejat e grykave të Kosovës, në mbrojtjen e pavarësisë kombëtare të shpallur në Vlorë, e prej andej në zyrat diplomatike të Evropës. Isa Boletini ishte një lider popullor që veproi në përputhje me nevojat e kohës. Kjo ishte koha e çlirimit kombëtar dhe formimit të shtetit kombëtar. Ishte koha ku shqiptarët duhet të dëshmonin ekzistencën e tyre kombëtare dhe të drejtat e tyre legjitime”, theksoi kryetari i Kuvendit, duke shtuar se të gjitha kryengritjet dhe përpjekjet e Isa Boletinit ishin në shërbim të këtij qëllimi madhor.
Veseli tha se sot, në kushtet e reja sociale dhe politike, figura historike e Isa Boletinit kërkon qasje të reja shkencore dhe akademike.
“Unë besoj se historiografia jonë, tanimë e pavarur nga diktatet ideologjike dhe politike, është në gjendje të përmbushë këtë nevojë të vetëdijes sonë kombëtare, të kulturës dhe kujtesës sonë historike”, tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here