Incidenti i Kanalit të Korfuzit1946 (2):Anglezët kërkojnë rezolutë nga Këshilli i Sigurimit për fajësimin e Shqipërisë

0

Pas disa përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së incidentit të 22 tetorit 1946 në mënyrë diplomatike, Qeveria Britanike iu drejtua me një letër të veçantë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, me qëllim që të hetohej mbi këtë problem sa më parë nga Këshilli i Sigurimit, në bazë të kapitullit VII të Kartës së OKB-së, pasi situata ”rrezikonte paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. Synimi britanik ishte arritja e miratimit të një rezolute të Këshillit të Sigurimit, përmes së cilës të deklarohej përgjegjësia e Shqipërisë për incidentin e 22 tetorit, ”pasi minat në afërsi të bregut shqiptar nuk mund të ishin vendosur pa dijeninë e autoriteteve shqiptare”. Një rezolutë e tillë nuk u arrit të miratohej për shkak të vetos sovjetike, megjithëse pro saj ishin shtatë vota (SHBA, Francë, Kinë, Kolumbi, Brazil, Belgjikë, Australi), kundrejt një abstenimi (Siria) dhe dy votave kundër (Bashkimi Sovjetik dhe Polonia). Përfaqësuesi britanik, ”në emër të paanësisë”, nuk mori pjesë në votim (deri në vitin 1961, Këshilli i Sigurimit kishte 11 anëtarë, 5 të përhershëm dhe 6 të përkohshëm). Në bazë të propozimit britanik, Këshilli i Sigurimit miratoi më 9 prill 1947 një rezolutë, përmes së cilës u rekomandohej palëve ”ta paraqisnin menjëherë mosmarrëveshjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në përputhje me dispozitat e statutit të gjykatës”. Kjo rezolutë u pranua në parim nga të dyja palët. Për palën shqiptare kjo konfirmohet zyrtarisht nga letra që Qeveria Shqiptare i dërgonte gjykatës më 2 korrik të vitit 1947. Më 22 maj 1947, pala britanike iu drejtua në mënyrë të njëanshme GJND-së. Qeveria Shqiptare e kundërshtoi këtë veprim, duke theksuar që ai binte ndesh me vetë statutin e gjykatës, pasi palët duhet të arrinin më parë marrëveshjen e kompromisit, duke fiksuar me mirëkuptim mes tyre edhe pyetjet që do t’i drejtoheshin asaj. Megjithatë, theksohej se pavarësisht parregullsisë nga pala britanike, ajo ishte ”përgatitur të paraqitej para gjykatës” dhe se ”pranimi në këtë rast i juridiksionit të gjykatës nuk mund të ishte një precedent për të ardhmen”.

6847768754ncidentiiorfuzit

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha tre vendime për çështjen e Kanalit të Korfuzit. Pas vendimit të parë, lidhur me problemin e juridiksionit, gjykata iu përgjigj 2 pyetjeve kryesore të shtruara nga palët në marrëveshjen e kompromisit, që ishin:

1) Nëse ishte përgjegjëse Shqipëria për shpërthimin e minave në Kanalin e Korfuzit dhe nëse ishte rasti për dëmshpërblim?

2)   Nëse Britania e Madhe kishte shkelur sovranitetin e shtetit shqiptar kur pastroi minat në Kanalin e Korfuzit më 12-13 nëntor 1946 ?

TRE VENDIMET E GJYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË

  1. a)    Vendimi lidhur me juridiksionin e gjykatës.Çështja e parë me të cilën u morr gjykata ishte ajo e juridiksionit të saj për të marrë në shqyrtim pretendimet britanike, të paraqitura përmes kërkesës së njëanshme.

Siç dihet, sipas nenit 36/1 të Statutit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka juridiksion fakultativ. Pala shqiptare theksonte se ende nuk kishte arritur marrëveshjen e kompromisit dhe nuk kishte bërë asnjë deklaratë për njohjen e juridiksionit të detyrueshëm të gjykatës për rastet e parashikuara në nenin 36/2 të Statutit.

Në vendimin e parë më 25 mars 1948, me 15 vota pro dhe një kundër, gjykata rrëzoi pretendimet paraprake të palës shqiptare për çështjen e juridiksionit dhe vendosi të vazhdonte me shqyrtimin e çështjes. Ajo theksoi se mund t’i paraqiteshin kërkesa shtetërore individuale jo vetëm në rastet kur parashikohej juridiksioni i detyrueshëm i saj, sipas nenit 36/2 të Statutit. Sipas gjykatës ”duke e paraqitur çështjen përmes një kërkese shtetërore individuale, Qeveria Britanike i dha mundësi Qeverisë Shqiptare për ta pranuar juridiksionin e gjykatës. Ky pranim ishte shprehur tashmë nga letra e paraqitur nga Qeveria Shqiptare më 2 korrik të vitit 1947.

Pikërisht ky deklarim i gjykatës paraqet mjaft rëndësi për mundësinë e zbatimit të së ashtu quajturës forum prorogatum edhe gjatë shqyrtimit të çështjeve në nivel ndërkombëtar, që do të thotë njohje e juridiksionit të gjykatës për të zgjidhur një mosmarrëveshje mes palëve edhe pa pasur formalisht marrëveshjen e kompromisit mes tyre apo një deklarate të veçantë, por mbështetur edhe nga një dokument apo akt i veçantë që, në një rrethanë të caktuar, mund të konsiderohet i vlefshëm.

Fakti që Shqipëria në këtë kohë ende nuk ishte anëtare e OKB-së, për rrethanat e çështjes, nuk u vlerësua si i rëndësishëm nga gjykata.

  1. b) Vendimi lidhur me themelin e çështjes.Në fazën tjetër të procesit gjyqësor, me vendimin e 19 prillit 1949, gjykata vendosi mbi themelin e çështjes, duke iu përgjigjur dy pyetjeve kryesore që ishin parashtruar nga palët në marrëveshjen e tyre të kompromisit.

Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, paraprakisht ajo duhej të merrte informacion, ndër të tjera, edhe rreth faktit se kush, cili shtet i kishte urdhëruar apo vendosur minat në zonën e Kanalit të Korfuzit. Për këtë qëllim, në bazë të provave dhe ekspertizës së grumbulluar, u analizuan 5 versione të mundshme: se minat mund të ishin vendosur nga Gjermania? Shqipëria? Britania e Madhe? Greqia? ose nga Jugosllavia? Hipoteza për Gjermaninë hidhej poshtë menjëherë, pasi hartat e zonave të minuara ujore që kishin në dorë Fuqitë Aleate nuk evidentonin Kanalin e Korfuzit si të tillë; në fillim të vitit 1945 britanikët kishin kontrolluar disa herë këtë zonë; më 15 maj luftanijet britanike  kishin kaluar në kanal pa ndeshur në mina; minat kishin shenja grasoje, që do të thotë se ishin vendosur në ujë jo më vonë se 6 muajt e fundit etj. Edhe versioni mbi Shqipërinë nuk mund të kishte asnjë mbështetje, pasi nuk kishte asnjë provë mbi praninë e minave gjermane të tipit ”GY” në territorin shqiptar  dhe se Shqipëria në këtë kohë nuk dispononte anije as për vendosjen e minave dhe as për heqjen e tyre. Versioni se minat mund të ishin vendosur nga Britania binte me argumentin e pamundësisë për ta bërë një gjë të tillë pa u ekspozuar; minat ujore ishin gjermane të tipit ”GY”; si dhe vetë fakti i dëmeve të konsiderueshme në njerëz e materiale që pësoi pala angleze. Po kështu vlerësohej se edhe Greqia duhej përjashtuar nga ky skenar, pasi ajo nuk kishte në atë kohë mina të tipit ”GY”, si dhe mjete për vendosjen e tyre; flota greke ndodhej nën komandën e Britanisë së Madhe etj. Mbetej varianti i fundit, ai i vendosjes së minave nga pala jugosllave, për të cilën kishte, në fakt, mjaft prova të rëndësishme: ishte i vetmi vend në rajon që kishte mina gjermane ”GY”; kishin mjete të fuqishme detare për transportimin dhe vendosjen e tyre; minat shënoheshin me shenjën e kryqit gjerman swastika, dhe të tilla u gjetën edhe minat e spastruara në operacionin e 12-13 nëntorit 1946; dëshmia e ofruar në gjykatë nga leitnanti i flotës jugosllave Karel Kovaçiç; etj. Megjithatë, për arsye që mund të vetëkuptohen, Gjykata arriti në konkluzionin se për të, autorët e operacionit për vendosjen e minave në Kanalin e Korfuzit mbeten të panjohur. Mbi këtë bazë, vendimmarrjen e saj e bazon duke përjashtuar fajësinë për vendosjen e minave në këtë zonë.

zetlan10

Konkretisht, lidhur me pyetjen e parë, me 11 vota pro dhe 5 kundër, ajo arriti në përfundimin se Shqipëria ishte përgjegjëse për shpërthimin e minave në zonën e Kanalit të Korfuzit më 22 tetor 1946 dhe, për pasojë, edhe për dëmtimet dhe humbjet e jetëve të njerëzve. Sipas saj, bazuar edhe në ekspertizën e marrë për këtë qëllim, vendosja e minave në kanal ishte bërë rishtazi, pra jo shumë kohë para incidentit të 22 tetorit (minat ishin të grasatuar) dhe se, në bazë të rrethanave faktike, ishte e pamundur që autoritetet shqiptare të mos kishin dijeni për vendosjen e këtyre minave. Gjykata theksoi më tej se dijenia e presupozuar nga ana e Qeverisë Shqiptare përmban në vetvete detyrimin e saj për të njoftuar ”për të mirën e lundrimit në përgjithësi, për ekzistencën e minave në ujërat territoriale shqiptare”, duke paralajmëruar kështu edhe”Luftanijet britanike që po afroheshin për rrezikun e menjëhershëm që paraqisnin për ato këto mina”. Meqenëse pala shqiptare nuk e kishte respektuar këtë detyrim, Republika e Shqipërisë deklarohej se ishte përgjegjëse, sipas së drejtës ndërkombëtare. Lidhur me çështjen e kompensimit dhe shumën që duhej apo jo të paguhej me këtë rast, gjykata tha se ruante të drejtën për t’u shprehur me një vendim të mëvonshëm të saj.

Nga tërësia e pjesës arsyetuese vlen të evidentohen për nga rëndësia argumentet e gjykatës për çështjen e kalimit paqësor në ngushticat ndërkombëtare. Sipas gjykatës ”është e njohur përgjithësisht dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare zakonore që në kohë paqeje, shtetet kanë të drejtë t’i dërgojnë edhe anijet e tyre të luftës përmes ngushticave ndërkombëtare që shfrytëzohen për lundrim ndërkombëtar ndërmjet dy pjesëve të detit të hapur, pa qenë nevoja të kërkojnë për këtë qëllim autorizimin paraprak të shtetit bregdetar, me kusht që kalimi të jetë paqësor. Përveç rasteve kur parashikohet shprehimisht në një konventë ndërkombëtare, shteti bregdetet; në kohë paqeje, nuk ka të drejtë ta ndalojë një kalim të tillë përmes këtyre ngushticave”.

Gjykata vuri në dukje se Kanali i Korfuzit është një ngushticë e tillë që përdoret për lundrim ndërkombëtar dhe se lundrimi i anijeve britanike më 22 tetor 1946 ishte paqësor. Prandaj, me 14 vota pro dhe 2 kundër, ajo arriti në përfundimin se më 22 tetor 1946 Britania e Madhe nuk kishte shkelur sovranitetin e shtetit shqiptar.

Lidhur me pyetjen e dytë të shtruar nga marrëveshja e kompromisit mes palëve, Gjykata me unanimitet (me arsyetim paralel vetëm të gjyqtarit britanik) theksoi se operacioni i luftanijeve britanike për pastrimin nga minat të Kanalit të Korfuzit, i ndërmarrë më 12-13 nëntor 1946, ”kishte shkelur sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe se vetë ky deklarim i gjykatës përbën në vetvete një sadisfaksion të mjaftueshëm” për këtë shkelje. Gjykata hodhi poshtë me këtë rast pretendimet britanike se operacioni i ndërmarrë për pastrimin e minave mund të justifikohej me të drejtën e ndërhyrjes apo të vetëndihmës (Self-help) etj.

  1. c) Lidhur me çështjen e kompensimit.Vendimi i tretë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i dhënë më 15 dhjetor të vitit 1949, i kushtohet çështjes së kompensimit të mundshëm për incidentin e 22 tetorit 1946. Në fakt, që në vendimin mbi themelin e çështjes, gjykata kishte vënë në dukje se vetë marrëveshja e kompromisit mes dy palëve i kishte dhënë të drejtën për të vlerësuar edhe shumën e kompensimit. Ky vlerësim bëhej në bazë të kërkesës së paraqitur nga pala britanike dhe të raportit të paraqitur për këtë qëllim nga ekspertët. Me 12 vota pro e 2 kundër, Gjykata vendosi se shuma e kompensimit që Shqipëria duhej t’i paguante Britanisë së Madhe për incidentin e 22 tetorit 1946 ishte 843 947 paund.

Shqipëria nuk mori pjesë në këtë fazë të procesit dhe, për më tepër, deklaroi se nuk do ta paguante shumën e caktuar si kompensim.

Koment: Vendimi i GJND-së për Incidentin e Kanalit të Korfuzit është vendimi i parë që ka marrë kjo gjykatë pas krijimit të saj, si një nga organet kryesore të OKB-së, si mjeti kryesor për zgjidhjen paqësore të konflikteve ndërkombëtare. Megjithatë, nga shqyrtimi kësaj çështjeje në Këshillin e Sigurimit e më pas nga vetë GJND-ja, konstatohet qartë fillimi tashmë i së ashtuquajturës Luftë e Ftohtë dhe ndarja e shteteve kryesisht në dy kampe apo blloqe të mëdha, në atë të Lindjes dhe të Perëndimit. Sidoqoftë, edhe sot mund të konstatohet se përgjithësisht vendimi i dhënë prej saj para më shumë se 50 vjetëve ishte i drejtë. Standardet që vendosen për regjimin juridiko-ndërkombëtar të ngushticave detare, të ujërave territoriale, e drejta e kalimit paqësor të anijeve tregtare dhe të luftës në këto ngushtica dhe ujëra etj., janë konfirmuar prej saj në jurisprudencën vijuese dhe, çfarë është më e rëndësishmja, edhe nga aktet ndërkombëtare të miratuara kryesisht në kuadër të OKB-së, mes të cilave vend të veçantë zë Konventa mbi të Drejtën e Detit e vitit 1982. Nga ana tjetër, nuk mund të lihet pa u përmendur se dokumentet e zbuluara vitet e fundit provojnë qartësisht konkluzionin e gjykatës se minat në Kanalin e Korfuzit ”nuk mund të jenë vendosur pa dijeninë e palës shqiptare”. E, në këtë kuadër, pavarësisht kundërshtimeve absurde të palës shqiptare, tashmë është e dokumentuar se minat në zonën e Kanalit të Korfuzit janë vendosur nga pala jugosllave, në bazë të kërkesës që Enver Hoxha i kishte bërë Titos gjatë vizitës në Beograd, në shtator të vitit 194625. në këtë drejtim, megjithatë, është për t’u theksuar një detaj, fakti që dëshmitari kryesor i procesit, leitnanti jugosllav Karel Kovaçiç, ka qenë i sajuar dhe ka bërë dëshmi të rreme, duke deklamuar e ”përshkruar me hollësi” vendosjen e minave nga anijet jugosllave ”Mlljet” dhe ”Meljinje”, vetëm dy ditë para incidentit të 22 tetorit 1946. Dokumente të shumta arkivore provojnë qartë që anijet jugosllave, në bashkëpunim me komandën shqiptare të ishullit të Sazanit, kanë bërë minimin e Kanalit të Korfuzit më 22 shtator të vitit 1946, pra një muaj para incidentit kryesor. Nga ana tjetër, përmes këtyre dokumenteve evidentohet, gjithashtu, edhe mbrojtja mjaft e mirë që i është bërë palës shqiptare, veçanërisht nga avokatët francezë Pjerr Kot dhe Xho Nordman, si dhe zhgënjimin e tyre për bojkotimin nga Shqipëria të procesit të tretë të Kanalit të Korfuzit, atë të vlerësimit të shumës që duhej t’i paguhej si dëmshpërblim palës britanike, duke dëmtuar kështu vetë interesat e shtetit shqiptar. Po kështu evidentohet edhe qëndrimi absurd i moszbatimit të vendimit të GJND-së nga ana e Shqipërisë. Me të drejtë theksohet se juridiksioni i kësaj gjykate, si rregull, është fakultativ, por pa dyshim që vendimi i saj është i detyrueshëm dhe, si i tillë, normalisht duhet të respektohet nga palët në gjykim. Lidhur me këtë problem vlen të vihet në dukje, gjithashtu, edhe debati mbi mundësinë e rihapjes së çështjes së Incidentit të Kanalit të Korfuzit në GJND. Kjo për shkak të gjetjes në afërsi të bregdetit shqiptar të disa mbetjeve të bashit të anijes ”Volazh”, të dëmtuar në incidentin e 22 tetorit 1946. Këto mbetje u nxorën nga fundi i detit në vitin 2010 nga një anije amerikane që bëri kërkime për objekte arkeologjike. Duhet ritheksuar me këtë rast se, bazuar edhe në argumentet e mësipërme, vendimi i GJND-së, përgjithësisht, mund të vlerësohet i drejtë. Megjithatë, duhet pasur parasysh se edhe nga pikëpamja juridiko- formale, në bazë të nenit 61 të Statutit të GJND-së, rishikimi i një vendimi mund të bëhet vetëm nëse zbulohet një fakt i ri shumë i rëndësishëm për çështjen dhe që nuk njihej nga pala që pretendon, para dhënies së vendimit nga gjykata. Për më tepër, sipas pikave 4 dhe 5 të këtij neni, edhe në këto raste, kërkesa për rishikim duhet të paraqitet jo më vonë së gjashtë muaj pas zbulimit të faktit të ri, por në asnjë rast jo më vonë së pas 10 vjetëve nga dhënia e vendimit të gjykatës.

Vazhdon …

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here