Incidenti i Kanalit të Korfuzit 1946 (1):në çfarë rrethanash u zhvillua ngjarja

0

Incidenti i Kanalit të Korfuzit përbën, pa dyshim, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë diplomatike të çështjes shqiptare pas Luftës së Dytë, një ngjarje që përcaktoi apo, të paktën, ndikoi shumë gjatë periudhës në vijim marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet perëndimore, veçanërisht me Britaninë e Madhe.

hartaqpasqyrontemomente

 I. FAKTET KRYESORE

 Kanali i Korfuzit është një ngushticë ndërkombëtare që shtrihet ndërmjet bregut të Shqipërisë dhe ishullit grek të Korfuzit. Gjerësia e tij varion nga një deri në gjashtë milje detare, prandaj vija e kufirit që kalon në mes të tij ndan ujërat territoriale të të dy vendeve.

Në fakt, kur flitet për Incidentin e Kanalit të Korfuzit (IKK) kihet parasysh incidenti kryesor, ai i datës 22 tetor 1946, në të cilin nga shpërthimi i minave në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit, humbën jetën disa marinarë dhe oficerë anglezë, u fundos një anije dhe u dëmtua rëndë një tjetër. Por ky incident ka lidhje të ngushtë edhe me dy incidente të tjera, me atë të 15 majit 1946, që i paraprin atij, si dhe me atë të 12-13 nëntorit 1946, që do ta pasonte atë. Në mënyrë kronologjike, zhvillimi i ngjarjeve mund të paraqitej shkurtimisht në këtë mënyrë:

Më 15 maj të vitit 1946, rreth orës 8” të mëngjesit, dy kryqëzorë britanike, ”Suberb” dhe ”Orion”, po lëviznin në drejtimin nga veriu në jug të kanalit, brenda ujërave territoriale të Shqipërisë. Bateritë bregdetare shqiptare hapën zjarr  paralajmërues dhe më pas të dy anijet u larguan.

Përmes shkëmbimit të notave mes dy vendeve, Britania pretendonte se në bazë të normave të së drejtës ndërkombëtare detare, anijet e saj kishin të drejtën e kalimit paqësor në Kanalin e Korfuzit, pa qenë e nevojshme t’i marrin leje apo t’i bëjnë njoftim paraprak palës shqiptare. Referuar incidentit, pala britanike insistonte që Qeveria shqiptare të kërkonte falje publike, si dhe garancinë se personat përgjegjës ”do të dënoheshin rrepte”. Për më tepër, në Foreign Office   britanik parashikoheshin edhe masat e mëtejshme që mund të merreshin në rastin e ”mosrespektimit” të palës shqiptare ku, ndër të tjera, parashikohej:

a) Paraqitja e çështjes në Këshillin e Sigurimit, për të dëshmuar se Shqipëria nuk e meritonte anëtarësimin në OKB. b)   Të kundërshtohej kërkesa shqiptare për të marrë si dëmshpërblim lufte një pjesë të flotës italiane, pasi një vendi si Shqipëria nuk mund t’i besoheshin armë modeme; si dhe c)   Mbështetje britanike për ”pretendimet greke për pjesën shqiptare të Kanalit të Korfuzit”. Në të kundërt, pala shqiptare theksonte se për kalimin e anijeve në zonën e kanalit, brenda ujërave të saj territoriale, ishte e nevojshme të bëhej fillimisht njoftim paraprak e më pas të merrej edhe leja nga autoritetet kompetente shqiptare. Për këtë qëllim, Komanda e Përgjithshme e Forcave të Armatosura të Shqipërisë lëshoi edhe një urdhër të veçantë që iu bë i njohur të gjitha shteteve.

Corfu_topographic_map-en.svg

Për të testuar qëndrimin e Shqipërisë, më 21 shtator 1946, Flota Britanike e Mesdheut mori porosi nga Londra të dërgonte ndonjë prej anijeve të saj në zonën e Kanalit të Korfuzit,  pasi ende diskutohej nëse mund të vendoseshin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, prandaj ”Qeveria e Madhërisë së Saj dëshironte të dinte nëse Qeveria Shqiptare kishte mësuar se si të sillej”. Mbi këtë bazë, më 22 tetor 1946 rreth drekës, 4 luftanije britanike, dy kryqëzorët ”Mauricius” dhe ”Leander” dhe dy destrojerët ”Somarez” dhe ”Volazh”, po lundronin në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit, brenda ujërave territoriale të Shqipërisë, pa marrë leje dhe pa bërë njoftim paraprak për autoritetet shqiptare. Në orën 2: 53 të pasdites, destrojeri ”Somarez” ndeshi në një minë nënujore, nga shpërthimi i së cilës u dëmtua rëndë. Në orën 4: 16 ndeshi në minë dhe u dëmtua edhe destrojeri ”Volazh”. Nga të dyja shpërthimet, përveç dëmeve materiale, u vranë 1 oficer dhe 43 marinarë dhe u plagosën 3 oficerë e 39 marinarë të tjerë.

Pas këtij incidenti, në mënyrë të njëanshme, pa marrë pëlqimin e Komitetit Ndërkombëtar për Pastrimin e Minave dhe pavarësisht protestave të Qeverisë Shqiptare, më 12 — 13 nëntor 1946, rreth 30 luftanije britanike, të mbështetura nga aviacioni, kryen një operacion të gjerë për pastrimin e minave në ujërat territoriale shqiptare në zonën e Kanalit të Korfuzit.

Vazhdon

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here