Incidenti i Kanalit të Korfuzit 1946 (3):Kënd e shpalli fajtor Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për incidentin? (foto ekskluzive)

0

Duke iu rikthyer tri vendimeve të GJND-së mbi Incidentin e Kanalit të Korfuzit, vlen të theksohen, ndër të tjera, disa nga standardet apo vlerat më të spikatura të tyre në këndvështrim të së drejtës ndërkombëtare, mes të cilave si më kryesoret mund të përmenden:

Sans titre 8

1) GJND-ja afirmon për herë të parë të ashtuquajturën zgjidhje forum prorogatum, mbi bazën e së cilës, në raste të caktuara, juridiksioni i gjykatës mund të justifikohet edhe pa arritjen e marrëveshjes së shprehur të kompromisit, mjafton që shprehja e vullnetit të rezultojë në një formë tjetër të vlefshme. Në periudhën në vijim, ky parim është zbatuar gjerësisht në vendimmarrjen e GJND-së, të gjykatave të ndryshme ndërkombëtare dhe madje edhe në të drejtën e brendshme, veçanërisht nga gjykatat kushtetuese.

2) Evidentohet qartë rëndësia e respektimit të parimit të sovranitetit territorial dhe të mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të një shteti.

3) Afirmimi i parimit të rëndësishëm të lundrimit paqësor në ujërat territoriale dhe ngushticat ndërkombëtare, pavarësisht se këto të fundit mund të konsiderohen, sipas rastit, edhe si rrugë ujore ndërkombëtare të kategorisë së dytë.

4) Përfundimi se edhe vetë konstatimi i shkeljes nga ana e gjykatës përbën në vetvete një shpërblim të përshtatshëm.

5) Ajo vlerësoi se jo vetëm kishte dëm, por mori përsipër edhe vlerësimin e tij, gjë që nuk ishte parashikuar shprehimisht në marrëveshjen e kompromisit. Nga ky këndvështrim mund të flitet edhe për një lloj forum prorogatummaterial të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Marrë nga libri :“Jurisprudencë dhe praktikë ndërkombëtare”  nga  Xhezair ZAGANJORI

Vendimi i Gjykatës:”Shqipëria përgjegjëse për shpërthimin e 22 tetorit 1946″

Sans titre 2

Në përfundim të shqyrtimit të çështjeve të Memorandumit të Veçantë midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, trupi gjykues në pasditen e 9 prillit 1949 mori vendimin e parë.

1. Me 11 vota pro dhe 4 kundër vendosi: Republika e Shqipërisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është përgjegjëse për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, si dhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara;

2. Me 10 vota pro dhe 6 kundër paraqiti rezerva për shqyrtimin e vlerësimit të masës së kompensimit dhe rregulloi procedurat për këtë çështje me një urdhër të nxjerrë po sot;

Në lidhje me pyetjen e dytë të Marrëveshjes së Veçantë të datës 25 mars 1948:

Sans titre 10

1. Me 14 vota pro dhe 2 kundër vendosi: Mbretëria e Bashkuar nuk e dhunoi sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë me veprimet e Marinës Britanike në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 tetor 1946;

2. Me unanimitet (16 vota pro) vendosi: Me veprimet e Marinës Britanike gjatë operacionit të datës 12-13 nëntor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, Britania e Madhe ka dhunuar sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe se ky deklarim i Trupit Gjykues përbën përmbushjen e pranueshme të detyrimeve.

Një vendim tjetër i kësaj Gjykate pasoj më datën 17 nëntor 1949.Shqipëria nuk kishte përfaqësues dhe vendimi i Gjykatës u mor pa asnjë debat:

Sans titre 4

Në 17 nëntor 1949, Gjykata e Hagës, mbështetur në vendimin e saj të datës 9 Prill 1949, mori në shqyrtim vlerësimin e masës së kompensimit që Republika e Shqipërisë i detyrohej Britanisë së Madhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara nga shpërthimet e datës 22 tetor 1946. Procesi nuk pati debat, pasi pala shqiptare nuk dërgoi përfaqësues gjatë shqyrtimit të çështjes. Fillimisht Trupi Gjykues shqyrtoi një letër të dërguar nga autoritetet shqiptare, e cila paraqiste opinionin e Qeverisë së Shqipërisë se përcaktimi i masës së kompensimit nuk ishte kompetencë e kësaj gjykate. Përkundër këtij pretendimi, trupi gjykues vendosi se “përcaktimi i masës së kompensimit është kompetencë e tij dhe se vendimi është i detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë”. Në vazhdim u operua me shqyrtimin e kërkesës së palës britanike, e cila e kishte detajuar pretendimin e saj në disa zëra, ku binte në sy kërkesa e Londrës për ta penalizuar vendin tonë me shumën 50.048 sterlina, vetëm në respekt të së vdekurve dhe të plagosurve gjatë incidentit të 22 tetorit 1946 në Kanalin e Korfuzit. Në përfundim të seancës trupi gjykues vendosi që Republika e Shqipërisë i detyrohej të kompensonte Mbretërinë e Bashkuar në masën 843.947 sterlina. Ishte kjo një shumë të cilën shteti shqiptar nuk e pranoi asnjëherë, ndërkohë që në asnjë rrethanë nuk pranoi dhe përgjegjësinë e incidentit të 22 tetorit 1946.

Vazhdon nesër …

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here