Imazhi

0

SHPEND GUDAQI

Politikat kosovare të pasluftës janë te ndërtuara mbi parimin e servilizmit dhe inferioritetit ndaj politikave ndërkombëtare. Politikani kosovar e kërkon miratimin e bashkësisë ndërkombëtare për ta legjitimuar veprimin e tij. Nuk është me rëndësi se si politkat e tij ndikojnë në jetën e qytetarëve. Euro-centrizmi është kompleksi nga i cili vuajnë politikanët dhe shumëherë edhe qytetarët si pasojë e propagandës pro-europiane, i cili shihet si destinacion pa ndonjë afat optimal i shoqerisë tonë.
Zhveshja nga autenticiteti socio-kulturor i shoqerisë tone duke ia mësyre Europës dhe vlerave të saja me hapa të paplanifikuar na ka lënë pa identitet. Homogjenizimi i vlerave tona me vlerat Europiane së paku pa liberalizim vizash është idiotësi e madhe. Është sikur të përpiqesh ta tjetërsosh veten duke e imituar dikënd tjetër që ti e konsideron superior në raport me veten tënde, por të cilin ti nuk e njeh për nga afër dhe nuk e ke pare kurrë; psh – një këngetar qe e ke idol! Shoqëria jonë është shoqëri në tranzicion, në kuptimin e transformimit të pozicionimit tonë pro-kapitalist nga ai komunist duke i përqafuar kështu vlerat perëndimore kapitaliste të cilat kërkojnë ridizajnim edhe të vlerave dhe ndarjeve shoqërore. Përshpejtimi jonë për ta përqafuar vlerën pa e njohur atë na ka lënë pa asnjerën nga të dyjat duke e bërë tranzicionin një proces të pafund!
Por duhet kuptuar se vlerat Europiane nuk janë njësi homogjene, ato janë të ndryshme. Jane origjinale, të ndërtuara historikisht dhe e respektojnë njëra tjetren duke e moderuar veten përgjatë udhëtimit historik për t’i evituar konfliktet qe mund t’i shkaktojnë diferencat mes tyre.
Si pasoje e interpretimeve të gabuara mbi vlerat europiane dhe ndërkombëtare ne s’po e gjejmë derën për në Europe. Dhe duket se as ata s’po duan të na e tregojnë atë derë, të na thonë që krejt çka duhet të bëni është te jeni autentik, ashtu si jemi: me një histori të pasur e të vjetër. Të ndihemi mirë në lëkurën tonë, për atë çka jemi, dhe të shkojmë në Europë po me këtë lëkurë tonën. Duket se edhe udheheqësve iu konvenon që qytetarët të jenë të zhveshur nga identiteti. Kështu do të jetë më lehtë që të përfitojnë nga loja me sentimentin qytetar. Inferioriteti i krijuar nga popujt e varfër ndaj vlerave europiane është gabim edhe i politikave të BE-se. Ata sikur e ngrisin vlerën dhe avansimin kundrejt tyre në një stad të paarritshëm për këta popuj duke e bërë më të lehtë nënshtrimin e tyre.
Politikanet kosovarë, të kompleksuar me idenë e Europës shpesh bëhen peng i saj në dëm të qytetareve. Dhe shpesh Europa përdoret si vlerë për t’a mbuluar aktivitetin e tyre kriminal, me raste edhe pjesemarrja e vet instrumenteve europiane në tërë këtë konjukturë kriminale nuk përjashtohet. Duket se vetem te kjo pikë Europianët dhe ne arrijmë në nivelin e një vlere të njëjtë.
Në këtë mënyrë pakënaqësitë e popullit shtypen duke e pretenduar Europën dhe imazhin tonë në sytë e tyre. Bile edhe protesta, edhe migrimi ilegal, edhe shprehja e çdo pakënaqësie të qytetarit që kërkon mbijetesë nuk është e rëndësishme para imazhit në sytë e Europës. Imponimi i vlerave europiane mbi qytetarët e uritur nga pushtetarët milionerë është ironia më e madhe që dikush mund ta bëjë. Në vendet e BE-së pakkush është i uritur dhe i paarsimuar, pakkush është i shkelur nga politika dhe institucioni i cili duhet të jetë me qytetarin, por që është me krimin. Ndoshta kjo është vlera Europiane që po e kerkoni ju politikanët. Ndoshta edhe e dini, por qëllimin e keni tjeter kund. Te pushteti dhe paratë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here