Identifikohen 28 persona të pagjetur deri tani, nga Rrezalla

0

Familjet nga Rrezalla e Skenderajt kanë pranuar sot certifikatat e identifikimit pozitiv të 28 trupave të gjetura në Rudnicë të Serbisë.
Eshtrat e këtyre të vrarëve gjatë luftës u gjetën vitin e kaluar në një varrezë masive.
Ato do të merren nga familjarët të dielën më 5 prill, kur edhe shënohet përvjetori i gjashtëmbëdhjetë i vrasjes së këtyre civilëve nga forcat serbe.
Për Ramadan Hotin që sot mori gjërat personale të babait të tij të identifikuar, dy orë plastike, një llullë, një shkrepsë dhe gjëra tjera, ishte një ditë shumë e rëndë.
Hoti, gjatë tërë kohës me lot në sy, kujton ditën kur iu vra babai.
“E kanë nda nga familja dhe e kanë pushkatu, pa gjyq, pa kurrgjë. I kanë varrosë me bager. Pas një muaji i kanë zhvarrosë dhe i kanë bartë në kamionë dhe i kanë nisë për në Prishtinë”, tha Hoti.
Familjet e 28 njerëzve që sot u identifikuan, u pajtuan që të mos i marrin rrobat e më të dashurve të tyre, pasi ato pritet të dërgohen në Arkivin e Kosovës për mbrojtje më të mirë.
Bedrije Hoti së bashku me motrën e saj po ashtu nënshkruan dokumentet për identifikimin pozitiv të babait Ukës dhe vëllait të tyre, Përparimit.
“Përparimi, pas gjashtë motrave, nuk i ka pas as 16 vjet kur e kanë zënë te dajtë në Rrezallë, sepse ne jemi të Morinës”, tha Bedrija.
Gjatë vitit të kaluar, 53 trupa janë gjetur në Rudnicë të Rashkës, në afërsi me kufirin e Kosovës dhe nga këto gjetje ka mbetur vetëm një trup pa u identifikuar.
Eshtrat e 24 personave tjerë nga ky grup do të merren javën e ardhshme, ndërsa janë të disa fshatrave të komunës së Drenasit.
Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore u bëri thirrje familjeve që kanë anëtarë të pagjetur që të japin gjak për analizë gjenetike.
“Bëj apel te familjet që nuk kanë dhënë gjak të na ndihmojnë për ta bërë këtë, sepse nuk lidhet me asnjë dhënës të gjakut nga familjarët”, tha Gërxhaliu.
Ai shtoi se departamenti ka në plan të vazhdojë punën edhe në dy lokacione tjera në afërsi të Rudnicës, pasi që janë edhe disa persona të zhdukur nga Rrezalla. /Kallxo.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here