Ia merr celularin vajzës së mitur, babai përfundon në burg

0

Kur Ronald Xhekson gjeti një mesazh për të cilin mendoi se ishte i rëndë dhe i papërshtatshëm në telefonin e vajzës së tij 12-vjeçare në shtator 2013, ai ia mori celularin së bijës. Por e ëma e vajzës, Mishel Stepe, kundërshtoi veprimin e ish-bashkëshortit.

Kur policët u shfaqën në derën e shtëpisë së Xheksonit më vonë gjatë asaj dite dhe kërkuan “iPhone 4”-n mbrapsht, burri nuk pranoi. “Në atë pikë mendova se policia nuk mund të ndërhyjë në aftësinë time për të qenë prind i sime bije”, deklaroi ai për mediet amerikane këtë të mërkurë.

Por ish-gruaja e tij këmbënguli që telefoni i përkiste asaj, dhe tre muaj pasi Ronaldi refuzoi t’ia kthente, atij i erdhi në e-mail një akuzë për vjedhje. Në janar 2014 burrit iu ofrua një ujdi pafajësie nëse pranonte ta kthente telefonin. Por ai e refuzoi propozimin, duke marrë një avokate për ta çuar çështjen në gjykatë.

Për habi të Xheksonit, ndaj tij u lëshua një urdhër-arrest. Rreth orës 02:00 të një mëngjesi prilli, policët i shkuan në shtëpi dhe i vunë prangat. “Për mua nuk kishte kuptim që ata të vinin e ta bënin të madhe diçka që ishte krejt e vogël”, tha Ronald Xhekson. “Nuk mund ta besoja se do të arrinin deri në këtë pikë vetëm për një celular. Nuk ishte e drejtë”. Ai pagoi 1500 dollarë si garanci dhe u lirua pasi kaloi një natë në qeli. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha avokatja mbrojtëse e Xheksonit, Kameron Grei.

Pas një gjyqi që zgjati vetëm dy ditë – në të cilin dëshmoi edhe vajza e Ronaldit, tashmë 15-vjeçare – një gjykatë e Dallasit e shpalli burrin të pafajshëm me arsyetimin se nuk ka fakte të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat për vjedhje.

Por e ëma e vajzës nuk është dakord me këtë vendim: “Edhe nëse blen diçka me paratë e tua dhe ke një faturë për këtë, sërish nuk të përket ty dhe dikush mund të ta marrë”.

Megjithëse Ronald Xheksoni e fitoi çështjen dhe iu lejua ta mbajë telefonin, ai tha se iu desh të ndahej nga bashkëshortja dhe e bija për shkak të këtij incidenti. “Nuk mund të kem më asnjë marrëdhënie me to”, tha ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here