I bind azilkërkuesit të punojnë pa pagesë, me premtimin për “t`ua bërë letrat”!

0

Një firmë pastrimi me seli në Bernë ka mashtruar azilkërkuesit, duke «i punësuar» pa pagesë, me premtimin se kështu «i fitojnë letrat», gjegjësisht lejen e qëndrimit B.
Firma, sipas kallëzimit penal që ndërkohë e ka bërë ndaj saj sindikata Unia, u ka premtuar së paku tre personave, njëri prej tyre me emrin Yusuf, nga Sudani Jugor, se do ta fitojnë vizën B nëse do të punojnë pothuajse gratis për të, transmeton albinfo.ch. Dhe kjo punë ka zgjatur disa javë, shkruan 20minutes.

Yusuf është me qëndrim në Gjenevë dhe ka vizën e përkohshme F.

Ish punëtorët thonë se përgjegjësit e firmës i kanë bindur se kjo mënyrë punësimi është pjesë e një praktike pa pagesë. Ndërsa sindikata Unia e cila e ka zbuluar rastin thotë se ndërmarrja në fjalë nuk ka mundësi që në rrugë legale të sigurojë leje qëndrimi për askë.

«Ndërmarrja ka abuzuar me njerëz të rrezikuar, të cilët nuk i njohin të drejtat e tyre», thotë sekretarja e sindikatës Camila Aros.

Sikur të mos mjaftonte kjo, tashmë ish punëtorët e mashtruar thonë se janë detyruar të punojnë përveç pa letra, edhe pa orar të caktuar dhe me orë të shumta përtej orarit normal.

«Brenda 40 ditëve i kam pasur vetëm 4 ditë të lira», thotë Yusuf.

«Më në fund një person që banonte me mua më bindi se këto kushte nuk janë të lejueshme dhe më trimëroi që t`i drejtohem sindikatës».
Përfaqësuesit e Unia-s thonë se firma e pastrimit «Top Clean» u ka ofruar punëtorëve pagesën «në dorë», pa dëshmi të rregullt page.

Yusuf ka bërë po ashtu kallëzim penal ndaj ish punëdhënësit, ndërsa Unia po e udhëheq rastin para Gjykates së Punës. Procedura ndërmjetësuese ka rezultuar e pasuksesshme, shkruan gazeta. Një pyetje që ajo i ka drejtuar firmës «Top Clean» ka mbetur pa përgjigje. Avokati i saj ka thënë se nuk ka ndonjë gjë për të deklaruar.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here