“Huffington Post”: Agjenda islamike e Turqisë në Kosovë

0

David Philips, në një shkrim autorial në “Huffington Post”, ka shkruar për angazhimin shtetëror të Turqisë brenda Kosovës. Sipas tij, politika turke në Ballkan promovon agjendë neo-otomane me qëllim zgjerimin e influencës në ish-territoret e Perandorisë Osmane.

Presidenti i Turqisë Reccep Tayyip Erdogan iu kishte adresuar audiencës në Prizren gjatë një vizite zyrtare në Kosovën në tetor të vitit 2013: “Të gjithë i përkasim një historie të njëjtë, një kulture të njëjtë, një civilizimi të njëjtë. Ne jemi vëllezër të asaj strukture. Mos harroni Kosova është Turqi, Turqia është Kosovë!”
Politika e Turqisë në Ballkan promovon një agjendë neo-otomane, që synon zgjerimin e influencës në ish territoret e Perandorisë Osmane. Turqia po eksporton islamizmin nën maskën e bashkëpunimit kulturor. Po ashtu, ajo synon avantazhin ekonomik duke përdorur bizneset si leva për të konsoliduar interesat e saj kombëtare.
Agjencia Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (TIKA) është mekanizmi parësor përmes të cilës Turqia avancon agjendën e saj ideologjike. TIKA është pararojë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), që mbështet formacionet e Vëllazërisë Myslimane në botë. TIKA drejton një strukturë paralele të politikës së jashtme në koordinim me Ministrinë e Kulturës në Turqi si dhe Kryesinë për Çështje Fetare për ta promovuar agjendën islamike të AKP-së.
TIKA operon nën maskën e një agjencie për mirëqenie sociale. Në Kosovë, mbështet më shumë se 400 projekte në fushën e agrikulturës, shëndetësisë dhe shkollimit. Shërbime shëndetësore të përballueshme ofrohet në Kosovë nëpër spitale e klinika turke, të sponsorizuara nga TIKA.
Pa marrë parasysh aktivitetin e saj intensiv, “Zëri” ka raportuar se Banka Qendrore e Kosovës ka regjistruar vetëm 2.7 milionë euro në xhirollogarinë e saj në Kosovë mes viteve 2009 dhe 2014. TIKA fondet e saj i transferon “cash” pa ndonjë procesverbal apo regjistrim bankar. Kjo organizatë nuk dëshiron të tërheq vëmendjen për veprimet e saj.
Shumica e fondeve të TIKA-s shfrytëzohen për të restauruar monumentet Osmane dhe për të ndërtuar xhami. Për shembull, TIKA mbështeti restaurimin e Varrit të Sulltan Muratit në Kosovë. Ka rindërtuar vendet religjioze otomane siç është Xhamia Fatih dhe atë Sinan Pasha, që kanë kushtuar 1.2 milion euro. Që nga viti 2011, TIKA ka restauruar rreth 30 struktura religjioze nga periudha osmane dhe ka ndërtuar 20 xhami të reja nëpër Kosovë. Vetë Erdogani është zotuar për fonde për ndërtimin e xhamisë më të madhe të vendit në Prishtinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here