Historia e Kurban Bajramit

0

Prejardhja (Sipas Wikipedias http://en.wikipedia.org/wiki/Eid_al-Adha )

Sipas traditës islamike, rreth katërmijë vjetë më parë lugina e Makës (ajo që sot përbën Arabinë Saudite) ishte një vend i thatë, shkëmbor dhe i pabanueshëm. Zoti e kishte këshilluar Abrahamin (ose Ibrahimin në Arabisht) të merrte gruan Haxhir (Hagar) dhe djalin e vetëm Ishmael (Ismail) që nga toka e Kanaanit dhe t’i sillte në Arabi

Kur pa se Ibrahimi po bëhej gati për t’u kthyer në Kannaan, Hagar e pyeti: “Po ne, po na le këtu që të vdesim? Zoti të ka dhënë porosi të na lësh këtu?” Ibrahimi iu kthye gruas përballë. Ndihej aq i mjerë sa s’fliste dot një fjalë. Bëri me dorë nga qielli, si për të thënë që këtë ia kishte kërkuar Zoti. Hagar i tha: “Mirë, atëherë, mund të shkosh. Zoti s’ka për të na shkuar dëm.” Megjithë sasinë e madhe të ushqimeve dhe ujit që iu kishte lënë Ibrahimi, shumë shpejt Haxhireja dhe Ismaili mbetën pa gjë dhe filluan të ndjejnë shenjat e etjes dhe urisë.

E dëshpëruar për ujë, Hagar iu ngjit dhe zbriti shtatë herë dy kodrinat e quajtura Al-Safa dhe Al Marwah. Më në fund, ajo u plas e rraskapitur në krah të foshnjes Ismail duke iu lutur Zotit për shpëtim. Për çudi, nga toka përpara këmbëve të foshnjes Ismail filloi të burojë një krua uji. Sipas disa rrëfimeve të tjera, uji nuk doli vetë, por e nxorri ëngjëlli Gabriel (Xhibrail) që e goditi tokën fort dhe bëri të dalë ujë me shumicë. Gjithë ai ujë, që njihet si Pusi Zamzam, jo vetëm që ua shuajti etjen, por edhe iu mjaftoi për ta shkëmbyer atë me ushqim me endacakët që kalonin aty pari.

Disa vjet më vonë Ibrahimi mori udhëzime nga Zoti që të kthehej nga Kanaani dhe të ndërtonte një faltore pranë pusit të Hagar (Pusit Zamzam). Ibrahimi dhe Ismaili ngritën një ndërtesë prej gurësh dhe llaçi – e njohur si Kaaba – që do të bëhej vendi ku mblidheshin të gjithë ata që kërkonin të forconin besimin te Zoti. Me kalimin e viteve, Ismaili mori statusin e profetit (Nubuwwah) dhe ishte ai që do t’i jepte bredharakëve të shkretëtirës mesazhin e nënshtrimit ndaj Zotit. Shumë shekuj më vonë, në sajë të burimit të saj të pashterrshëm të ujit, pusit të Zamzamit, Meka do të kthehej në një qytet shkretëtire të lulëzuar dhe një qendër e rëndësishme tregëtare.

Një nga provat më të forta në jetën e Ibrahimit ishte kur atij iu desh të zbatonte urdhërin e Zotit për t’ia përkushtuar atij pronën e tij më të shtrenjtë, djalin e vetëm. Me ta dëgjuar urdhërin ai u bë gati t’i nënshtrohej vullnetit të Zotit. Në kohën kur po bëhej gati, Satani (Shejtani) u përpoq ta fuste në ngasje Ibrahimin dhe familjen e tij, duke kërkuar t’i bindte që të mos e zbatonin urdhërin e Zotit. Por Ibrahimi e dëboi Shejtanin duke i gjuajtur me plisa. Në kujtim të mohimit të Shejtanit, një nga ritet e Haxhit është që njerëzit iu gjuajnë me plisa disa shtyllave që simbolizojnë Shejtanin.

Kur Ismaili ishte rreth 13 vjeç (dhe Ibrahimi 99), Zoti vendosi që t’ua vinte publikisht në prove besimin. Ibrahimi filloi të shihte herë pas herë të njëjtën ëndërr, në të cilën Zoti e urdhëronte që ky t’ia ofronte djalin e vet si sakrificë – një veprim i papërfytyrueshëm – pra të sakrifikonte djalin e vet të vetëm, që Zoti ia kishte dhënë pas gjithë atyre viteve lutjeje. Abrahami e dinte që ëndrat e profetëve kanë frymëzim hyjnor dhe se ato përbënin një nga mjetet me të cilat Zoti komunikonte me profetët. Kur e kuptoi qartë se çfarë domethënie kishin ëndrrat, Ibrahimi vendosi ta vinte në jetë urdhërin e Zotit dhe ta ofronte Ishmaelin për sakrificë.

Megjithëse ishte gati të sakrifikonte gjënë më të shtrenjtë për hir të Zotit, ai s’mund të shkonte dhe ta tërhiqte të birin zvarrë deri te vendi i sakrificës pa miratimin e tij. Duhej biseduar edhe me vetë Ismailin nëse ky do të ishte i gatshëm që të hiqte dorë nga jeta për t’i plotësuar urdhërin Zotit. Kjo bisedë do të ishte një provë e madhe e pjekurisë së besimit, dashurisë dhe përkushtimit të Ismailit për Zotin, e gatishmërisë për t’i shërbyer të atit dhe për të sakrifikuar jetën e vet për hir të Zotit.

Ibrahimi ia paraqiti çështjen të birit dhe e pyeti se ç’mendonte ai për ëndrrat që ky kishte parë për therrjen e tij. Ismaili nuk tregoi asnjë shenjë ngurrimi apo prapamendimi, qoftë edhe për një çast të vetëm. Ai tha: “Baba, bëj atë që të kanë urdhëruar të bësh. Mua do të më kesh gjithmonë të qetë dhe të duruar, Inshallah.” Përgjigja e tij e pjekur, kuptimi i tij i thellë i brendisë së ëndrrave të të atit, përkushtimi ndaj Zotit, dhe së fundi gatishmëria e tij për të sakrifikuar jetën e tij për hir të Zotit ishin të papara.

Ibrahimi nuk duronte dot ta shihte të birin duke vdekur, prandaj edhe mbuloi sytë. Kur ia preu fytin Ismailit dhe hoqi shaminë me të cilën kishte zënë sytë, ai u habit që pa Ismailin aty pranë të paprekur dhe, në vënd të tij, ishte shtrirë i ngordhur një dash të cilin ai vetë sapo e kishte therrur. Me gatishmërinë për të vënë në jetë urdhërin e Zotit Ismaili e kishte kaluar provën.

Si shpërblim për sakrificën, Zoti i dha Ibrahimit lajmin e gëzuar të lindjes së djalit të tij të dytë, Isakut.

Ibrahimi kishte vërtetuar se dashuria për Zotin i tejkalon të gjitha: se ai ishte i gatshëm të jepte edhe jetën e vet, edhe jetën e njerëzve të tij më të dashur si shenjë nënshtrimi ndaj urdhërit të Zotit. Muslimanët e përkujtojnë çdo vit këtë vepër sakrifice përmes Kurban Bajramit.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here