Himn mbi lirinë

0

SALAJDIN SALIHU

Amerika është model i lirisë dhe demokracisë. Populli amerikan ka bërë sakrifica të panumërta në këtë rrugëtim, duke u udhëhequr nga vlerat më fundamentale të njeriut: lirinë, dinjitetin dhe prirjen drejt lumturisë.

Deklarata e Pavarësisë është edhe himn mbi lirinë. Janë të gjithëkohëshme dhe mbresëlënëse fjalitë: “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.

Kjo Deklaratë është bërë frymëzuese edhe për kombet dhe qytetarët tjerë të botës, teksa janë përballur me nëpërkëmbësit e dinjitetit njerëzor, me abuzuesit e pushtetit, që minojnë pikërisht vlerat më të larta të shpirtit të lirë. Pra: jetën e njeriut – si “vlerë e pakufishme”, që s’mund t’i vëmë asnjë çmim; lirinë – si gjendje aktive, që kërkon përgjegjësi të përhershme; kërkimin e lumturisë, si prirje e përhershme e njeriut të lirë së brendshmi; demokracinë –  që i mundëson çdo njeriu të jetë mendjetjetërs.

Si shqiptarë kemi ndjeshmëri të veçantë dhe adhurim për Amerikën e popullin amerikan. Shpesh e theksojmë këtë adhurim dhe këto nuk janë fjalë kurtuazie, as shprehje serviliteti. Ky adhurim është mirënjohje e thellë për shpëtimtarin në çastet më të vështira. Mirënjohja është detyrim moral.

Sipas Ismail Kadaresë, “në fillim të shekullit XX me diplomacinë e vet, në mbarim të shekullit me armët e veta, në fillim të shekullit XXI me vendosmërinë e vet të admirueshme, SHBA-të e ndihmuan si askush këtë komb të qëndrojë në këmbë. Ç‘arsye tjetër mund të kërkojë një popull për të qenë mirënjohës?”.

Kombet e vegjël nuk i harrojnë gjërat e trishta që u kanë ndodhur përgjatë historisë, madje i zmadhojnë, për të dëshmuar vuajtjet e tyre. Por ata nuk guxojnë që t’i harrojnë veprat madhështore e humane të atyre që ua zgjatën dorën e shpëtimit teksa shkonin drejt humnerës. Shqiptarëve gjithmonë u ka ardhur mbrojtja nga Amerika, prandaj është i mallkuar çdokush që shpreh ndjenja mosmirënjohjeje ndaj kësaj vepre humane.

Për njerëzit e mendimit adhurimi për Amerikën është kod, vlerë eprore dhe e shenjtë. Është diçka që ne shqiptarët duhet ta kuptojmë: Amerika përherë ka dashur që ne të punonim jo për Amerikën, por për vetveten, gjithnjë duke respektuar vlerat më të larta të lirisë dhe demokracisë, ashtu sikurse na e thotë dhe Deklarata e Pavarësisë, ku kanë hedhur firmat emrat që janë bërë pjesë e përgjithmonshme e historisë së botës…

Të njohësh Amerikën nuk është e thënë me patjetër ta kesh vizituar. Amerika vjen te secili që e respekton thelbin e përpjekjeve dhe idealin e saj për lirinë; këtë ideal joshës dhe të keqkuptuar që, sikurse na e thonë shumë mendimtarë, gjen strehim në histori. Kjo sepse liria mbetet e vështirë, ngase kërkon investim të përhershëm të individit dhe të komunitetit dhe kundërshtim të përhershëm të pasivitetit. Kërkon triumfin e vullnetit për liri, që siguron jetë të dinjitetshme, kundër vullnetit për nënshtrim.

Të njohësh Amerikën do të thotë ta konceptosh “demokracinë si institucionalizim të lirisë”, kurse njeriun si qenie që mendon, që bëhet përgjegjës për lirinë e tij dhe përpiqet të gjejë ide të reja, të mbrujtura me humanizëm; sepse mungesa e ideve çon në robëri dhe përbuzje.

Ta njohësh Amerikën do të thotë ta zbulosh në vetvete frymën e përpjekjeve të saj për integrim nëpërmjet patriotizmit konstitucional dhe jo nëpërmjet një nacionalizmi homogjenizues dhe ksenofobik.

Ta njohësh Amerikën do të thotë të zbulosh në vetvete modelin që mundëson zhvillimin e pluralitetit të identiteteve të ndryshme; ku kulturat e ndryshme, sikurse thotë Matvejeviq, përligjin vetveten dhe shprehin identitetin e popujve që u përkasin, për aq sa arrijnë të lidhen me kulturat e botës; për aq sa janë pjesë e “koalicioneve” ndërkombëtare; për aq sa arrijnë të çlirohen nga mitet e rrejshme dhe nga ksenofobia.

Të njohës Amerikën do të thotë të udhëhiqesh nga fryma e tolerancës, respektimit të dallimeve kulturore, respektimin “e tjetrit”.

Të njohës Amerikën do të thotë të njohësh thelbin e demokracisë – mundësinë që secili individ të shpreh vetveten. Bazat e kësaj Amerike i gjejmë në Deklaratën e Pavarësisë.

Modeli i lirisë e demokracie nuk është formësuar brenda natës. Për këtë model kanë kontribuuar mendjet më të ndritura, që kanë rrezatuar fuqishëm në sfera të ndryshme: në art, në kulturë, në politikë etj.

Prijësit amerikanë e kanë pasur lirinë si pikën kryesore referuese në veprimin e tyre politik. Abraham Linkolni, në një nga fjalimet e tij, mes tjerash shprehet: “Robëria buron nga egoizmi brenda natyrës njerëzore, kurse kundërshtimi i saj buron nga dashuria ndaj natyrës. Çka është ajo që i jep të drejtën një njeriu të robërojë njeriun tjetër dhe ta quajë si rob të tij, kur Zoti na krijoi si të njëjtë para fytyrës së Tokës?”

Janë fjalë që na motivojnë të punojmë përherë për lirinë, si ideal i njerëzve që mendojnë e veprojnë për këtë qëllim.

Neve na mbetet që me dashurinë e pashoqe ta përsëritim përherë: Zoti e bekoftë Amerikën, e cila na qëndroi pranë edhe kur të gjithë na kishin braktisur!

Portalmb.mk

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here