Hill përmes një shkrese thotë se ndihet i nderuar të jetë “qytetar nderi” i Malishevës

0

Malisheva e ka shënuar sot Ditën e Lirisë dhe të Dëshmorëve. Në një seancë solemne të Kuvendit Komunal, kryetari i Malishevës Ragip Begaj ka përkujtuar se shpallja e Malishevës “Zonë e Lirë” në vitin 1998 e bëri Malishevën të njohur në tërë botën. “Ne duhet t’u jemi mirënjohës të gjithë atyre që morën vendimin për të shpallur Malishevën zonë të lirë, të gjithë atyre që formuan Drejtorinë Civile të UÇK-së në këtë zonë, atyre që themeluan në këtë zonë mediat e para të lira, vendimit për vendosjen e SHP të UÇK-së në zonën tonë”, ka theksuar ai.

“Si rezultat i kësaj lufte, si rezultat i krijimit të këtyre institucioneve vendore, në këtë pjesë, u vendosën edhe misionet e ndryshme diplomatike, si Zyra e Misionit Diplomatik Amerikan në Kosovë (KDOM), në Dragobil, që me të drejt konsiderohej edhe si ambasada amerikane në Kosovë, pastaj prezenca e misionit të OSBE, si dhe prezenca edhe e medieve më të fuqishme botërore. Këtu u zhvilluan pothuajse të gjitha takimet mes Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me misionet ndërkombëtare dhe ambasadorët e dërguar për ndërmjetësim”, ka kujtuar Begaj duke shprehur nderim për dëshmorët, nga i pari Imer Krasniqi e deri tek i fundit, Mentor Gashi.

Në seancën solemne të KK-së kanë qenë të pranishëm edhe anëtarë të familjeve të dëshmorëve si dhe 2 depuetetët e zonës, Enver Hoti nga Nisma për Kosovën dhe Albulena Haxhiu-Krasniqi nga Lëvizja Vetvendosje.

Në Manifestimin Qendror me rastin e festës së Malishevës ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, Enver Hoti dhe Haxhi Shala, delegacioni nga Turqia, shoqatat e dala nga lufta, “Miqtë e Amerikës” dhe shumë personalitete tjera.

Në fjalën e rastit, Ambsadori Minxhozi, ka thënë se “Malisheva e vogël me peshë të madhe ka lënë gjurmë në historinë tonë, në mënyrë të veçantë në luftën e lavdishme të UÇK-së. Për liri duhen vepra, e kërë e bëri më së miri populli shqiptar dhe UÇK, e cila bëri një luftë të madhe që solli drejtësinë në vend”.

Deputeti Fatmir Limaj, ka thënë se 16 qershori, duhet të jeët një festë për të gjithë të rënët në të gjitha kohët.

Kryetari i Komunës së Orhangazit, Heset Çaglajan, komunës së binjakëzuar me Malishevën ka shprehur kënaqësinë e tij që gjendet në Malishevë, në këtë ditë të rëndësishme për këtë komunë, duke festuar së bashku me popullatën lokale.

Më rastin e Ditës së lirisë së Malishevës çmimi për trimër dhe heroizëm “Imer Krasniqi, ju nda Skënder Hotit dhe Isë Hoxhës, çmimi për kontributin e dhënë në arsim “Hamdi Berisha”, ju nda Iliaz Zogajt dhe Mihriije Bytyçit dhe çmimi për kontribut në shëndetësi ju nda Selim Krasniqit dhe Afrim Krasniqit.

Në këtë manifestim, u lexua edhe vendimi për shpalljen “Qytetar Nderi” i Malishevës për Christopher Hill, e   me këtë rast, në pamundësi të prezencës së ish ambasadorit Hill, kryetari shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, e ka lexuar një deklaratë të Christopher Hill, lidhur me dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Malishevës. Në letrën e Hillit, dedikuar ditës së sotme, thuhet: “Është nderë të jem qytetar i një qyteti që pagoi një çmim kaq të shtrenjtë që kosovarët të gëzojnë lirinë tani. Jam shumë i prekur nga gjesti juaj gjentil dhe bujar. Për fat të keq, nuk mundem të marr pjesë fizikisht me 16 qershor, por ju siguroj se do të jem atje me shpirtin tuaj”.

Pas manifestimit qendror, në Parkun e Qytetit, është bërë zbulimi pllakës përkujtimore me emrat e të gjithë të vrarëve nga forcat e armikut, gjatë periudhës së luftës 1998-1999.

Për nderë të 16 qershorit, Ditës së Çlirimit dhe Dëshmorëve të Malishevës, edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë, ka bërë homazhet tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe tek varrezat e Dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë.
Pjesëmarrës në homazhe përveç aktivistëve të Qendrës, Anëtarëve të Kuvendit Komunal, ishte edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përcjellë urime tek të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, për këtë ditë feste, duke uruar që të përjetësojmë amanetin e Dëshmorëve të Kombit!
Ndërkaq subjektet tjera opozitare kanë qenë bashkë me partinë në pushtet në organizimet me rastin e ditës kryesore të Malishevës.

VV

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here