Hiç-Publika

0

JETLIR BUJA

1. Karikatura e Republikës

 Qenia mund të ekzistoj vetëm e realizuar – thotë Ortega y Gasset. Në rastin e Republikës, që etimologjikisht përkthehet si “qenie publike”: publikja është jopublike nëse nuk realizohet.Republika është Jorepublikë. Liria është Joliri.

Është e kjartë: publikja në Kosovë është e dërrmuar. Nuk është në realizim e sipër. Është në dërrmim e sipër. S’ prodhon më dashuri, revoltë e veprim. Qenëson e harruar, jashtë shpirtit tonë. E padashur, e përbuzur, e shpërfytyruar aq shumë sa… s’ njihet më.

Emri i shkruhet në ndërtesa institucionesh, por ajo s’ është brenda. Brenda është një grup punëtorësh që s’ kryejnë punë e marrin rrogë. Por edhe korruptohen. Shpirti i Republikës, u shkëputë nga trupi i gjymtuar me organe të shitura e të rrënuara. Ky shpirt jeton me disa ide tjera(të internuara), diku në ishujt e largët të mendjes sonë kosovare. Por një ekzistencë jo-shpirtërore s’ ka pikë vlefte. Andaj, trupi vijon t’i gjymtohet e pasuritë t’ i shiten.

Retro

Para 1999-ës nuk ekzistonte asnjë ndërtesë ku shkruhej: “Republika e Kosovës”. Publikja jonë ishte e zaptuar. Trupi i Republikës, ishte i burgosur. Por shpirti i saj ekzistonte tek njerëzit. Ai shpirt frymëzonte njerëzit të realizoheshin si qenie. Të lidheshin me njëri-tjetrin dhe identitetin e tyre të përbashkët. Padyshim, Sërbia nuk e pengonte asnjërin prej nesh që të ikte nga Kosova, e të bëhej kapitalist në Perëndim. Atje ku lidhej me trupa Republikash tjera, por kurrë me shpirtin e tyre. Por ne s’ ikëm që s’ ikëm. E deshëm Republikën tonë. Donim të rrinim bashkë, e t’ i jepnim qenie shpirtit të Republikës, edhe pse fashistët na pështynin surratin, na rrihnin, na vrisnin e në fund na pëshurrnin varret… Ne ngulëm këmbë në baltën e këtij vendi. Donim që fryma e përbashkësisë të shkrihej në shtetin tonë. Dhe kjo dëshirë, na përngriste si qenie. Me Republikën në mend, shumë mësimdhënës punonin edhe pa rrogë, para lufte. Shumë njerëz të tjerë, i futnin në shtëpitë e tyre studentët dhe profesorët e asaj kohe, të dehur nga dëshira për zhvillim.

Por megjithëse e fituam luftën, e me këtë edhe lirinë… ne e përzumë Republikën nga shpirti ynë. U zvetënuam përnjëherë. Republika s’ lindte dashuri në zemrat tona… sepse s’ ishte më aty.

Menjëherë pas lufte, një mbishkrim i çuditshëm u shfaq nëpër banesa e lokale(kryesisht të pakicës sërbe) të Prishtinës: “Mos e prek… UÇK”. Privatja nisi t’ i joshte njerëzit më shumë. Publikja dukej e shëmtuar. Kështu nisi vjelja e përfitimeve, nisi një luftë e skëterrshme për pushtet. Kosova gëlonte nga oportunistët. Shumë politikanë u thirrën në vlerat e luftës, për të zënë karriget e pushtetit, që të zbukuronin edhe më privaten e tyre.

Shoqëria kosovare duhej të votonte njerëz që nuk e përfaqësonin. Por meqë s’ kishim përvojë në menaxhimin e Republikës, dhe duke qenë tmerrësisht të lodhur nga lufta e përpështjellimi që ndodhte atëkohë, vendosi t’ ua linte në dorë duke shpresu që Republika të shërohej, të mëkëmbej. Gjithëkujt i ra në mend pyetja: “Nga erdhën këta njerëz?” por askush nuk e nxori nga gurmazi përgjigjjen. Dhe jopërfaqësuesit siç pritej… s’ ia varën kurrkujt. E shfrytëzuan Republikën tonë për Privaten e tyre. Pak-ngapak e zvetënuan idenë dhe dëshirën për Republikë tek shoqëria jonë.

Nga burgu i Sërbisë, Republika u fut në burgun e përbashkët të shfrytëzuesve të saj. Brenda të cilit, ndodhet e burgosur edhe sot. Por ne s’ bëjmë as përpjekjet më minimale që t’ a çlirojmë. Jemi pajtuar me Hiç-Publikën… ose më mirë, me “publiken e hiçësueme”. Jemi pajtuar që Privatja të shtrijë egërsinë e saj, kudo. Pak-kujt i bën përshtypje shitja e përngutshme e ndërmarrjeve publike. Apo edhe rrënimi i të tjerave. Protestat janë të rralla, e njerëzit e protestës të paktë. Pakënaqja në rritje e njerëzve mbetet e paorientuar, nuk i adresohet askujt. Ose derdhet drejt vetë Republikës. Shpirti kosovar, është lakmiqar. Me ngjyra lakmie dhe inati e karikaturon Republikën… se ideja e pastër, e dikurshme i ka hupë. Me po këto ngjyra e karikaturon lidhjen e tij me të tjerët. Kjo lidhje është bërë krejtësisht egoiste këto ditë. Me të njëjtat ngjyra karikaturon vlerat e reja ‘moderne’ që i përgjigjen skajshmërisht nevojave të tij. Pa pikë mirëkuptimi për publiken, shoqëria jonë është bërë seksiste. Radikalisht seksiste. Kështu, jemi bërë posikur shoqëria ruse e viteve 1860-të, e përshkruar nga Dostojevski: gëlltisim vlerat perëndimore pa i shijuar e përjetuar.

Sidoqoftë, protesta e fundit ishte e madhe. Morën pjesë mijëra vetë, të bindur se po luftonin për të mirën e Republikës. Shkatërrimet që u bën, u justifikuan me shkatërrimin e madh, që po e bënte Qeveria. Pra, qeveria shkatërron shumë… e këta pak. Këta po shkatërrojnë pak, që t’ a sjellin një gjendje thellësisht të ndryshme. Shkatërrojnë që t’ a rikthejnë dinjitetin… që t’ a vënë popullin në krye. Pallavra. Populli është në krye. Por një gjë duhet kuptuar para së gjithash: njeriu është qenie e papërkryer, e kufizuar… dhe këtu s’ është fjala veç për kosovarë. Të gjithë njerëzit janë të këtillë. Dhe si të këtillë nuk mund të krijojnë kurrë një rend të përkryer politik. Ajo që synojnë shoqëritë europiane, është një rend më i mirë politik… jo i përkryer. Një rend që s’ e përligj asnjë shkatërrim. Një rend që përparon përmes kthjelltësisë, e jo përmes tymit. Një rend që kërkon të dëftoj e dokumentoj ‘shkatërrimet’. T’ ia bëj(dhe të dijë si t’ia bëj) të qarta popullit… i cili duke qenë lojal dënon me votë.

Por këtu kemi të bëjmë me një karikaturë tjetër të Republikës: një karikaturë me trajta religjioze. Karikaturë tepër e shëmtuar. Dhe shumë e dëmshme. Republika s’ ekziston dhe s’ mund të ekzistoj si parajsa e librave të shenjtë. As këta që po e shkatërrojnë s’ janë djaj. As ata që po akuzojnë duke shkatërru s’ janë engjëj. Krejt kjo s’ është komedi hyjnore… por njerëzore. Këtu ekzistojnë njerëz që s’ mund të ndryshohen menjëherazi. Njeriu në Kosovë, për një natë mund të bëhet milioner… por jo qytetar i ndërgjegjshëm. Duhet kohë. Prandaj, duhet t’ a pranojmë vullnetin e tij, zgjedhjen e tij. Ndryshe, s’ ka asnjë kuptim dashuria për vendin… s’ ka asnjë kuptim dashuria për Republikën pa respektin për njerëzit dhe gjendjen e tyre: mendjen fragmentare dhe rrethanën e kufizuar. Korrupsioni, krimi i organizuar e dukuritë e tjera negative luftohen veç përmes një pune sistematike e konkrete në gjëra konkrete. Të kujtojmë gjetjet e gazetarëve Besnik Krasniqi për rektorin e mëparshëm të UP-së, ose ato të Vehbi Kajtazit për Euleksin. Veç kështu ecet përpara.

2.Karikaturimi i cilësive, vlerave, kritereve. Kafshërizimi

Mësimdhënësit duan rritje të mëtejme rroge. Nuk ka asnjë rëndësi nëse Kosova strehon edhe treqind mijë njerëz të papunë: që s’ marrin asnjë rrogë, që s’ bëjnë asnjë punë, që s’ kanë kurrëfarë perspektive. Për këta, nuk ka asnjë rëndësi që rrogat në sektorin privat janë dyfish më të ulta. Dhe ç’është më e keqja, s’ duan as të dëgjojnë që rritja ekonomike e shtetit tonë, ishte tepër e ulët në vitin e kaluar: dikund 2,5 përqind. Kjo krizë e rëndë ekonomike që po e nxitë shumëkë t’a braktisë shtëpinë, tokën, familjen e sidomos Republikën, meriton vëmendje. Këta mësimdhënës, disa prej të cilëve dikur punonin edhe pa rrogë, duhet të kuptojnë që Shteti duhet t’ iu ofrojë ndihmë edhe pjesës së njerëzve me gjendje shumë të rënduar ekonomike. Për më tepër që, shumë prej mësimdhënësve janë përgjegjës për nivelin tmerrësisht të ulët arsimor që ka një pjesë e konsiderueshme e nxënësve. Po biem dalë-ngadalë drejt një humnere të thellë që quhet animalizim ose kafshërizim i shoqërisë.

Kriteret janë ulë përtokë. Është dërrmu cilësia e Publikes. Po kështu edhe privatja s’ ngurroi t’ i përgjigjej kërkesës… kërkesës për lehtësi në studime: uljes së cilësisë, uljes së kritereve. Faji për këtë ‘kafshërizim’ nuk duhet të shpërndahet. Secili prej mësimdhënësve është ‘zot’ i orëve mësimore. Secili ka mundësi të bëj punë të mirë. Andaj, është e domosdoshme të themi që shumë prej tyre janë pjesëmarrës në riburgosjen e Republikës. E Republika nuk nënkupton krijimin e një mirëqenieje, në të cilën ne do të kënaqeshim si në parajsën e lartpërmendur. Kjo është absurde. Republika duhet të konceptohet si një lëvizje e përhershme, si një përparim i përhershëm. Tekembramja, ajo që na dallon prej kafshëve është pikërisht mundësia që të lëvizim prej pozicionit aktual. Mundësia që të përparojmë vazhdimisht. Mundësia që të përmirësohemi. Mundësia në vetëvete. Kafshët s’ kanë mundësi. Kafshët s’ kanë Republikë. Kurse ne, po i lakmojmë. Ne po heqim dorë prej Republikës, prej mundësive… ne po kafshërizohemi dhe kjo s’ ka të bëj me kapitalizmin sa me arritjen e një kohe kur njeriu është bërë i huaj për vetëveten. Ky njeri… i zhytur në trendet teknologjike po e privatëson trishtimin e tij. Pikërisht për këtë trishtim, dalin kohë-pas-kohe, modele të reja telefonësh, e pajisjesh tjera elektronike që megjithëse të reja, s’i kapërcejnë funksionet bazike. Tashmë, këta njerëz që s’ i përkasin vetëvetes aq sa prodhimeve teknologjike të kohës duan hic et nunc-un. Dimensioni i ardhmërisë, karakteristik për njerëzit po prishet. Askush s’ ia varë të ardhmes… përveç të ardhmes së afërt, konkrete. Jemi bërë shoqëri radikalisht seksuale, radikalisht konsumeriste.

Në mungesë të Republikës ose në mungesë të një konceptimi mbi të përbashkëtën edhe arsimi publik është privatësuar. Ja pse veteranët kërkuan ‘memorandumin e mirëkuptimit’ megjithë dyshimet me të cilat përballej aktiviteti i tyre. Ata synuan që me forcë t’ i hiqnin ato dyshime. Donin me çdo kusht të mirëkuptoheshin. Pra, regjistrimi në fakultet konceptohet si investim. Qëllimi i regjistrimit qëndron në përfitimin material. Mësyhet thjesht punësimi. Mësyhet ngritja e përngutshme e kapitalit vetjak. Mungesa e një shpirti republikan krijon një marrëdhënie jospontane me shtetin: marrin por s’ japin. Dhe megjithëse nuk japin asgjë, kërkojnë shumë prej tij. S’ ndalen së derdhuri mllefin drejt vetë shtetit. Ah ky shtet i poshtër!

3.Valsi i Zymtësisë

Hiç-publika po e vetmizon njeriun e shoqërisë sonë. Ky nuk lidhet spontanisht me të tjerët. Lidhja e tij bazohet në interesa egoiste. Një shpirt steril, kërkon veç kënaqje momentale. S’ ka asgjë të përbashkët, së cilës i dedikon respekt e dashuri. Kufijtë e botës së tij janë kufijtë e dëshirave të tij. Prandaj, steriliteti i shpirtit mbështetet në këtë rrudhosje e në këtë kufizim bote. Një botë që del përtej dëshirave, një botë që përpështillet me kaosin, do t’ i jepte mundësi kreativitetit. Niçja porositi diku: “Të duhet kaos në shpirt, që t’i japësh lindje një ylli shndërritës”. Meqë ra fjala, Niçja s’ do të pajtohej me këtë shkrim.

Shoqëria jonë është e përbërë nga vetmitarë të trishtuar. Kosova është vend ku zymtësia të zë frymën. Vrasjet, vjedhjet, haraqet, ndotja e lumenjve, rrugëve, parqeve nuk ndjellin më interes. As një hajdut, një vrasës, një profesor me rreptësi jointelektuale, një kapitalist i pashkollë… e madje as një protestues i dhunshëm(nga dëshpërimi) nuk janë më personazhe që zgjojnë kërshëri. Kjo sepse, këto tema e personazhe po përsëriten pambarimisht. Askush s’ do të donte që të shihte, e lëre më të ishte pjesë e një drame që luhet pafund. Mbase shumë prej njerëzve që ikën muajin e fundit nga Kosova, thjesht deshën të shihinin diçka tjetër. Të dilnin nga kjo zymtësi. Të përjetonin gjëra më interesante.

Rrjetet sociale nuk e përmbushin shpirtin tonë. Këto e karikaturojnë sërish Republikën. Dëftojnë nevojën e pashmangshme për lidhjen me të tjerët. Nevojën për gjetjen e çdokushtshme të një skute ku kryhen ‘veprimtari publike’… megjithëse virtuale, megjithëse të simuluara. Tekefundit, e gjithë bota virtuale është e simuluar. Rrjetet sociale të bëjnë shok, në një vend ku s’ ka shokë.  E madje, edhe lojërat kompjuterike simulojnë situata ku mund të bëhesh polic, kriminel, menaxher futbolli, farmer e madje edhe prijës shteti. Sidoqoftë, këto mbeten të huaja për njeriun e shoqërisë sonë. S’ arrijnë t’ ia fashisin trishtimin e madh. S’ arrijnë t’ ia ndërrojnë realitetin e zymtë. Do të duhen lojëra të reja, aplikacione të reja, telefonë të rinj, vetura të reja për trishtimin që s’ hiqet që s’ hiqet.

Vals zymtësie është jeta e njeriut të shoqërisë sonë. Vals i kompozuar nga Hiçpublika. I luajtur me mjeshtëri nga shpirti i tij jokrijues, steril. Veç duke i dhënë kuptim, rrethanshmërisë sonë mund t’ ia dalim të ndërtojmë një perspektivë origjinale. Veç duke u marrë me ‘logoset’ e gjërave, përftojmë ngjyra më të çelura, për realen tonë të përhirtë. Ku është logosi i të përbashkëtës? Epo duhet të kuptojmë që, deshëm s’ deshëm, njeriu është qenie shoqërore… duhet të përftoj një sferë më vitale publike. Njeriu është qenie që duhet të ketë marrëdhënie me publiken, madje edhe nëqoftëse i thotë vetes: individ e kapitalist.

Nëse harron faktin që është trashëgues i një ‘investimi’ dashurie, sakrifice e vuajtje por edhe frike siç thoshte Hobsi që thirret Shtet, ai duhet të harroj edhe jofaktin, besimin që mrekullitë do t’ ia zgjidhin problemet. Por në fakt është e njëjta gjë, të besosh se shteti bën mrekulli, nënkupton të mos besosh fare në shtet por krejt në tjetërçka.

Protestuesi paqësor kundër Jabllanoviqit

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here