Hetimi për çështjen “Doshi”, Meta deklaron që nuk është person i akuzuar zyrtarisht

0

Pas ftesës së djeshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i pari nga zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar që është paraqitur sot për të dhënë deklarimin tij për çështjen “Doshi” është kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Meta është paraqitur rreth orës 8:00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shqipërisë, për të dhënë deklarimin e tij në kuadër të hetimeve për çështjen “Doshi”. Kujtojmë se kreu i Kuvendit Ilir Meta iu përgjigj pozitivisht që mbrëmë ftesës së Prokurorisë, duke deklaruar se është i gatshëm të paraqitet në këtë institucion.

Meta pas përfundimit të deklarimeve të tij në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka dhënë një prononcim për mediat të cilat kanë paraqitur një interes të lartë për këtë çështje, duke theksuar se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë nga ky institucion.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, ka pohuar se është i gatshëm në çdo moment për të qenë në dispozicion të prokurorisë, në mënyrë që të bashkëpunojë me këtë institucion për hetimin plotë të kësaj çështjeje. “Kam shprehur gatishmërinë time të bëj ballafaqim në prokurori me të dy akuzuesit e mi, me deputetin Tom Doshi dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Jam këtu për të mbështetur hetimin në mënyrë transparente”- ka theksuar Meta menjëherë sapo ka dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ndërkohë ftesë për të dhënë deklarime sot kanë marrë zyrtarisht edhe Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Nga informacionet paraprak bëhet e ditur se Tahiri do të paraqitet rreth orës 10:00 në Prokurori, ndërsa Kryeministri Rama rreth orës 12:00.

Përveç drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar për të dhënë deklarime, Prokuroria për Krime të Rënda ka ftuar për të dëshmuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, deputetët e Kuvendit Mark Frroku dhe Mhill Fufi, si dhe ish-Drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beci. Prokuroria për Krime të Rënda e konsideron të rëndësishme për hetimin e plotë të këtij rasti, marrjen e dëshmive nga ana e disa zyrtarëve dhe shtetasve të tjerë, për të cilët deputeti Tom Doshi është shprehur se kanë dijeni për hetimin rreth çështjes për tentative të vrasjes së tij.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here