Heronj dhe avanturierë

0

URAN KRASNIQI

Pas konfliktit të armatosur të Kumanovës mes Policisë së Maqedonisë dhe një Grupi të armatosur debati që është ndezur është se a janë heronj shqiptarët që mbeten të vrarë në Kumanovë? Publiku shqiptar sot është i ndarë në dy grupe. Në njërën anë janë Idealistët e Shqipërisë së bashkuar. Sipas tyre, Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1912-13 copëtoi trojet e shqiptarëve, ku më shumë se gjysma e territorit që do të duhej të ishte pjesë përbërëse e shtetit të Shqipërisë, që do të krijohej, mbeti jashtë. Luftrat e fundit në Ballkan të zhvilluara, në Kosovë në fund të shekullit të kaluar, në Luginë të Preshevës dhe Maqedoni në dekadën e kaluar, janë prodhim i një situate të tillë historike, ku shqiptarët me pushkë në dorë janë përpjekur që të vënë në vend drejtësinë. Në këto përpjekje janë vrarë shumë njerëz, për shembull Adem Jashari (Kosovë), Tahir Sinani (Shqipëri), Ismet Jashari (Maqedoni), Mitat Musliu (Luginë e Preshevës) e shumë e shumë të tjerë. Të gjithë këta respektohen si heronj. Prandaj sipas tyre edhe të vrarët e fundit të konfliktit në Kumanovë janë heronj, sepse bëhet fjalë për një ide, një qëllim dhe një përpjekje.
Në anën tjetër janë Realistët e disa shteteve ku jetojnë shqiptarët. Sipas tyre, Shqipëria është kjo që është në kaq kilometra katrorë sa i ka shteti, Kosova është shtet, shqiptarët në Maqedoni i kanë të drejtat e veta, shqiptarët në Mal të Zi i kanë të drejtat e veta, shqiptarët në Serbi i kanë të drejtat e veta dhe nuk ka nevojë që të përpiqet askush më shumë, sepse mirë është kështu si është. Parë prej këndit të tyre të vrarët e Kumanovës nuk janë kurrfarë heronjësh, vetëm disa avanturierë.

Se kush ka të drejtë në qëndrim flasin çlirimi i Kosovës dhe Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni. Mbi sakrificën e të tillë “avanturierve” në Kosovë u ngrit një realitet ku nuk helmohen nxënësit shqiptarë nga Policia e Serbisë dhe mbi sakrificën e të tillë “avanturierve” në Maqedoni u shtuan, jo mjafueshëm për shkaqe që dihen, disa të drejta më shumë për shqiptarët. Prandaj nëse Adem Jashari është hero, nuk ka se si të mos jetë hero edhe Beg Rizaj apo një tjetër nga të vrarët e Kumanovës dhe anasjelltas.

Kategoritë që shohin avanturierin te heroi shqiptar që sakrifikon veten kundër padrejtësisë historike janë disa, por më të theksuara dy: trashëgimtarët e funksionarëve të ish-Jugosllavisë dhe një pjesë e strukturave të LDK-së. Rrënjët e gjykimit të tyre nuk janë te rasti i Kumanovës, por tek lufta e Kosovës e edhe më herët. Edhe lufta e UÇK-së, e cila qe një nga shkaqet e pasojës së reagimit të NATO-s, nga eksponentët e kategorive të tilla shihej vetëm si një avanturë dhe asgjë më shumë. Motivi i tyre për një qëndrim të tillë flet për gjendjen e tyre në raport me gatishmërinë për sakrificë për padrejtësitë historike. Ata pas çlirimit nga “avantura e Kosovës” kanë dëshirë që të jetojnë, të dalin në televizor, të shkojnë nëpër pushime, por nuk kanë dëshirë që të japin asgjë për një gjë të tillë. Pra pranimi që Beg Rizaj dhe të tjerët janë heronj do t’i mobilizonte edhe ata që të kapnin pushkën dhe të luftonin. Duke mos qenë në gjendje që ta bëjnë një gjë të tillë, normal që shumë më lehtë është të ulesh edhe të shkruash artikuj se si dikush është kriminel ordiner, ani pse po të thirri Prokuroria e Shtetit për ta dëshmuar një gjë të tillë, do të ishte goxha problem.

Jo të gjithë, por justifikimi i një qëndrimi të tillë, nga disa më të mençur prej tyre, është se në kohën e sotme teoria për heroin ka njohur evoluim dhe se është shteti ai që sakrifikohet për qytetarin dhe jo qytetari për shtetin. Një argument i tillë është i vlefshëm për raste të kombeve të tjera, por do të jetë i kontestuar gjithmonë për kombin shqiptar, sepse shteti nuk ka mundur të përputhet në terren me kombin. Dhe kjo është pasojë e Konferencës së Ambasadorëve dhe e shqiptarëve të mëhershëm. Shqipëria dhe Kosova mund të proklamojnë politika zyrtare për mosprishje të kufijve dhe moscënim të fqinjve, por kategoria e idealistëve që Shqipëria është më e madhe se sa që është nuk do të rehabilitohet. Të paktën jo aktualisht derisa kjo pjesë e rajonit në Ballkanin Perëndimor është e izoluar. Nëse kjo anë antarësohet në Bashkimin Evropian dhe heqen kufijtë, atëherë situata mbase mund të ndryshojë.

Autori është gazetar

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here