Hedh hoxha një gur

0

ARDIAN VEHBIU

Një hoxhë në Prizren shqiptohet për çështje komplekse të historisë së shqiptarëve në Ballkan – dhe, në vend që kjo të pritet me hilaritet ose me batuta, nëse duhet pritur vërtet njëfarësoj publikisht, befas buçasin tupanat e polemikave mbarëkombëtare.

Deri aty sa hoxha në fjalë “të suspendohet nga puna.”

Po ç’dreq bote qenka kjo, ku mendimi i një hoxhe për çështje që nuk kanë të bëjnë me Islamin ka aq forcë, sa të ngjallë reagime të tilla kaq energjike?

Ç’dreq bote qenka kjo, ku një hoxhe i merren seriozisht opinione, për të cilat ai nuk ka kurrfarë ekspertize ose autoriteti?

Mirë se vini në shqiptarinë moderne, ku hapësirën e debatit publik e kanë zaptuar temat mesjetare.

Imam Salihu, i mirënjohur për provokimet e tij, komunikon me njerëz që përnjëmend kujtojnë se ky mund t’i sqarojë për të shkuarën e tyre, prejardhjen e të parëve të tyre, dhe çështje të pranisë së hershme të shqiptarëve në Kosovë.

Se për ç’arsye ndokush mund të mendojë se një hoxhë i paska përgjigjet për këto pyetje dhe ua rivelon këto besimtarëve, këtë më duhet veç ta marr me mend.

Ndërkohë, reagimi i ashpër i opinionit publik, që nga i pamungueshmi Gjekmarkaj e deri te Bashkësia Islame e Kosovës që deklaron se “Imami Irfan Hasan Salihu me ligjëratat e tij të papranueshme ka fyer sedrën dhe historinë kombëtare të shqiptarëve dhe të nënave shqiptare,” lë vend për të dyshuar se këtu po gjykohet dikush jo pse ka thënë një të pavërtetë historike, por për herezi.

Dhe kush thotë herezi, ka thënë edhe ortodoksi.*

Se kush mund të fyhet, nga një pasaktësi ose provokim me natyrë albanologjike ose historike, të lëshuar nga një hoxhë, përveçse ata që gjenden nën influencën e kundërhoxhëve, ithtarët e partisë “AUTOCHTHONOUS,” këngëtarët e himneve futbollistike kuqezi dhe pilotët e forcave ajrore të telekomanduara të Ilirisë së Poshtme?

Imam Irfani ka cenuar, në fakt, ortodoksinë e diskursit dominant në hapësirën mbarëshqiptare, jo të vërtetën historike – e cila nuk mund të përpunohet e as të vihet në pikëpyetje brenda mureve të faltoreve.

Dhe e ka cenuar, duke bërë të vetin diskursin ortodoks të një kombëtarizmi tjetër – atij serb; ose diskursin imperial të pan-otomanizmit; ose kushedi ç’diskurs tjetër alternativ, dhe pavarësisht nga ç’qëllim është shtyrë për të ndërruar llogoret.

Se sa të vjetër janë shqiptarët në Kosovë, ose kudo gjetiu, këtë përpiqen ta gjejnë me përafrim historianët, arkeologët dhe të tjerë specialistë të diakronisë.

Normalisht, do të pritej që kushdo prej nesh, të cilin e mundojnë vërtet këto çështje, të konsultohej me vepra studimore të historianëve që gjenden lirisht në libraritë dhe në bibliotekat.

Madje edhe në rrethanat e sotme, kur historiografia në Ballkan mbetet ring boksi midis ortodoksive të ndryshme kombëtariste, gjithnjë mund të gjenden vepra të cilat çështjes së prejardhjes së shqiptarëve në Kosovë i qasen në mënyrë objektive, ose të paktën në mënyrën më objektive të mundshme: me dokumente arkivore dhe arsyetime të qeta.

Një qytetar me një shkollim minimal në këto punë, nuk ka pse të impresionohet nga çfarë thotë hoxha në xhami për historinë e Ballkanit; dhe nëse kjo ndodhka vërtet, atëherë problemi nuk duhet kërkuar te xhamia, por te shkolla.

Sepse ashtu do të rezultojë që edhe shkolla ia paska mësuar këtij historinë si të ishte një lloj feje ose miti kombëtarist, me të vërteta të amshuara, heronj dhe tradhtarë; në mënyrë që ky pastaj të jetë në gjendje ta kuptojë se çfarë i rrëfen hoxha Salih nuk dallon dhe aq, për nga struktura logjike, prej asaj çfarë i ka dhënë shkolla.

Përkundrazi, çfarë shkolla nuk po u jep qytetarëve, janë instrumentet e të menduarit kritik ose aftësia për të gjykuar në mënyrë të pavarur e për t’iu qasur së vërtetës nëpërmjet dyshimit.

Vetëm kështu mund ta shpjegoj këtë që ka ndodhur: duke e parë si një konflikt mendësish në thelb mesjetare dhe irracionale, në një terren të përzhitur nga mitet e vjetra dhe të reja; ose si një luftë fetare të maskuar pas kinse versioneve ortodokse të së vërtetës.

Pikërisht ata, të cilëve iu është ofruar historia kombëtare nëpërmjet një diskursi me karakteristika religjioze tipike, janë më të ekspozuarit dhe të rrezikuarit tani ndaj versionit alternativ që u rrëfen sot hoxha, nesër prifti dhe pasnesër politikani që u kërkon votën – sepse do të jenë mësuar, ndërkohë, që të vërtetën t’ua japë të gatshme pushteti: politik, fetar, ideologjik.

Dhe gjëja më qesharake në këtë mes është që këtë imamin e paskan “suspenduar” – në fakt, më logjike do të kish qenë të suspendohej ndonjë drejtor i Arsimit…

*e përdor termin ortodoksi me kuptimin “version i autorizuar ose zyrtar i një teorie ose doktrine”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here