Hashim Thaçi: Nuk pres pengesa për president

0
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh zëvendëskryeministër i parë, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se, pavarësisht sfidave, viti 2015 ka qenë i suksesshëm për Kosovën.
Ai ka thënë se të arriturat kryesore kanë qenë nënshkrimi i MSA-së, tërheqja e mbi një miliard e gjysmë euro investime nga jashtë dhe krijimi i kornizës ligjore që garanton gjyqësor të pavarur.
Në këtë intervistë për “Epokën e re” Thaçi ka deklaruar se Kosova në rajon është bërë shembull i dialogut dhe bashkëpunimit, ndërsa në botë shembull i bashkëjetesës fetare dhe kundërshtimit të radikalizmit dhe ekstremizmit. “Këto janë të arritura tepër të mëdha, historike, për shtetin e ri të Kosovës. Dhe krahasuar me këto të arritura, sfidat, ndonëse duhet të përmenden, nuk kanë qenë faktorët determinues dhe dominues në skenën politike”, ka theksuar ai, duke shtuar se sfidë kryesore mbetet pengimi i funksionimit të institucioneve demokratike nga një pjesë e opozitës politike. “Opozita gjithmonë synon pushtetin dhe kjo është e vetëkuptueshme. Por, edhe ky synim për ta marrë pushtetin bëhet në kuadër të disa rregullave dhe parimeve. Ajo çfarë po bën opozita sot është në kundërshtim me këto parime, duke i sulmuar dhe dhunuar institucionet e shtetit të Kosovës”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se koalicioni PDK – LDK është stabil dhe do ta çojë mandatin qeverisës deri në fund. “Kosova ka nevojë për stabilitet politik, për një qeveri që fokusohet në ekonomi dhe zhvillim për vendin. Koalicioni qeverisës aktual ia ofron Kosovës mu këto. Kryeministri Mustafa është duke e bërë punën më të mirë për t’i realizuar këto synime të Kosovës. Nuk shoh ndonjë arsye pse ky koalicion nuk do ta përfundonte mandatin e tij, sidomos jo për shkak të sjelljes së opozitës. Në fakt, sjellja e opozitës vetëm sa e ka fuqizuar arsyen prapa këtij koalicioni, jetëgjatësinë e këtij koalicioni”, ka vlerësuar Thaçi.
Ai ka thënë se ekonomia, zhvillimi dhe fuqizimi i drejtësisë janë prioritetet e përgjithshme të Kosovës për vitin 2016. “Prioritete të tjera praktike mbeten udhëtimi pa viza në Evropë, anëtarësimi në FIFA dhe UEFA, përgatitjet për Lojërat Olimpike. Dhe, si gjithmonë, dëshira për të pasur vit të gëzuar dhe të suksesshëm. Këtë ua uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi. Ai në këtë intervistë ka folur edhe për kandidimin e tij për president. Ai ka thënë se nuk sheh arsye se do të ketë pengesa në votimin për të parin e shtetit.

“Epoka e re”: Z. Thaçi, si mund ta konsideroni përmbylljen e vitit 2015 për shtetin e Kosovës? Ku mendoni se ka pasur avancime e ku ngecje?
Thaçi:
Ka qenë vit i sukseseve, pavarësisht sfidave që kemi pasur. Viti që po lëmë pas është vit i nënshkrimit të MSA-së që paraqet hyrjen e Kosovës në marrëdhënie bilaterale me BE-në. Ishte vit kur vëmendja u përqendrua në ekonomi, duke tërhequr mbi një miliard e gjysmë euro investime nga jashtë dhe duke miratuar nga Qeveria Ligjin për Investime Strategjike. Ishte vit kur kemi përmbyllur punën për krijimin e një kornize ligjore që do të garantojë gjyqësor të pavarur. Në rajon jemi bërë shembull i dialogut dhe bashkëpunimit, ndërsa në botë shembull i bashkëjetesës fetare dhe kundërshtimit të radikalizmit dhe ekstremizmit. Këto janë të arritura tepër të mëdha, historike, për shtetin e ri të Kosovës. Dhe krahasuar me këto të arritura, sfidat, ndonëse duhet të përmenden, nuk kanë qenë faktorë determinues dhe dominues në skenën politike. Sfidë kryesore mbetet ajo e pengimit të funksionimit të institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës, në veçanti e Kuvendit të Kosovës nga një pjesë e opozitës politike. Por, edhe kjo, nëse shihet për çfarë është duke u bërë, pra një garë politike me mjete jodemokratike, atëherë mund të themi pa asnjë dyshim se viti 2015 ka qenë vit i sukseseve e jo sfidave për Kosovën.

“Epoka e re”: Mund të konsiderohet i dështuar ky vit në politikën e jashtme, pasi Kosova nuk u pranua në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare? As në aspektin e njohjeve nuk ka pasur progres, duke pasur vetëm tri njohje për 12 muaj. Gjithashtu, as këtë vit nuk u rekomandua heqja e vizave për qytetarët e Kosovës.
Thaçi:
Viti 2015 ka qenë i suksesshëm edhe për politikën e jashtme të Kosovës. Në muajin mars Kosova ka qenë nikoqire e takimit të ministrave të jashtëm dhe atyre të infrastrukturës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilën u morën vendime të rëndësishme në kuadër të Procesit të Berlinit. Kemi marrë pjesë në Samitin e Vjenës në muajin gusht, ku janë përmbyllur projektet e nisura në Prishtinë. Kemi vazhduar dialogun me Serbinë, që është kusht i bashkësisë ndërkombëtare për rrugëtimin e tërë rajonit drejt NATO-s dhe BE-së. Kemi siguruar angazhimin e BE-së dhe të SHBA-së për garantimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura. Kemi kryer demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe tani na ka mbetur ta kryejmë vetëm edhe me Serbinë. Kemi realizuar vizita bilaterale në shumicën e vendeve dhe gjatë këtyre vizitave kemi nënshkruar shumë marrëveshje bashkëpunimi mes shteteve, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik. E fundit është me Hungarinë. Kemi marrë pjesë në shumë forume rajonale e ndërkombëtare, nga ato që promovojnë bashkëpunimin rajonal, si “SEECP” e deri te ato që luftojnë ekstremizmin dhe radikalizmin në botë. Edhe brenda në Kosovë kemi bërë hapa që kanë pasur jehonë ndërkombëtare. Kemi organizuar për herë të tretë konferencën ndërkombëtare “Inter-Faith Kosova”, me të cilën kemi promovuar Kosovën si shembull për tërë globin për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare. Madje edhe me fushatën për anëtarësim në UNESCO, ndonëse nuk kemi arritur rezultatin e dëshiruar, kemi treguar një Kosovë tjetër nga ajo çfarë e paraqesin armiqtë e shtetit të Kosovës, një Kosovë të bukur, me forcë që ta tejkalojë dhimbjen dhe vuajtjet e shkaktuara nga diskriminimi e lufta dhe e kthyer kah e ardhmja në paqe, kah një e ardhme më e mirë për të gjithë. Ka qenë një fushatë që ka prekur zemrat e të gjithë atyre që e kanë parë. Ngjashëm edhe me vizat. Kemi plotësuar kushtet edhe pse për Kosovën kanë qenë dy herë më shumë sesa për vendet e tjera të rajonit. Edhe ato që u raportua se i kemi përmbushur pjesërisht, i kemi adresuar. Prandaj, e themi me bindje të plotë se i kemi plotësuar kushtet për të udhëtuar pa viza në Kosovë. Fundja, këtë e thotë edhe raporti i fundit për vizat i publikuar këtë muaj në Bruksel. Kur jemi te njohjet, vetëm ta vendosim çështjen e njohjeve në një kontekst global. Kosova është njohur nga 82 për qind e shteteve të BE-së, 86 për qind e NATO-s dhe 56 për qind e OKB-së. Pastaj, është njohur nga 61 për qind e shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe 49 për qind e Unionit Afrikan. Vetëm CIS-i apo “Komonuelthi Rus” e ka njohur Kosovën me 0 për qind. Jemi duke operuar në një botë gjithnjë e më të polarizuar dhe në këtë botë Kosova ka arritur me sukses ta gjejë vendin e vet dhe të bëhet kontribuues i suksesshëm në zhvillimet që e prekin atë. Në anën tjetër, jemi bërë anëtar i konventave të ndryshme, tash së voni edhe në atë të njohur si “Konventa e Apostilës”, që është me shumë interes dhe dobi për qytetarët e Kosovës. Të gjitha këto suksese ndoshta nuk kanë marrë vëmendjen e medieve sikur përpjekja jonë për anëtarësim në UNESCO, por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë tyre për Kosovën dhe suksesin e politikës së jashtme kosovare.

“Epoka e re”: Si e shihni rolin e pozitës dhe të opozitës gjatë këtij mandati? Kemi pasur protesta të dhunshme dhe mosfunksionim të institucioneve, respektivisht Kuvendit. Kush është fajtor për këtë dhe sa e ka dëmtuar shtetin kjo krizë?
Thaçi:
Opozita gjithmonë synon pushtetin dhe kjo është e vetëkuptueshme. Por, edhe ky synim për ta marrë pushtetin, bëhet në kuadër të disa rregullave dhe parimeve. Si demokraci liberale, si shoqëri jemi përcaktuar me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës, që me anë të zgjedhjeve të përcaktojmë se kush do ta marrë pushtetin. Ajo çfarë po bën opozita sot është në kundërshtim me këto parime, duke i sulmuar dhe dhunuar institucionet e shtetit të Kosovës. Nuk kemi pasur mosfunksionim të institucioneve të Kosovës. Kuvendi i Kosovës, pavarësisht përpjekjeve për ta penguar punën e tij, ka vazhduar të punojë dhe ka realizuar agjendën e vet. Është e vërtetë që këto sjellje të opozitës jashtë Kosovës përjetohen më rëndë. Pra, japin një imazh krejt ndryshe prej asaj që përpiqemi ta prezantojmë. Por, në të gjitha takimet, në të gjitha forumet, ne theksojmë se kjo e tëra është vetëm një garë politike e eskaluar nga dëshira për pushtet dhe sqarojmë se këto veprime nuk janë të drejtuara kundër asnjërit komunitet në Kosovë apo kundër ndonjë shteti fqinj.

“Epoka e re”: Si e komentoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe a do ta respektoni atë?
Thaçi:
Është shumë e mirëseardhur fjala e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Parimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi e ka thënë qartë se marrëveshja si e tillë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese e ka trasuar rrugën që duhet ndjekur kur të përpilohet statuti i Asociacionit, duke treguar se ky dokument duhet t’i mbushë zbrazëtitë që ka Marrëveshja dhe të garantojë se do të respektohen parimet e Kushtetutës së Kosovës. Tash mbetet të procedohet përpilimi i statutit, gjithmonë duke pasur parasysh verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për qeverisjen e koalicionit PDK – LDK, duke pasur parasysh problemet dhe presionin opozitar me të cilin jeni ballafaquar gjatë këtij viti që po lëmë pas?
Thaçi:
Kosova asnjëherë nuk ka pasur koalicion qeverisës më stabil se koalicioni në mes të PDK-së, LDK-së dhe partive të komuniteteve. Koalicioni ka fuqinë politike, por edhe vullnetin politik që ta shtyjë përpara çdo nevojë dhe interes të Kosovës dhe këtë është duke e bërë, pavarësisht përpjekjeve të opozitës që t’i ngadalësojë këto lëvizje. Opozita duhet të pranojë këtë realitet dhe të sillet konform praktikave të garës demokratike.

“Epoka e re”: A besoni se mund ta çojë mandatin deri në fund ky koalicion qeverisës?
Thaçi:
Nuk shoh ndonjë arsye pse ky koalicion nuk do ta përfundonte mandatin e tij, sidomos jo për shkak të sjelljes së opozitës. Në fakt, sjellja e opozitës vetëm sa e ka fuqizuar arsyen prapa këtij koalicioni, jetëgjatësinë e këtij koalicioni. Kosova ka nevojë për stabilitet politik, për një qeveri që fokusohet në ekonomi dhe zhvillim për vendin. Koalicioni qeverisës aktual ia ofron Kosovës mu këto. Kryeministri Mustafa është duke e bërë punën më të mirë për t’i realizuar këto synime të Kosovës.

“Epoka e re”: Z. Thaçi, a besoni se do të arrini t’i merrni votat për president, pasi ka disa deputetë nga partneri juaj qeverisës, LDK-ja, që thonë haptas se nuk do t’ju votojnë për president? Pra, juve ju duhen 2/3 e votave të deputetëve. Çka nëse partitë opozitare dhe disa deputetë të LDK-së jua pamundësojnë një gjë të tillë?
Thaçi:
Nuk ka asnjë arsye të vonohen apo të pengohen proceset politike në Kosovë. Pra, nuk shoh arsye, por as shenja bindëse se do të ketë pengesa në votimin për president.

“Epoka e re”: Cilat mund t’i konsideroni prioritete për vitin 2016 për Republikën e Kosovës?
Thaçi:
Ekonomia, zhvillimi i vendit dhe fuqizimi i sektorit të drejtësisë janë prioritetet e përgjithshme të Kosovës për vitin 2016. Prioritete të tjera praktike mbeten udhëtimi pa viza në Evropë, anëtarësimi në FIFA dhe UEFA, përgatitjet për Lojërat Olimpike. Dhe, si gjithmonë, dëshira për të pasur vit të gëzuar dhe të suksesshëm. Këtë ua uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here