Hashim Thaçi nuk është spiun francez

0
Shkruan: Reshat Sahitaj
Ka disa kohë që emri i Hashim Thaçit lakohet në medie dhe në portale të ndryshme shqiptare, me qëllim të njollosjes së kësaj figure markante të viteve të lavdishme të UÇK-së. Tani që Hashim Thaçi pretendon të bëhet kryetar i Kosovës që, sipas marrëveshjeve të partive politike në pushtet ky post i takon, mirëpo rivalitete të shumta të partive dhe individëve kanë ndikuar që kundër pretendimeve të Hashim Thaçit të zhvillohet një luftë propagandistike e pamëshirshme, e cila e dëmton imazhin e Kosovës dhe e nxit popullin drejt urrejtjes së kësaj figure.
 Cili shtet në botë i zbulon spiunët e tyre?
 Qe një shtet ta ketë rekrutuar një spiun në shtetin tjetër, është e nevojshme të përdoren metoda dhe rrugë të vështira e të harxhohen miliona dollarë ose euro. Individi, i cili ka pranuar të shërbejë në një shërbim sekret të një shteti të huaj duhet të ketë urrejtje të madhe ndaj popullit të tij për ta pranuar një ofertë të tillë kundër interesave të popullit të vet.
Rasti tjetër është kur një shtet e ka okupuar popullin tënd, okupuesi nuk ka nevojë të investojë në individë për t’i rekrutuar, sepse aty përdoren mjete tjera si psh. u jepen poste të larta në bazë të aftësive intelektuale dhe ndikimit që ai ka në vendin e tij, shantazhohen me kërcënime të jetës së fëmijëve të tyre… Pra, këta janë detyruar të spiunojnë për të mbijetuar, dhe në momentin kur fitohet pavarësia një pjesë e madhe e këtyre shërbëtorëve kthehen kundër okupuesit dhe u afrohen liderëve të pavarësisë për të treguar se ishin patriotët më të dalluar të vendit dhe se luftën e kishin ndihmuar. Pavarësisht që okupuesi fizikisht më nuk e sundon atë popull, ata kanë dosjet e atyre që u kanë shërbyer dhe në momentin kur ata dëshirojnë të kthehen për t’i ndihmuar popullit të tyre, shërbimi sekret i okupuesit i kërcënon ata se do ua zbulojnë kë e kanë burgosur, për kë kanë dalë dëshmitarë, me gruan e kujt kanë kaluar gjatë kohës që kanë shërbyer dhe këta kurrë nuk munden të dalin në krahun e popullit dhe pavarësisë.
Asnjë shtet në botë nuk i zbulon spiunët e tyre, sepse ata gjithnjë do të jenë të vlefshëm për okupuesin.
 Hashim Thaçi nuk mund të jetë spiun francez
Duke u bazuar në të gjitha deklaratat të medieve shqiptare, portaleve tona si dhe dokumentarit në Kanal+, Hashim Thaçi është takuar me diplomat francezë e jo me shefa të shërbimeve sekrete ose me agjentë të tyre. Për t’ia sqaruar opinionit tonë më saktësisht, duhet të kthehemi mbrapa në kohë. Për herë të parë do të shkruaj për atë që kurrë nuk e kam pasur ndërmend të shkruaj. Origjina e fillimit të kontakteve të Hashim Thaçit më francezët nuk ka filluar ashtu siç është informuar opinioni ynë. Fillet e para të këtij takimi i kam bërë unë dhe çdo gjë e ka nismën në Bruksel, për të filluar më takimin e parë të Hashim Thaçit në Paris në ministrinë e mbrojtjes franceze, e jo me shërbime sekrete.
Gjatë lobimit tim në Parlamentin Evropian, në NATO dhe qeveri të ndryshme. Sekretari i Grupit më të madh në Parlamentin Evropian ishte francez e me të cilin kisha kontakte të mira e madje familjare, më kishte propozuar t’i shkruaja ministrit të Mbrojtjes në Francë që asokohe ishte Alain Richard. Në anën tjetër Kryetarja e Senartit belg dhe shefe e Politikes se Jashtme, kishte relacione të mira më ministrin e mbrojtjes Alain Richard, si dhe me Izraelin e vende tjera të botës e cila më kishte ofruar ndihmën për t’i takuar shumë zyrtarë me influencë e ndër ta edhe ministrin e Mbrojtjes në Francë. Pas takimit në Francë në këtë ministri kemi biseduar se Franca është e gatshme të ndihmojë luftën çlirimtare me këto kushte: 1. Lufta e UÇK-së nuk duhet të jetë islamiste dhe karakter religjioz dhe as shteti i Kosovës nuk duhet të jetë islamist në qendër të Evropës 2. Lufta e UÇK-së nuk duhet të zgjerohet në Mal të Zi, Maqedoni e as në Luginën e Preshevës, por të koncentrohemi vetëm në pavarësinë e kufijve të 1974. Unë iu falënderova diplomatëve të ministrisë se mbrojtjes për vendimin e tyre që ushtarakisht ta ndihmonin Kosovën, duke e potencuar se Franca ka qenë aleat i përhershëm i Serbisë, por kësaj radhe francezet do ta vërtetojnë se populli shqiptar do ta çmojë ndihmën tuaj dhe ne shqiptarët jemi besnikë e jo si serbët të cilët shkojnë herë nga Rusia e herë nga Perëndimi. U ndamë duke i premtuar se për të gjitha këto do t’ia përcjelli Adem Demaçit. Kur u takova me Adem Demaçin dhe i tregova bisedën, Baca tha: “Të lumtë! Prej Francës ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm të qëndrojë neutrale, e pasi ata kanë vendosur ushtarakisht ta ndihmojnë luftën tonë, kjo nuk hahet prej se miri”.
Më vonë në takime e kam ftuar Mujë Rugovën, në cilësinë ambasadorit të UÇK-së në Gjermani si dhe Bislim Zyrapin që asokohe ishte shef i Shtabit të UÇK-së, të cilët janë takuar në Hotel “Sheraton” me ministrin e Mbrojtjes së shtetit Belg si dhe më zyrtarin e lartë të NATO-s. Gjatë këtyre takimeve Mujë Rugova ka qenë direkt dhe i ashpër duke u treguar se përveç UÇK-së nuk ka tjetër faktor në Kosovë.
Disa muaj më vonë ka ardhur në takim Bardhyl Mahmuti, i cili ka qenë vazhdimësi mbajtjes se kontakteve diplomatike me francezët duke e pasur parasysh se unë nuk isha i kyçur ne LPK, natyrisht çdo veprim i imi pengonte liderët lokalë.
Me kalimin e kohës, Thaçit ia rregullova takimin e parë në Paris. Ekrem Krasniqit që ishte pjesë e ekipit të Byrosë Informative me seli në Bruksel, kisha harruar t’ia jepja numrin e telefonit ku dhe më kë duhej të takohej Hashim Thaçi. Ekremit ia dërgova numrin dhe vendtakimin. Pas vizitës në Paris që ka qenë vizitë gjysmë zyrtare, njëri prej shokëve të Hashimit ka tentuar të shpërndajë lajmin në medie shqiptare, edhe pse gjatë takimit u është thënë se mediet nuk duhet shkruar asgjë. Deri në kufirin e Belgjikës delegacioni i Hashim Thaçit përcillet me vetura zyrtare të banalizuara franceze, ndërsa në kufi të Belgjikës i kemi sjellë me veturën time dhe të Senatit të Belgjikës. Gjatë qëndrimit në Belgjikë presidentja e Senatit belg, ia rregullon delegacionit qëndrimin në një vilë shtetërore, prej nga Hashimin e dërguam në takim me Wesley Clarkun. Në këtë veprimtari ishte i përfshirë Ekrem Krasniqi dhe Afrim Gjonbalaj.
A është Hashim Thaçi spiun i Wesley Clarkut dhe i NATO-s?
Konferenca për shtyp e Hashim Thaçit është organizuar në lokalet e NATO-s. Gjatë takimit me Wesley Clarkun, Hashimit iu është dhënë kodi sekret me 11 shifra që më lehtë të bombardohen caqet serbe sepse deri në atë kohë koordinatat më NATO kanë qenë të gjata-Prishtinë-Shkup -Tiranë, ndërsa nga 9 maji 1999, çdo sulm është kryer pa i dhënë afat ushtrisë serbe që të manipulonte. Hashimi koordinatat ia ka dhënë Bilall Sherifit e kështu janë koordinuar sulmet.
Në bazë të këtyre kontakteve a mund ta quajmë Hashimin spiun të Wesley Clarkut? A e dini se Clarku e ka hapur hartën e Kosovës në dysheme pra Hashim Thaçit dhe i ka thënë se asnjë ushtar serb nuk ka për ta lënë të gjallë në Kosovë. A mund ta quajmë spiun të NATO-s, i cili ka zhvilluar diplomaci në favor të pavarësisë së Kosovës?
Hashim Thaçi akuzohet se paska qenë në kontakt më Danjeanin, mirëpo ky Danjean po e mbron luftën e pastër të UÇK-së dhe po deklaron se nuk ka pasur shitje të organeve.
Si mund të jetë dhe të quhet spiun Hashim Thaçi, kur francezët i bombarduan caqet ushtarake serbe? Pse ne shqiptarët nuk jemi mirënjohës ndaj shteteve me ndihmën e të cilëve u çliruam?
 Pse nuk kërkohet dënim për tradhti ndaj spiunëve që ende i shërbejnë Serbisë?
Ka disa medie, të cilët kërkojnë ta dënojnë Hashim Thaçin për tradhti kombëtare. Kjo kërkesë është absurditeti më i madh që është bërë në historinë pasluftës. Si është e mundur të quhet tradhti kur Hashim Thaçi i ka bindur francezët të zhvillojnë luftë kundër Serbisë ? Hej, burra e gra, a jeni normalë me kërkesa të tilla? Pse kërkoni dënim për tradhti për njeriun, i cili ta solli NATO-n në Kosovë? Pse nuk kërkoni dënim për tradhti për disa që i shërbyen UDB-së dhe ende i shërbejnë dhe i dini se kush janë? Pse heshtni kur bëhet fjalë për spiunë e Serbisë? Kurrë deri më sot nuk kam lexuar në shtypin tonë dënim për tradhti për spiunët që i ndihmuan Serbisë.
Çuditërisht ne shqiptarët ngrehemi kundër patriotëve dhe kundër atyre që kanë kontribuar për çështjen kombëtare: Ismail Qemajli gruan greke, nuk ishte i mirë, Isa Boletini ka bashkëpunuar me serbë, nuk ishte i mirë, Fan Noli me Rusinë, nuk ishte i mirë. Në bazë të shkrimeve mbi veprimtaret e çështjes sonë asnjëri nuk është i mirë. Po kush është i mirë? Të mirë vetëquhen ata që përhapin dezinformata kundër çështjes kombëtare.
Në mbrojtje të së vërtetës e jo të Hashim Thaçit
Më këtë shkrim nuk jam në mbrojtje të Hashim Thaçit, por të një të vërtete, sepse disa po dëshirojnë t’i harrojnë kontributet për çlirimin e Kosovës. Hashim Thaçi mund të akuzohet për fitim të pasurisë ilegale, mund të akuzohet për injorimin që ua bënë shokëve të luftës, por jo për tradhti kombëtare, me arsyen se ka bashkëpunuar me francezët.
Që opinioni ynë ta ketë një pasqyrë më të saktë se pse unë jam në mbrojtje të një të vërtete që ka të bëjë mbi Hashim Thaçin, duhet që lexuesit ta dinë shkurtimisht se cila ishte veprimtaria ime në Bruksel që nga 1978-1999. Duke qenë njëri prej lobuesve më të mirë të viteve ’90-ta në Parlamentin Evropian dhe institucione tjera evropiane, isha iniciator i të gjitha rezolutave në Parlamentin Evropian në favor të Kosovës. Isha ndërmjetësuesi i vetëm në mes të gjitha personaliteteve politike dhe kulturore nga Kosova me personalitete evropiane, duke filluar nga takimet e para të Ibrahim Rugovës, Qosjes, Hivzi Islamit, Demaçit, Editës, Jakup Krasniqit, Albin Kurtit, Bujar Dugollit, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Ramushit, etj.
Nuk kam asnjë interes material e as moral që nga paslufta e deri sot, as nga PDK-ja e Hashim Thaçit, as nga Albin Kurti, as nga LDK-ja dhe nga asnjë parti politike. Madje, kur spiunët dekorohen, bëhen veteranë, marrin mirënjohje nga institucionet, unë dhe ekipi im që kemi vepruar në Bruksel injorohemi nga të gjithë. Pikërisht duke mbrojtur të vërtetën kam krijuar armiq.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here