Haradinaj pas takimit me ambasadorin amerikan: Nuk është në rregull që po na vëhen kushte

0

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për takimet që ka pasur dje dhe sot me koalicionin qeverisës, presidentin dhe ambasadorin amerikan.

Haradinaj tha se ai është i interesuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë mirëpo pa kushtëzime për vendimet e brendshme të shtetit.

“Unë jam i interesuar për t’u arritur një marrëveshje me Serbinë pa çmimin e territorit dhe Zajednicës. Ne nuk e kushtëzojmë dialogun me ndonjë vendim të qeverisë së Serbisë. Ky është një vendim i Qeverisë Sovran dhe i brendshëm”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur për takimin e djeshëm me koalicionin qeverisës, Haradinaj ka thënë se biseda ka qenë për të gjitha sfidat që e presin Kosovën. Ai ka thënë se Kosova para vetës ka vështirësi të mëdha, ngase është krijuar bindje se taksa po e pengon dialogun.

“Takimi i djeshëm ka qenë me partnerët e koalicionit. Biseda ka qenë për të gjitha sfidat që na presin. Kemi vështirësi të mëdha, dhe ekziston bindja që taksa është pengesë për dialogun. Ne i dëgjojmë me kujdes këto reagime. Dëshira jem është me e vazhdu dialogun mirëpo nuk e kuptoj  kushtëzimin. Unë them që tavolina e heq taksën, po pse taksa ta heq tavolinën”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ambasadori amerikan ka kërkuar edhe sot që taksa të hiqet, Haradinaj tha se kjo është një kërkesë e vazhdueshme, mirëpo nuk është në rregull sipas tij që Kosovës t’i vihen kushte.

“Është një kërkesë e vazhdueshme dhe kam respekt për këtë kërkesë, por nuk dua të ndërlidhen temat. Një marrëveshje me Serbinë mund t’i zgjidhë të gjitha problemet. Nuk është në rregull Kosovës t’i vihen kushte për tavolinë. Ne kemi delegacion shtetëror dhe së shpejti edhe platformë, nuk e kuptoj kushtëzimet”, tha ai./RTKlive/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here