Haradinaj e Kurti thonë se KFOR-i e ka luajtur kufirin me Malin e Zi, Thaçi thotë se Kosova s’do humbë asnjë pëllëmbë

0
Kuvendi i Kosovës ka diskutuar sot çështjee e kufirit me Malin e Zi.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që të bëhet një rezolutë për këtë çështje dhe të votohet nga të gjithë, pavarësisht çfarë partie i përkasin. “Duhet të kthehen kufijtë e vitit 1974”, është shprehur Haradinaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka thënë se tentativat për ndryshimin e kufijve janë në kundërshti edhe me planin e Ahtisaarit që është me plot padrejtësi. Ai ka thënë se në vitin 1999 KFOR-i e ka sjellë kufirin e Kosovës 5 kilometra brenda Kosovës dhe rrezikon të humbë ende. “Kontekstet kosovare do të na mbajnë peng edhe në zhvillimin ekonomik vetëm me Shqipërinë nuk kemi këso probleme”, ka deklaruar Kurti.
Por Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka thënë se nga procesi i demarkacionit me Malin e Zi, Kosova nuk do të humb as edhe një pëllëmbë toke.
“Më lejoni të filloj me atë që është thelbësore, të demarkacionit në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Thelbësore për procesin e demarkacionit është se Kosova s’ka humbur asnjë metër tokë, ky proces është në dobi të Kosovës dhe paqes së saj.
Kosova që nga shpallja e pavarësisë është angazhuar të ketë me të gjithë fqinjët marrëdhënie të mira dhe në kuadër të këtij procesi kemi filluar edhe demarkacionin. E para të sqarojmë se çka paraqet vetë demarkacioni, paraqet shënjimin e vijës kufitare në mes dy shteteve. Nuk është çështje e negocimit, por çështje teknike”, ka thënë Thaçi, gjatë interpelancës së thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ai ka thënë se në bazë të Pakos së Ahtisaarit, vija kufitare me Malin e  Zi është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974. “Kufiri i Kosovës është në hartat kadastrale që nga viti 1974. Janë trajtuar shkresa, foto, skica dhe koordinata që nga viti 1974 e deri më sot. Komisioni gjatë procesit ka pasur në konsideratë kujdesin maksimal për pronat e qytetarëve, pastaj disa herë kanë mbajtur takime me banorët për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre”, ka thënë Thaçi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here