Hakmarrja, 4 episodet e betejës së përgjakshme

0

Luftë mes bandave rivale të drogës! Ky është përcaktimi që policia ka dhënë dje në lidhje me objektivin e atentatit, që kishin tre vrasësit me pagesë në Shijak dhe porositësit e ekzekutimit. Policia e Shtetit e ka çuar rivalitetin jashtë Shqipërisë, pikërisht atje ku kanë vepruar rivalët e përgjakshëm, ndërsa mësohet se në lidhje me përplasjen mes dy fiseve janë shkaktuar deri më tani 4 akte të rënda, ku në të gjitha rezultojnë viktima dhe të plagosur, ndërsa në një tentativë vrasjeje të dyfishtë që daton dhjetorin e vitit që lamë pas në Roterdam, policia bën me dije se plagosja e dy shqiptarëve i përket pikërisht përballjes së dy bandave që po hetohen. “Shekulli” sjell foton e atentatorit, i cili qëlloi mbi dy shqiptarët në afërsi të një restoranti italian, ndërsa policia vendase ka publikuar pamjet e “vrasësit” shqiptar!

Kështu nga Shijaku, Tirana, Italia, Spanja dhe Holanda, ekspertët e Krimeve të Rënda mësohet se po gjurmojnë pikërisht gjithçka ka ndodhur mes dy fiseve, që tashmë rezultojnë rivalë që kërkojnë edhe ekzekutime të njëri-tjetrit. Policia e Shtetit ka mbyllur çdo informacion që lidhet me personin e shënjestruar nga ana e tre vrasësve me pagesë, të cilët kanë mohuar në mënyrë kategorike të kenë patur si qëllim të kryejnë ndonjë akt të tillë, pasi ata kanë refuzuar të pranojnë se janë vrasës me pagesë. Tre të arrestuarit, konkretisht Gazmend Dervishi, Dritan Nikolli dhe Bruno Shehu, gjatë ikjes për të mos rënë në duart e policisë, kanë patur kohë të mendojnë dhe të bisedojnë edhe në lidhje me versionin që do të japin gjatë fazës hetimore paraprake. Nga burimet e Policisë së Durrësit u bë me dije se të prangosurit nuk kanë pranuar të flasin dhe aq më pak të jenë bashkëpunëtorë të policisë dhe të drejtësisë, favor ky që iu është ofruar që të treve. Prokuroria ka bërë me dije se palët në konflikt që po hetohen dhe që rezultojnë pjesë e linjës janë fiset “Kërtalla” dhe “Farruku”. Zyrtarisht policia jep katër ngjarje që iu referohen përplasjeve mes palëve, ku Farrukët kanë rezultuar me fat; kanë shpëtuar në dy prita të njëpasnjëshme.

Katër atentatet që njeh policia

Gusht 2013

Policia e Shtetit, duke dashur të zbërthejë mekanizmin e funksionimit të dy bandave ka arritur të publikojë për mediat dje 4 akte që dyshohet se kanë ndodhur mes përplasjeve të dy fiseve në harkun kohor të tri viteve të fundit. Në fakt, dy ngjarje i kanë spostuar në Shijak, por kanë gabuar datën e ngjarjes së vitit 2013-të, ku u vra një person dhe u plagos miku i tij. Policia bën me dije se i referohet rastit kur është qëlluar në pritë Elvin Kërtalla dhe është plagosur miku i tij Dorian Beqiri. Kërtalla, fatkeqësisht, ndërroi jetë në vend ndërsa Beqiri që kishte ndërruar mbiemrin në Zotaj, mundi t`i mbijetonte atentatit dhe në dëshminë e dhënë prej tij policia bëri me dije se nuk ka mundur të zbulojë asnjë detaj. Asokohe u tha se Kërtalla u vra gabimisht, ku po gabimisht ishte thënë nga policia se edhe në vitin 2011 u ekzekutuan në pritë në afërsi të katër rrugëve dy të rinj, një prej tyre sërish nga familja Kërtalla, ndërsa dy të tjerë arritën t`i shpëtonin pritës në afërsi të karburantit. Hetimi për vrasjen e Elvin Kërtallës dhe plagosjen e Beqirit u zhvendos pikërisht jashtë vendi, atje ku mësohej se një sërë eksponentësh kriminalë të Shijakut gjendeshin në aktivitetin e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Korrik 2014

Policia saktëson se edhe në vitin 2014 është kryer një tentativë vrasjeje po në Shijak dhe që ka të bëjë me përplasjen e dy grupeve rivale. Ishte diku rreth mesnatës së 22 korrikut kur policia e Durrësit dhe ajo e Tiranës ishte përqendruar në ekzekutimin e një të riu, të sapo kthyer nga emigracioni, kur u mor lajmi nga spitali i Durrësit se kishte mbërritur në plagë arme një i ri. Policia shkoi në spital dhe mori të dhënat personale dhe dëshminë e të plagosurit. Rezultoi se i plagosur ishte pikërisht Roland Farruku, të cilit i kishin zënë pritë në Manëz. Ai kishte mundur t`i shpëtonte pritës, duke bërë një manovër të shpejtë me makinën. Ai i tha policisë se fakti që m’u desh të lëvizja shpejt, nuk kisha mundësi të fiksoja makinën. Policia bëri me dije se në fakt shënjestra është person me precedentë penalë dhe është i skeduar për trafik ndërkombëtar droge. Nuk u fol më për të plagosurin dhe aq më pak për autorët, ndërsa policia dhe prokuroria si gjithnjë bënë me dije se dyshohej për larje hesapesh mes bandave dhe me kaq u mbyll historia e tyre nga ana e policisë dhe e prokurorisë!

Korrik 2015

Ishte rreth mesditës së 17 korrikut, kur në zonën e Don Boskos u krijua ideja e një sulmi terrorist. Në një kafene të mbushur me klientë dy persona qëllojnë drejt një tavoline në të cilën ishin të ulur katër persona. Këta të fundit nxjerrin armët dhe qëllojnë mbi atentatorët. Dukej si një shesh xhirimi filmi, ndërsa personat që ishin zënë në pritën publike veprojnë përpikmërisht duke shmangur jo vetëm vrasjen e tyre, por edhe vrasjen e personave të shumtë që gjendeshin në lokal. Plumbi kapi një femër që gjendej në tavolinën ngjitur me shënjestrën, ndërsa policia shoqëroi dhe mbajti në pranga tre nga katër shokët e tavolinës. U deshën disa orë që të hidhej dritë mbi gjithçka kishte ndodhur në atë shkëmbim zjarri të rrezikshëm, ndërsa policia tregoi pas 48 orësh se shënjestër ishte Kreshnik Farruku, i cili, për shkak të problemeve me drejtësinë brenda dhe jashtë Shqipërisë, kishte marrë mbiemrin e gruas. Policia dhe prokuroria u morën gjithnjë vetëm më shënjestrat pa bërë me dije asgjë në lidhje me personat që kishin mundur të iknin në mes të ditës dhe në mes të Tiranës të paprekur.

Dhjetor 2015

Mediat holandeze bëjnë me dije, diku rreth mesit të dhjetorit se në afërsi të një restoranti italian në Roterdam ishte qëlluar mbi dy shtetas shqiptarë, të cilët kishin marrë plagë dhe ishin në spital në gjendje të rëndë. Nga Holanda, vetëm brenda një viti, erdhën dy vrasje të bujshme, njëra në Roterdam ku u vranë dy vëllezër nga Elbasani dhe tjetra në Tiranë, vetëm dy muaj më pas, në afërsi të stacionit të trenit u qëlluan me breshëri dy grupe, ku tre persona humbën jetën. Policia sërish tha se ishte larje hesapesh mes bandave rivale në trafikun e drogës në Holandë! Me këto dy atentate të frikshme, policia shqiptare lidhi edhe ngjarjen që ndodhi në mesin e dhjetorit në Roterdam ku u plagosën dy të rinj 23 dhe 28 vjeç, emrat e të cilëve sipas medieve holandeze fillojnë me shkronjat F. dhe K. Policia vendase nuk mundi të haste në gjurmët e atentatorit, por kamera kishte fiksuar personin, që më pas policia e publikoi dhe iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të vet që të ruheshin nga ky person dhe kushdo që mund ta identifikojë të telefonojë menjëherë për të. Shekulli sjell pamjet e atentatorit të Roterdamit, ku policia shqiptare ditën e djeshme saktëson se sulmi i kryer i përket luftës së përgjakshme mes grupeve kriminale të Shijakut!

“Vrasësit me pagesë” refuzojnë bashkëpunimin me drejtësinë

Tre të arrestuarit, si të dyshuar se do të kryenin një atentat për të cilin thuhet se fillimisht iu ishin dhënë 10 mijë euro kanë refuzuar jo vetëm të flasin, por edhe të jenë bashkëpunëtorë të drejtësisë. Referuar të dhënave që vijnë nga Prokuroria bëhet me dije se të prangosurit nuk kanë pranuar që të flasin fare në lidhje me shënjestrën e atentatit, ndërsa kanë mohuar kategorikisht që ata janë vrasës me pagesë. Gjithçka që kanë mundur të thonë lidhet me faktin se armët i mbanin për vetëmbrojtje dhe se kurrë nuk kishin kryer akte të tilla dhe as që mund të bëheshin pjesë e ndonjë sipërmarrjeje të tillë. Grupi hetimor i ka pyetur që të tre veçmas, i ka provokuar me fakte konkrete, që në fakt sipas të dhënave hetimore janë zbuluar gjatë përgjimit, ndërsa secilit iu është bërë kërkesë edhe për bashkëpunim me drejtësinë për të bërë të mundur jo vetëm zbulimin e porositësit të atentatit të fundit, por edhe të gjithë përplasjeve të përgjakshme mes dy grupeve që janë qëlluar me njëri tjetrin deri edhe në Holandë.

Policia e Shtetit, në një prononcim për “Shekulli”-n bëri me dije mbrëmë se tre të arrestuarit të dyshuar si vrasës me pagesë, nuk janë pjesë e asnjërit grup, por ata janë paguar për të kryer ekzekutimin. Policia dhe prokuroria janë në dijeni të të gjitha bisedave që janë bërë mes personave për të shkuar deri te personi që kanë dashur të eliminojnë, ndërsa bëhet me dije se asnjëri nga të tre nuk ka pranuar se kanë dashur të vrasin ndonjë njeri. Hetimi nuk i lidh të arrestuarit me veprimtarinë kriminale të asnjërës prej palëve, ku sipas policisë dyshohet se janë pjesëtër familjesh që kanë krijuar edhe grupet e tyre kriminale që luftojnë jo vetëm për trafikun e drogës por edhe për të eliminuar kundërshtarët. Sot pritet të dalin para gjykatës të tre personat e akuzuar për vrasje me pagesë, ndërsa policia ka kryer edhe kontrolle banesash ku ka gjetur elementë që përbëjnë provë për aktivitetin e dyshuar të të arrestuarve.

Sipas policisë ka dyshime të arsyeshme se tre të arrestuarit kanë marrë pjesë edhe në ngjarje të tjera, ndërsa një grup i posaçëm hetimor për verifikon të gjitha përplasjet mes dy fiseve “Farruku” dhe “Kërtalla”ku vetëm në sajë të akteve që ka mundur të zbulojë policia rezultojnë një i vdekur dhe katër të plagosur, ndonëse ende nuk dihen identitetet e dy të të plagosurve në Roterdam të Holandës. Hetimi mësohet se ka në duar edhe pamje filmike të disa akteve të viteve të fundit që janë pa autor, ku personat e fiksuar në kamera do të krahasohen me të prangosurit, ndërsa bëhet me dije se gjatë përgjimeve, policia dhe prokuroria kanë dëgjuar të flitet edhe për vrasjeje të të gjithë familjes. Të dhënat flasin për një përjashtim nga kjo sipërmarrje e të paguarve, pasi përgjatë përgjimeve të mëvonshme, në fokus të tyre ka qenë vetëm një i ri dhe jo ndonjë person tjetër nga familja e tij.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here