Haki Morina: Për dallim nga Pandeli Majko, Ilir Meta më bënte shumë pyetje për politikën

0

Haki Morina thotë se qysh kur kanë qenë të rinj Pandeli Majko dhe Ilir Meta, kishte hasur tek ta tregues shpresëdhënës për të ardhmen në politikë.

Morina, një ish i burgosur politik me pesë vjet në vitet e tetëdhjeta në ish-Jugosllavi, në fillim të nëntëdhjetave bashkë me ish-kryeministrin shqiptar dhe tash kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë e kishin themeluar Forumin Rinor Euro Soliciast në Shqipëri.

Ai pas më shumë se njëzet vjetësh tregon se dy bashkëpunëtorët e tij kishin formimesh të ndryshme.  “Në krahasim me Majkon, i cili nuk më bënte kurrë ndonjë pyetje, Ilir Meta ishte jashtëzakonisht i interesuar të merrte nga unë krejt përvojën time të mëhershme në veprimtarinë politike”, kujton Morina.

Në një intervistë me gazetarin Uran Krasniqi, ai ka folur me konsideratë për ish liderin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano, për kohën sa ka bashkëpunuar me të.

Dyzet e nëntë vjeçari nga Klina ka treguar edhe për arsyet e tërheqjes nga Partia Demokratike e Kosovës, paslufte. “Lidershipi i kësaj partie e humbi krejt frymën idealiste që kishte trashëguar nga lufta çlirimtare e UÇK-së dhe e rezistencës së mëhershme antijugosllave”, ka thënë ai.

Morina i cili ka qenë një nga themluesit e Partisë Socialiste në Kosovë ka thënë se format e lëvizjes së Vetëvendosjes, duke akuzuar po duke mos ofruar alternativë, nuk e kanë lënë që t’i bashkohet këtij subjekti bashkë me kolegët e tjerë të tij.

Ai e ka quajtur skenën politike të Kosovës të kalbur, duke mos e përjashtuar edhe opsionin e rreziqeve deri në shkallë anarkie.

Si ndodhi që ju ishit njëri nga themeluesit e FRESH-it të Partisë Socialiste në Shqipëri?    

Kjo ndodhi pas një periudhe dhjetë vjeçare, jashtëzakonisht të “madhe” në veprimtarinë time për realizimin e idesë së Republikës së Kosovës, e cila përshkohet me aktivitet të dendur e me jetë të rëndë e me tortura shtazarake gjatë hetimeve në burgun e Pejës dhe nëpër burgjet jugosllave. Një natë, për shkak të mungesës së lekëve për biletë, mbeta pa u kthyer në shtëpi dhe kjo ishte vendimtare që t’i shpëtoja arrestimit herët në mëngjesin e asaj dite dhe për t’u arratisur dy ditë më vonë nëpër male dhe për të dalë i vetmuar në Shqipëri. Në këtë rast, shfrytëzoj rastin ta falenderoj gruan e Isa Zhelit, ish-i burgosur politik, e cila më ndihmoj të orientohem për kalimin e kufirit të ruajtur mirë nga serbët. Duke qenë i impenjuar vite me radhë me Shqipërinë dhe ngjarjet atje, unë nuk e pata të vështirë të ndjehesha i “integruar” në mënyrë të shpejtë. Duke qenë kështu dhe duke pasur pikëpamje politike me orientim të majtë, unë vizitova menjëherë selinë e PSSH-së, ku takova shumicën e drejtuesve të kësaj partie, duke filluar nga Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Ermelinda Meksi, Prof. Dr. Ethem Ruka e të tjerë, deri tek kryetari Fatos Nano. Natyrisht që të gjithë mbështetën këtë ide dhe unë fillova interesimin tim për të gjetur të rinj që mendonin si unë. Njohja e paktë me të rinjtë në Universitetin e Tiranës ma pamundesojë ta realizoja idenë me shpejtësi. Pas një muaj apo dy, papritmas në zyrat e PSSH-së takova katër të rinjtë, njëri prej të cilëve m’u ofrua dhe më kerkojë t’i bashkohem. Unë sigurisht që i tregova se jam duke pritur një bashkëpunim të tillë. U ndjeva i gëzuar që kjo ide e imja po realizohej edhe pse unë s’pata sukses të gjejë vet nismëtarët e parë. Të nesërmen, pas një takimi me zyrtarë të PSSH-së, siguruam zyrën ku mbajtëm mbledhjen e parë themeluese, ku zgjodhëm kryetar Ilir Zelën e nënkryetar Pandeli Majkon.

Si i mbani mend drejtuesit e mëvonshëm të Partisë Socialiste, Pandeli Majkon e Ilir Metën dhe a dallonit shenja tek ta qysh atëherë se më vonë do të ishin të suksesshëm në politikë?

Pandeli Majko që në fillim më la përshtpje me modestinë, atraktivitetin dhe natyrshmërinë në sjellje dhe mendime. Kjo ishte arsyeja që të kërkoja nga njëri prej nismëtarëve, Lavdërim Krashi, ta propozonte Pandeli Majkon për kryetar. Nuk e propozova vet duke parashikuar se dikush mund të reagonte duke thënë që: “je i sapoardhur nga Kosova dhe nuk mund të gjykosh aq i sigurtë për të bërë propozime të tilla”. Pandeli Majko duke kundërshtuar propozimin u arsyetua kështu: “Një, për shkak se kryetar i partisë është gjirokastrit dhe nuk është në rregull që edhe kryetari i rinisë të jetë i të njëjtit vend dhe dy, për shkak se Hakiu dje më tregojë se mbiemri im është identik me fjalën serbishte ‘majko’ (nënë) dhe se kjo mund të shfrytëzohet nga kundërshtarët politikë”. Pas këtij arsyetimi, ai propozojë Ilir Zelën nga Kukësi si kryetar, propozim që u pranua pastaj unanimisht. Megjithatë, në vazhdim, deri në Kongresin e parë të FRESH (qershor 1991) unë lobova për Majkon dhe arrita qëllimin që ai të zgjidhej kryetar me mandat katërvjeçar! Ilir Meta qe iu bashkua pak më vonë FRESH-it si kryetar i Degës për Tiranë dhe i propozuar nga unë në Kryesinë qendrore, ishte tip tjetër nga Pandeli Majko. Tip karizmatik, i durueshëm dhe i vendosur për t’iu shkuar deri në fund synimeve. Në krahasim me Majkon, i cili nuk më bënte kurrë ndonjë pyetje, Ilir Meta ishte jashtëzakonisht i interesuar të merrte nga unë krejt përvojën time të mëhershme në veprimtarinë politike. Rëndesi ka që tek të dy, qysh atëhere kam parë talent të madh dhe mundësi që të shndërroheshin në liderë politikë.

Po nga takimet me ish-kryetarin socialist, Fatos Nanon, çka kujtoni dhe çfarë mendimi keni për të?

Me zotin Fatos Nano kam patur bashkëpunim korrekt në atë periudhë të vështirë politike! Kam patur respektin dhe përkrahjen e plotë të tij! Kam biseduar me të herë pas here edhe për Kosovën dhe në kujtesën time ka mbetur kur më tha se “e kuptoj ankesën e kosovarëve pse s’po flas për Kosovën, por mendoj që ka kaluar koha kur Kosova kishte nevojë për fjalë. Ajo tash ka nevojë për vepra dhe vepra më e rëndësishme në interes të Kosovës është ulja e tensioneve politike në Shqipëri dhe zhvillimi i këtij vendi”.  Në atë kohë, ai tregojë potencial të lartë transmetues të një politike moderne duke manifestuar energji pozitive në drejtim të uljes së tensioneve politike, të cilat nxiteshin nga forca e liderë të papërgjegjshëm dhe të etur pafundësisht për pushtet siç ishte lideri “demokrat”, Sali Berisha. Sigurisht që pa PS-në FRESH-i vështirë se do të mund të funksiononte, me atë sukses që pati, dhe në këtë drejtim roli i lidershipit të kësaj partie, e natyrisht edhe i vetë liderit të saj, ishte i pazëvendësueshëm. Meqenëse, më vonë unë isha vrojtues nga jashtë i zhvillimeve në këtë parti dhe në krejt Shqipërinë, nuk mendoj se do të bëja mirë sikur të jepja një vlerësim “kompetent” për mënyren sesi ai drejtojë partinë. Por një mund ta them, se në fushatën e tij të fundit elektorale kundër Berishës, nuk më pëlqeu kur e pashë duke folur me zë të çjerrur, karakteristikë kjo konstante e stilit berishan të fushatës për pushtet.

Si e vlerëson sot Partinë Socialiste?

PS-ja nuk është ajo që unë do të doja të ishte, por rëndësi ka që kjo parti, në krahasim me forcat tjera politike, sidomos në raport me PD-në, ka epërsi të jashtëzakonshme. Mendoj se PS u nxitua me parullën e “Rilindjes kombëtare” për shkak se kjo gjë edhe ishte dhe është e pamundur, por edhe mund t’i kthehet bumerang.

Çfarë kujtoni nga koha e luftës kur ishit i angazhuar në gazetën “Zëri i Kosovës”?

Nga koha e luftës kam kujtime të panumërta, sidomos netët e shumta me pagjumësi. Veçoj momentin kur tre muaj para rënies së Adem, Hamëz, Shaban dhe antarëve të tjerë të familes Jashari, më erdhën, në mënyrë diskrete, fotografitë e tyre me veshje e armatim, të cilat m’u desh t’i fshehja për t’i publikuar në gazetë menjëherë pas rënies. “Zëri i Kosovës” ishte gazeta e parë që publikoj lajmin dhe fotografitë e tre heronjve me veshjet ushtarake të UÇK-së. Moment tjetër është koha e ngjarjeve të rënda në Shqipëri, pas skandalit të “Piramidave” ku “Zëri i Kosovës” ishte gazeta e vetme shqiptare që informoj objektivisht dhe për këtë arsye u gjend përballë sulmit masiv nga shtypi rugovist dhe ai berishist. Por kujtimi më i mirë që më vjen në mendje është ardhja me faks e komunikatave, ku UÇK-ja merrte përsipër kryerjen me sukses të aksioneve ushtarake kundër forcave policore serbe dhe bashkëpuntorëve të tyre shqipfolës.

Pse u larguat nga PDK-ja paslufte?

Nga Partia Demokratike e Kosovës, u largova pasi lidershipi i kësaj partie e humbi krejt frymën idealiste që kishte trashëguar nga lufta çlirimtare e UÇK-së dhe e rezistencës së mëhershme antijugosllave. Këtë deformim të saj e kisha vërejtur vite më pare, por prita deri në momentin kur faktet u bënë të pamohueshme, d.m.th. menjëherë pas ardhjes së saj në pushtet.

Dihet që keni pasur rastin që të rrini dhe të bashkëpunoni për së afërmi me drejtuesit e PDK-së. Cili është vlerësimi juaj ta zëmë për Hashim Thaçin si politikan?

Me Hashim Thaçin kam patur bashkëpunim të mirë para dhe gjatë luftës. Nga figurat e UÇK-së ai linte përshtypjen që është më i përgatituri e duke qene i ri shpresoja në përparimin e tij në vitet në vazhdim. Ai menaxhojë, kryesisht me sukses, “tërmetet” e shumta brenda mekanizmit organizativ të luftës çlirimtare dhe ia doli që rreth UCK-së të grumbullonte kontigjente të ndryshme të shoqërisë sonë të ndarë e të përçarë me shekuj dhe doli nga kjo luftë si një figurë e fuqishme. Paslufte, gjithashtu pati sukses në organizimin e PDK-së, por ardhja në pushtet nxori në sipërfaqe shumë defekte të padukshme jo vetëm të tij, por tek krejt lidershipi i kësaj partie, sepse kjo forcë politike tashmë mazhorancë në koalicionin qeveritar të Kosovës, rezulton nga një parti e dalë nga lufta çlirimtare e për pavarësi kombëtare nga Serbia në një parti që gradualisht e me vendosmëri mori tiparet e një partie që synim të vetëm ka pushtetin e siguruar mbi injorancën e mentalitetit të pazhvilluar politik në Kosovë.

Ishit një nga themeluesit e Partisë Socialiste në Kosovë, por ju u tërhoqët kur subjekti u shkri në lëvizjen Vetëvendosje, pse?

Pas largimit nga PDK-ja shkova në një parti të vogël që pretendonte të “niste” idenë për krijimin e të majtes evropiane në Kosovë.  Kapacitetet e vogla organizative të PSK-së dhe mundësitë e kufizuara politike, që lidhen me një varg faktorësh, e për disa prej tyre kam shkruar në shypin e përditshëm e janë edhe në librin tim “Mendime politike” , ishin faktorët e pamundësisë për ta çuar deri në fund këtë mision. Gjiithçka përfundoj me “vendimin” e kësaj force politike për t’iu bashkuar lëvizjes Vetëvendosje. Qëndrimet politike në lidhje me disa çështje, por edhe format e luftës së VV-së, që krijonin urrejtje ndaj qeverisjes së keqe, por s’jepnin asnjë alternativë për ndryshime, ishin në kundërshtim me pikëpamjet e mia dhe kjo ishte sigurisht arsyeja themelore e mospranimit tim për t’iu bashkuar LVV, duke u pozicionuar për herë të pare si një veprimtar jashtë mekanizmave të organizuar politik e kombëtar.

Si e vlerëson sot skenën politike në Kosovë dhe raportin e forcave të saj?

Skena politike e sotme në Kosovë është e kalbur dhe ka filluar të marrë teposhtëzen. Etja për pushtet asaj ia ka zënë frymën dhe s’i ka mbetur asnjë forcë për të përballuar krizën të cilën e krijojë vet. Ajo e ka shumë të vështirë të kalojë sfidat në të cilat shteti dhe shoqëria jonë janë zhytur.

Çfarë perspektive po sheh për Kosovën dhe kombin shqiptar?

Natyrisht se unë jam optimist i pandreqshëm, sepse u besoj procesve dialektike të zhvillimit të një shoqërie, e cila pashmangshmërisht detyrohet të kalojë. Jam kundër vlerësimeve “bardhë e zi” të cilat përdoren për qëllime pushteti. Pozita shmanget në negative duke injoruar të metat gjigante që e përshkuan qeverisjen e saj, kurse opozita – me përjashtime të vogla – përveç nihilizmit, nuk njeh metodë tjetër të analizës politike. Kjo gjendje rrezikon ta çoj vendin në anarki dhe në rreziqe të mëdha, por prapë kam besim që “ditët e mira pastaj vijnë”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here