Hahn: “Nëse Kosova e do liberalizimin e vizave, duhet të bien kërkesat e kosovarëve për azil”

0

 

PRISHTINË, 18 SHKURT – Komisioneri i BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, duke qenë në vizitën e parë të tij në Kosovë sot ka marrë pjesë edhe në një mbledhje me kabinetin qeveritar të Kosovës.  Ndër të tjera komisioneri Hahn ka sugjeruar se për të fituar liberazimin e vizave Kosova, duhet që të bien kërkesat e kosovarëve për azil në vendet e Evropës. Prandaj ai ka bërë thirrje që të forcohen kontrollet kufitare dhe të njoftohen udhëtarët se atyre nuk mund t’u jepet azili.

Më poshtë mund t’i lexoni fjalimet e plota të kryeministrit Isa Mustafa dhe të komisionerit Johannes Hahn në mbledhjen e Qeverisë së Republkiës së Kosovës.
Fjala e kryeministrit Isa Mustafa:

Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sot, në këtë mbledhje merr pjesë komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, z. Johannes Hahn, merr pjesë edhe z.Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë si dhe delegacioni nga Brukseli që është në përcjellje të komisionerit Hahn.

Për neve kjo është një ngjarje e rëndësishme e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe me Brukselin.

Me lejoni të them paraprakisht se qëllimi themelor është që të integrohemi në familjen evropiane dhe që populli i Kosovës ndan fuqishëm vlerat evropiane, dhe përkushtimin e tij drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ne të gjithë jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare në këtë proces. Prandaj, Qeveria e Republikës se Kosovës është e vendosur që prioritetet e saj t’i orientoj kryesisht në fushat të cilat atë e qojnë dhe e përafrojnë me Bashkimin Evropian.

Qeveria jonë për këto qëllime po punon me përkushtim të madh për forcimin e shtetit të së drejtës, për ta bërë Kosovën një shtet ku do të funksionojë e drejta për çdo individ, pa asnjë dallim, që të orientohemi fuqishëm në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një nga objektivat themelore të sigurimit të kushteve të funksionimit të shtetit dhe poashtu të sigurimit të kushteve për investime të jashtme të drejtpërdrejta dhe për funksionim të tregut dhe për zhvillim ekonomik.

Zhvillimi ekonomik është prioriteti ynë i madh, ne synojmë të sigurojmë një rritje ekonomike, e cila do të mundësoj hapje të vendeve të reja të punës dhe përballim të fluksit të papunëve dhe atyre që hyjnë çdo vit në tregun e punës. Por, për këtë na nevojitet edhe mbështetje e vendeve të Bashkimit Evropian, sidomos në këtë fazë kur kemi nevojë që të kemi kontrata për punësim sezonal në këto vende, për të përballuar për një periudhë të caktuar këto probleme përderisa, ne përmes investimeve në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe përmes nxitjes së sektorit privat të krijojmë kushte të përballimit të fluksit të punës.

Po punojmë poashtu, në reforma thelbësore në sistemin e arsimit dhe në sistemin e shëndetësisë të cilat janë dy shtylla shumë të rëndësishme për ne, që nuk janë vetëm shtylla sociale por edhe shtylla ekonomike sepse përmes tyre ne krijojmë kushte të zhvillimit ekonomik, ulim koston e reinvestimeve për përgatitje të njerëzve për ekonomi dhe poashtu popullatë të shëndetshme e cila përballon nevojat e zhvillimit jo vetëm këtu por edhe të kyçjes në tregun regjional dhe në tregun evropian.

Ne i kemi dhënë rëndësi fondamentale edhe Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Është përmbyll kjo marrëveshje dhe ne presim që Marrëveshja të nënshkruhet sa më shpejt dhe për neve kjo është një proces shumë i rëndësishëm që ne pastaj të krijojmë kushte për marrëdhënien e një kornize kontraktuale me shtetet e Bashkimit Evropian.

Liberalizimi i vizave për ne mbetet një prej prioriteteve të larta. Tani gjendemi në procesin përfundimtar të këtij procesi. Mund të konstatojmë se ne i kemi përmbushur gati në tërësi kushtet nga Udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave dhe në javët e ardhshme do të punojmë intensivisht në zbatimin e rekomandimeve të tjera lidhur me këtë, të dala nga raporti korrikut i Komisionit Evropian.

Në përmbushjen e këtyre rekomandimeve ne do t’i dorëzojmë Komisionit Evropian raportin përfundimtar për vlerësimin dhe presim që ai do të vlerësohet dhe do të hapet procesi në të cilin edhe ne do t’i realizojmë të gjitha të drejtat e lëvizjes ashtu siç i kanë edhe qytetarët tjerë të vendeve në regjion dhe të shteteve të Bashkimit Evropian.

Kemi punuar mjaft shumë dhe po punojmë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Po vazhdojmë me dialogun në zgjidhjen e çështjeve kyçe të cilat do të ndihmojnë që ne t’i relaksojmë marrëdhëniet dhe të bashkëpunojmë në të gjitha fushat.

Marrëveshja e fundit për sistemin e drejtësisë është një marrëveshje që për neve ka një vlerë të veçantë dhe poashtu shpresojmë që edhe marrëveshjet tjera do arrihen me një përkushtim të dyanshëm, mirëpo i cili përkushtim çon në atë që jo vetëm t’i normalizojmë marrëdhëniet por edhe të integrohemi bashkërisht në Bashkimin Evropian, të mos i bëjmë pengesë njëra-tjetrës dhe të kemi në fund edhe pranimin e Kosovës nga shteti i Serbisë.

Ne do të punojmë me përkushtimin më të madh në mënyrë që të krijojmë kushte për jetesë në Kosovë. Jemi koshient edhe lidhur me problemin që kemi të migrimeve të mëdha të qytetarëve të cilat kanë ndodhë veçmas në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Jemi koshient për peshën e këtij problemi. Jemi duke ndërmarrë masa përmes të gjitha ministrive që ne të ndalim këtë proces dhe të krijojmë kushte për kthimin e qytetarëve tanë të cilët kanë migruar në shtetet e Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm që t’i rikthejmë ata dhe poashtu konsiderojmë që Kosova është një shtet stabil është shtet i sigurt për qytetarët tanë dhe ne marrim përgjegjësi që të sigurojmë kushte të punës dhe kushte të jetesës për ta, në vendin tonë.

Unë ju falënderoj shumë për ardhjen tuaj, z. Hahn!

Fjala e komisionerit Hahn në mbledhjen e Qeverisë së republikës së Kosovës

Kryeministër, ministra,
Kam kënaqësinë të jem sot në mesin tuaj me rastin e udhëtimit tim të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës në nëntor. Kjo është vizita ime e parë, prej shumë vizitave që do t’i bëj gjatë pesë viteve të ardhshme, si vijimësi e punës dhe bashkëpunimit të mirë.
Dëshiroj të shfrytëzojë këtë mundësi dhe të theksojë ato që unë i shoh si sfida kryesore të cilat duhet të adresohen për të siguruar përafrim të Kosovës dhe BE-së, si dhe për të siguruar prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.
2014 – viti i progresit
Dëshiroj të fillojë duke theksuar rëndësinë e vitit 2014 për marrëdhënien BE-Kosovë. Ky vit u shënua me inicimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim. MSA-ja është gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme dhe do të përforcojë pozitën e Kosovës në politikat e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Shpresoj fuqishëm se MSA-ja do të nënshkruhet në pranverë dhe do të përfundohet në vjeshtë ashtu që të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
2014-ta ishte vit i rëndësishëm edhe për vet Kosovën. Zgjedhjet në qershor ishin të suksesshme, prandaj e përgëzoj Kosovën për këtë. Zgjedhjet e drejta dhe transparente paraqesin boshtin kurrizor të çdo shoqërie stabile dhe janë parakusht për sistem të shëndoshë politik. Vështirësitë që pasuan zgjedhjet, nuk e zbehin këtë fakt.
Formimi i kësaj qeverie tregoi se aktorët politik të Kosovës mund t’i tejkalojnë vështirësitë dhe mund të arrijnë kompromise për të mirën e shtetit. Kjo përfshirje dhe angazhim me opozitën duhet të vazhdojë, pasi që implementimi i reformave nga agjenda Evropiane e Kosovës kërkon konsensus politik të gjerë dhe kontribut nga të gjitha palët e interesit.
Dialogu me Serbinë është vital për të ardhmen e Kosovës
Me rëndësi të barabartë ishte lajmi se dialogu i lehtësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë vazhdoi muajin e kaluar pas ndërprerjes prej afro një viti. Dialogu me Serbinë mbetet vital për të ardhmen Evropiane të Kosovës, kurse normalizimi i marrëdhënieve duhet të jetë një nga zotimet kryesore për muajt dhe vitet që vijnë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen plotësisht sikurse edhe marrëveshjet e reja, pavarësisht se sa mund të duket sfiduese. Progresi i Kosovës do të përcaktohet nga kapaciteti juaj për të negociuar dhe arritur kompromise.
Fillimisht adresimi i gjërave themelore
Progresi do të përcaktohet edhe përmes reformave tjera. Nëse kujtojmë Raportin tonë të progresit nga muaji tetor i vitit të kaluar, ai kishte identifikuar fushat kryesore që kanë nevojë të adresohen nga shtetet në rajon, përfshirë Kosovën. Theksi mbetet tek sundimi i ligjit, reforma e administratës publike dhe në përforcimin e zhvillimit socio-ekonomik. Për të adresuar këto tri themele, nga ju kërkohet zotim, bindje e kurajo.
Performanca ekonomike jo vetëm për para, por edhe për reforma të rëndësishme
Fillimisht, dhe me rëndësi thelbësore, është nevoja që Kosovë të shihet si vend për bërje të biznesit dhe për investime. Kjo nënkupton se Kosova duhet të mbrojë interesat e biznesit, të ketë gjyqësor të paanshëm dhe zbatim të ligjit njejtë për të gjithë. Por kjo nënkupton edhe se Kosova duhet të bëhet vend ku kthimet nga investimet janë solide.
Për të arritur këtë, për të nxitur rritje dhe krijim të vendeve të punës, ekonomia e Kosovës kërkon reforma të fokusuara ekonomike për të rritur konkurruencën e saj. Prandaj e çmoj lartë Programin e parë të Kosovës për reforma ekonomike të cilin Kryeministri Mustafa ia dorëzoi Komisionit në fillim të muajit. Ju përgëzoj juve Kryeministër si dhe qeverinë tuaj për këtë arritje. Gjatë javëve të ardhshme do t’i rishikojmë dhe diskutojmë reformat e propozuara me ju dhe do t’ju japin rekomandime specifike.
Natyrisht se përkrahja jonë shkon edhe përtej. Reformat ekonomike dhe sektoriale të Kosovës do të vazhdojnë të përfitojnë nga përkrahja jonë direkte dhe financiare. Jemi duke punuar për rritjen e efikasitetit dhe rëndësisë së përkrahjes sonë financiare nën programin IPA me synim të paraqitjes graduale të konceptit të përkrahjes buxhetore për Kosovën. Kjo na mundëson të përkrahim drejtpërdrejtë përpjekjet e Kosovës në reformimin e sektorëve që janë kritik për zhvillimin socio-ekonomik, me kusht që këto reforma të jenë të ngërthyera në një kornizë të shëndoshë strukturale.
Përkrahja jonë më nuk është në formën e tenderimit nga zyra jonë këtu në Prishtinë, por vjen në formën e transferimeve buxhetore në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse administrata dhe sistemet e kontrollit të Kosovës janë të gatshme. Dëshirojmë të sigurohemi se përkrahja jonë është mirë e synuar, do të arrijë rezultatet e synuara dhe do të menaxhohet me përgjegjësi. Prandaj e çmoj lartë dhe inkurajohem nga drafti i parë i dokumenteve planifikuese sektoriale të dorëzuara në dhjetor.
Rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm me EULEX-in
Së dyti, bashkëpunimi i vazhdueshëm i Kosovës me EULEX-in do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e sundimit të ligjit në këtë shtet. Mandati i EULEX-it do të përfundojë pas 18 muajve, prandaj Kosova duhet të shfrytëzojë këtë kohë dhe të nxjerrë maksimumin e këshillave që ofrohen nga EULEX-i. Njëkohësisht ajo duhet të përgatitet për të marrë përsipër përgjegjësitë e mbetura të EULEX-it ashtu që themelet e sistemit gjyqësor të jenë të forta, kurse sundimi i ligjit të jetë efikas dhe efektiv. Natyrisht se ne do të vazhdojmë t’ju ndihmojnë në këtë punë, para dhe pas qershorit 2016.
Së treti, Kosova ka nevojë të vazhdojë punën në lidhje me gjetjet e Task Forcës Hetimore Speciale, pavarësisht se sa këto të gjetura mund të jenë sfiduese. Kosova duhet ta përshtatë kushtetutën dhe të miratojë ligjet të cilat mundësojnë krijimin e Gjykatës Speciale sa më shpejtë që është e mundur.
Liberalizimi i vizave – është arritur progres, kërkohet edhe më shumë
Nuk dëshiroj të largohem pa folur disa fjalë në lidhje me liberalizmin e vizave, për të cilën e di se është një çështje që e mbani afër zemrës. Kosova ka arritur progres të madh pas raportit të parë dhe të dytë të progresit dhe ju inkurajojë që të vazhdoni t’i zbatoni rekomandimet e tyre. Megjithatë, këto rekomandime nuk janë kërkesat e vetme që duhet të përmbushen. Para se të mund të rekomandojmë statusin pa viza për qytetarët e Kosovës, numri i kërkesave për azil në BE dhe numri i njerëzve që qëndrojnë në zonën e Shengenit në mënyrë të parregullt, duhet të bie. Prandaj ju bëj thirrje që të forconi kontrollet kufitare dhe njoftoni udhëtarët se atyre nuk mund t’u jepet azili.
Kryeministër, ministra,
U mundova të nënvizojë sfidat të cilat e presin Kosovës, nga pikëpamja ime, dhe të ripërsëris se Komisioni është i zotuar t’ju ndihmojë në adresimin e tyre. Mirëpres pikëpamjet tuaja në lidhje me këto sfida dhe sugjerimet në lidhje me mënyrën se si mund t’ju ndihmojmë në adresimin e tyre.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here