Gurët në veshka, trajtimi ushqimor

0

Gurët në veshka janë precipitime të kripërave, të cilat normalisht eliminohen nga trupi i njeriut nëpërmjet veshkave dhe rrugëve urinare. Nëse sasia e tyre në urinë është shumë e madhe apo nëse individit i mungojnë disa elemente, të cilat normalisht pengojnë precipitimin e kripërave, atëherë ky kombinim do të çonte me siguri në formimin e gurëve në veshka apo në rrugët urinare. Myftar Barbullushi, mjek nefrolog pranë QSUT-së, tregon gjithçka rreth kësaj sëmundje. Barbullushi shpjegon se medikamentet e reja, si dhe përdorimi i aparatit të thyerjes së gurëve kanë bërë që ditëve të “përdorimit të thikës” në mjekimin e gurëve në veshka t’u vijë fundi. Gjithsesi, cilidoqoftë përparimi i metodave të heqjes së gurëve, zbulimi i shkaqeve të formimit të gurëve dhe parandalimi i formimit të tyre përbëjnë mjekimin më të mirë.

Doktor, sa të shpeshtë janë gurët në veshka? 

5% e femrave dhe 12% e meshkujve të çdo moshe kanë pasur të paktën një krizë nga gurët në veshka apo rrugët urinare.

Kur duhet të dyshojmë për gurë në veshka ?

Nuk është shumë vështirë për një të sëmurë me gurë në veshka që të dyshojë për praninë e tyre pasi në shumicën e rasteve shoqërohen me kriza. Kriza nga gurët është një dhimbje që kalon kufijtë e durimit. Dhimbja zakonisht fillon në ije e përhapet në bark, në drejtim të fundit të tij nga përpara. Dhimbja është më e fortë se thyerja e kockave. Më e fortë se plaga e armës. Gratë e krahasojnë me dhimbjet e lindjes, pedagogët e mjekësisë ua ilustrojnë studentëve me përpëlitjet e gjelit që i këputet koka, pasi të sëmurin me kriza asnjëherë nuk e gjen me kokën në jastëk, por duke lëvizur në të gjithë dhomën. Ka ndodhur që pacientë me gurë në veshka kanë bërë vetëvrasje. Zakonisht krizat e veshkave fillojnë natën apo gjatë lëvizjeve e sforcove fizike. Edhe gjaku në urinë duhet të të bëjë të dyshosh, ndërmjet të tjerave, edhe për gurë në veshka apo rrugët urinare. Më rrallë infeksionet urinare.

Cilat janë shkaqet kryesore të kësaj sëmundjeje?

Trashëgimia dhe mënyra e jetesës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në formimin e gurëve në veshka. Një individ me prindër që kanë vuajtur nga gurët në veshka ka 3 herë më shumë mundësi që të vuajë nga gurët në veshka në krahasim me një individ pa trashëgimi. Nga ana tjetër 95 % e të sëmurëve me gurë në veshka tregojnë se pinë me pak se 1 litër ujë në ditë. Po ashtu, njerëzit me mbipeshë kanë me shumë tendencë të formojnë gurë në krahasim me ata me peshë normale. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rritjen e mbipeshës, obezitetit, shpeshtësia e gurëve në veshka ka arritur në mbi 18% të popullatës.  Në muajt e verës shpeshtësia e shfaqjes së gurëve është më e shprehur, duke u konsideruar kështu sezoni i verës si “sezoni i gurëve”.

Si bëhet mjekimi i gurëve në veshka?

Gjatë 15 vjetëve të fundit mjekimi i gurëve në veshka dhe në rrugët urinare ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Medikamentet e reja, si dhe përdorimi i aparatit të thyerjes së gurëve kanë bërë që ditëve të “përdorimit të thikës” në mjekimin e gurëve në veshka t’u vijë fundi. Gjithsesi, cilidoqoftë përparimi i metodave të heqjes së gurëve, zbulimi i shkaqeve të formimit të gurëve dhe parandalimi i formimit të tyre përbëjnë mjekimin me të mirë të gurëve në veshka, pra të ardhmen.

Kur mund të bëhet mjekim me dietë dhe barna?

Gurët nën 7 mm kanë shumë mundësi të dalin nëpërmjet prirjes së një sasie të konsiderueshme të lëngjeve (2,5-3 litra në 24 orë ) si dhe përdorimit të barnave që zgjerojnë kanalet urinare apo ulin aciditetin e urinës duke mos i dhënë mundësi kristaleve të qëndrojnë të bashkuara në trajtën e gurëve. Ky dimension nuk është i rastësishëm, pasi mendohet se kanali urinar është i gjerë rreth 6-8 mm.

Çfarë lëngjesh rekomandohen të pihen dhe çfarë nuk rekomandohen?

Ujë i zakonshëm, lëngje popullore dhe me preferencë do të sugjeroja 1 litër e gjysëm ujë ku të jenë tretur 2 limona çdo ditë. Mos preferoni ujin me gaz, koka kola, fanta e lëngje të tjera industriale.

Mund të hahet çdo gjë apo duhen kufizuar ushqimet me kripë? A duhen kufizur ushqimet që përmbajnë kalcium?

Natyrisht, sa më e madhe sasia e kripës në ushqim aq më e madhe është tendenca për të formuar gurë. Pra, është shumë e rëndësishme të pakësohet kripa në ushqim. Kufizimi i kalciumit, i rekomanduar fatkeqësisht nga shumica e mjekëve, do të ishte një gabim fatal sidomos për fëmijët dhe gratë. Moszhvillimi i mirë i kockave të fëmijës dhe fraktura të tyre në menopauzë tek gratë janë pasoja të vëna re në të sëmurët që kanë kufizuar kalciumin në dietë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë të abuzojmë me dietën me kalcium. Tek ushqimet duhet të ketë me shumicë zarzavate dhe fruta të freskëta të sezonit, dhe jo ato të thata (sidomos arrat, bajamet dhe lajthitë), shoqëruar me shumë lëngje, janë të shkëlqyera për të sëmurin me gurë në veshka. I vetmi nga agrumet që kufizohet është qitro, e cila përmban shumë oksalate. Kafeja, deri vonë e kufizuar, vitet e fundit ka marrë “lirinë” prej 2 studimeve të mëdha mbi dietën në të sëmurët me gurë në veshka. Po kështu edhe alkooli nuk konsiderohet ushqim për t’u kufizuar për sa i përket gurëve në veshka. Gjithsesi, kaloritë e alkoolit mund të shkaktojnë mbipeshë dhe kjo e fundit thamë që shoqërohet me rritje të shpeshtësisë së gurëve në veshka.

Cilat janë ilaçet që përdoren për gurët në veshka?

Uralyt, Renalof,  Grodurex dhe Allopurinoli janë medikamentet më të përdorshme në eliminimin, shkrirjen dhe parandalimin e gurëve në veshka dhe në rrugët urinare. Mënyra e përdorimit, koha dhe dozat e tyre përdoren ekskluzivisht nga mjeku. Një gjë është e sigurtë, që përdorimi i tyre ka bërë një revolucion në shkrirjen dhe parandalimin e gurëve në veshka. Është kjo arsyeja që në vendet perëndimore këto medikamente janë ndër më të përdorurat.

Parandalimi i formimit të gurëve në veshka

Mjekimi ideal i gurëve në veshka është parandalimi i tyre. Nëse një pacient nxjerr një gur, brenda vitit ai ka 20% shance të formojë gurin tjetër. Për 5 vjet rreth 80% e tyre kanë riformuar përsëri gur. Për këtë arsye është e rëndësishme të gjykohen shkaqet e formimit të gurëve dhe përmbajtja e gurëve. Rreth 70-80% e  tyre kanë përmbajtje oksalate dhe fosfati kalciumi, 10% acidi urik dhe 1-2% cistine. Pjesa tjetër janë karbonatet. Nëse pacienti ka një gur që e ka nxjerrë më parë, analiza e përmbajtjes së tij do të ishte ideale. Por natyrisht më i rëndësishëm nga të gjithë është përdorimi me shumicë i lëngjeve. Dieta me lëngje, mbi 2-3 litra në ditë, është e konfirmuar nga shumë studime shumë e rëndësishme për parandalimin e formimit të gurëve. Sa më shumë lëngje, aq më pak gurë dhe aq më pak sëmundje të veshkave.

Kuriozitet

Fotomodelet pijnë 5 litra ujë në ditë për të pasur trup elegant dhe të shëndetshëm. Një gotë ujë apo lëng në mëngjes herët para ushqimit konsiderohet investim për një trup të bukur.

Ekzaminimet dhe analizat e domosdoshme

Kontrolli i të gjitha kripërave në gjak: kalcium, fosfor, magnezium, natrium, kalium, acid urik.

Kontrolli i tyre në urinë, përfshi cistinën

Gjykimi i funksionit të veshkës

Gjykimi i gjendrave paratiroide

Gjykimi i  kockës

Gjykimi i ekuilibrit acido-bazik

Gjykimi i përmbajtjes së gurit, nëse i sëmuri ka ndonjë gurë që ka nxjerrë më parë

Ekografi

Rografi dhe ose pielografi

Jo rrallë skaner

Pezmatimi i veshkave dhe fshikëzës urinare, trajtimi popullor

Në veshka shkaktohen shumë sëmundje të ndryshme që formojnë lloje gurësh: gurë fosfatikë, gurë oksolikë, gurë uratë, gurë kalciumi

Hysni Dankshi

Sëmundja e aparatit urinar është një sëmundje serioze e cila karakterizohet me mahisjen e glomerulare dhe prishjen në shkallë të ndryshme të funksionit të veshkave. Prek më tepër moshat fëminore, nga mosha 3-10 vjeç. Meshkujt sëmuren më shumë  se femrat. Në zhvillimin e sëmundjes rol të padiskutueshëm luan dhe faktori i alergjisë. Zakonisht sëmundja fillon 10-15 ditë, pas kalimit të një katari të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, të një gripi apo të një sëmundje me temperaturë të lartë. Kjo sëmundje ka dhimbje beli dhe pakësim të urinës. Sëmundja fillon përnjëherësh ose gradualisht. Ka ngritje të tensionit arterial, manifeston marrje mendsh, dhimbje koke, zhurmë në vesh. Urina është me gjak. Gjaku në urinë mund të duket me sy ose gjatë analizave. Në analizë vërehen albuminë me sasi të mëdha, pakësim të rruazave të bardha dhe pakësim të sasisë së urinës. Në veshka shkaktohen shumë sëmundje të ndryshme që formojnë lloje gurësh: gurë fosfatikë, gurë oksolikë, gurë uratë, gurë kalciumi. Ata formohen në veshka, uretët, fshikës të urinës etj. Disa nga metodat për thërmimin e disa gurëve të butë dhe të mesëm. Lejohet përdorimi i vezëve, mishit të kafshëve të mëdha, djathi i bardhë, patate, oriz, fruta etj. Ndalohet kafeja, kakao, çokollata, duhani dhe alkooli.

Merrni 1 dorë të plotë me kallinjë e gjethe dellit. Ziejeni në 1 litër ujë për 30 min. Pas kullimit, pini 2-3 gota para buke. Kjo metodë shërben për dy gjëra: edhe për infeksionin edhe për shkrirjen e gurëve në veshka, kur janë në përmasa të vogla.

Merrni 10 lugë gjelle me kashtë tërshërë të grirë imët. Hidheni në 1 litër ujë dhe ziejeni për 3 minuta. Ena lihet e mbuluar derisa të ftohet. Pasi kullohet pini 1 filxhan çaj disa herë në ditë. Kjo shërben për infeksionin e veshkave.

Ziejmë majdanoz dhe lëngun e tij e pimë nga 2 gota uji me çaj para buke. Kjo kurë përdoret 1 muaj rresht.

Merrni 1 dorë me fara bostani (pjepër). Shtypen dhe copëtohen, pastaj zihen në 1 litër ujë për 25 minuta. Pasi kullohen pini 2 gota në ditë në mëngjes esëll dhe në darkë vonë.

Edhe dardha ka efekt të madh në rastet e pezmatizmit të veshkave nga gurët në rrugët urinare. Merrni 15-30 gram gjethe në 50 ml ujë. Ziejeni për 10-15 minuta dhe pini 3 herë nga 1 gotë para buke.

Merrni 1 kg mjaltë dhe një gur tespije qelibari. Thërrmohet dhe bluhet. Përzihet me mjaltin dhe hahet 1 lugë gjelle çdo ditë esëll në mëngjes. Pini një gotë qumësht lope të zier dhe të ftohtë, dhe lëngun e 1 kokrre limoni për 1 muaj.

Merrni 50 gr bishtkali, 50 gr kalli i gjethes së dellit. Ziejeni në 1 litër ujë 15-20 minuta. Kjo formulë vlen për infeksionin e aparatit urinar dhe tretjen e gurëve në veshka./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here