Granit Xhaka mori kritika të shumta për lojën kundër Uellsit

0

Granit Xhaka, kapiteni shqiptar i Zvicrës, mori kritika të shumta pas barazimit 1-1 kundër Uellsit, të shtunën e kaluar. Sipas ekspertëve helvetë, performanca e tij meritonte notën 4 nga 10 të mundshme.

“Për mua, Xhaka ishte lojtar i zakonshëm, asgjë më shumë”, – tha George Bregy. Duke kritikuar kapitenin për “ndikim shumë të vogël në lojë”, ai shtoi: “Graniti nuk kishte asnjë lidhje, kurrë nuk ishte në të vërtetë në lojë, kurrë nuk bëri një pasim hapës të lojës, kurrë nuk shkoi përpara. Ai ishte në zonën e tij të rehatisë. Xhaka dëshiron të jetë një udhëheqës, por duhet ta tregojë këtë”.

Rene Weiler i “Blick” u pajtua me këtë: “Xhaka është një lojtar i shkëlqyeshëm, me dhunti, por duhet të dëshmohet më shpesh në zonën e rrezikut. Mbrojtësit pas tij mund të luajnë të gjithë futboll, nuk ka të bëjë me cilësinë, por me efikasitetin”.

Pas fitores 3-1 ndaj Turqisë, nuk ka vonuar edhe përgjigja e kapitenit të helvetëve ndaj kritikëve: “Pas ndeshjes ndjeva se treguam se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Tani duhet të presim, por kemi ende shumë shpresa kualifikimi. Duhet të jemi të duruar dhe të shohim çfarë ndodh në ndeshjet e tjera. Mendoj se kemi luajtur një ndeshje të mirë ndaj Turqisë. Ishte ndeshje e madhe nga ne dhe e meritonim të fitonim ndaj Turqisë”.

Xhaka pritet të përfundojë transferimin te Roma, pasi të përfundojë “Euro 2020”. Sidoqoftë, ndërsa lojtari dhe verdhekuqtë kanë gjetur një marrëveshje, Arsenali dhe Roma janë në një ngërç kur është fjala për tarifën e transferimit të mesfushorit. Gjatë fundjavës u raportua se Arsenali kishte refuzuar një ofertë të tretë për ish-kapitenin e vet, i cili kërkon me çdo kusht të bashkohet me Jose Mourinho në kryeqytetin italian.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here