Gjykimi i Oliver Ivanoviqit:njerëz në uniforma hapën trupin e shqiptarit dhe i futën bombën brenda

0

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve të tjerë. Dëshmi të enjten ka dhënë Besa Sokoli, të cilës në natën kritike të 3 shkurtit 2000 i është vrarë kunati i saj, Muharremi.

Besa, e cila tha se tani jeton në Prishtinë, përshkroi gjitha ngjarjet që ndodhën më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës. “Kemi qenë me gjithë familjen në banesë, në veri. Më 3 shkurt, rreth orës 19:00 kemi dëgjuar zhurma, por edhe sirena të autoambulancave që shkonin në Spitalin e qytetit që ndodhet në veri. Atë natë, grupe serbësh kanë hyrë të armatosur nëpër ndërtesa, duke shtënë me armë nëpër dyert e banesave të shqiptarëve. Ne jemi mbyllur në banesë, nuk kemi guxuar as të shikojmë nga dritarja, ka qenë një natë e frikshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mëngjesin e 4 shkurtit, rreth orës 10:00 ose 11:00, një serb kishte ardhur te dera e banesës së saj dhe kishte pyetur nëse banesa është e Rexhep Sokolit. “Unë u përgjigja dhe i thash po. Ai serbi tha se është fqinj i kunatit tim, Muharremit dhe gruas së tij, Gjyles, e cila i kishte thënë se Muharremi është vrarë dhe e kishte porositur që ta thërrasë vëllanë e tij, Rexhepin. Burri im u shqetësua shumë dhe qante, e pasi që ai ka probleme me zemër, unë u vesha në të zeza dhe shkova drejt banesës së kunatit. Ai serbi këmbëngulte që të shkojmë në shtëpinë e vëllait të Rexhepit, Muharremit, pasi që vazhdimisht përsëriste se është vrarë atë natë. Na ka marrë prej banese dhe kemi shkuar rrugëve dytësore. Duke shkuar kemi parë turma të mëdha të njerëzve nëpër rrugë kryesore. Kur kemi shkuar në shtëpinë e Muharremit, gruaja e tij Gjyla, ka treguar hollësisht se si është vrarë burri i saj, Muharremi”, thoshte Besa në dëshminë e saj.

Sipas saj, Gjyla kishte shpjeguar se disa persona kishin ardhur te dera e banesës, ndërsa Muharremi menjëherë ishte goditur me thikë. “Gjyla ka treguar se personat që kanë sulmuar e kanë hapur një vrimë në trupin e Muharremit dhe kishin futur aty një granatë, e cila ka shpërthyer dhe ia ka bërë trupin copë-copë. Nuk e kemi njohur trupin e tij”, ka shpjeguar dëshmitarja Besa Sokoli.

Prokurori Mihalçuk ka pyetur dëshmitaren se kush ishin ata persona, ndërsa Besa Sokoli u përgjigj se gruaja e Muharremit e di se kush ishin ata. “Unë nuk e di kush janë, por gruaja e Muharremit, Gjyla i di”, është përgjigjur ajo.

Dëshmitarja Sokoli në vijim tha se të akuzuarit nuk i njeh, përveç Oliver Ivanoviqin, të cilin tha se e kishte parë gjatë luftës në uniformë të Policisë. “E njoh vetëm Oliverin, sepse atë e kam parë gjatë luftës në uniformë të Policisë, të tjerët nuk i njoh”, është përgjigjur ajo në pyetjen e prokurorit Mihalçuk, nëse i njeh të akuzuarit.

Në anën tjetër, avokati i Ivanoviqit, Nebojsha Vllajiq, sikur edhe gjithherë deri më tani, përsëriti se asnjë nga dëshmitarët e deritashëm nuk e ka lidhur Oliver Ivanoviqin me ngjarjet që janë zhvilluar në veri të Mitrovicës. “Unë vazhdimisht po them se kështu, me kësi dëshmitarësh, vetëm po humbim kohë. Asnjë prej tyre deri më tash nuk ka thënë se e kanë parë Oliverin. E sa i përket dëshmitares së sotme, edhe ajo sikurse të tjerët nuk e kanë parë Oliverin duke kryer krime”, është shprehur Vllajiq.

Ndryshe, Gjyla Sokoli, gruaja e Muharrem Sokolit të vrarë në natën e 3 shkurtit 2000, është dashur të dëshmojë në procesin gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve të tjerë, Dragan Delibashiq, Ilija e Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandër Llazoviq, të mërkurën, por ajo për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të vinte në Gjykatë. Ajo do të dëshmojë më vonë në këtë proces gjyqësor, ndërsa në ditët në vijim, do të dëshmojnë Rrahim Nimani, si dhe Shemsedin Ajeti, Vjosa Ajeti dhe Agon Ajeti, nëpërmes video-linkut, pasi që ata ndodhen në Suedi.

Të akuzuarit aktakuza i ngarkon për krime lufte të kryera në prillin e vitit 1999 në rrugën e “Kovaçëve” në Mitrovicë dhe për vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbimin e 12 mijë shqiptarëve nga banesat dhe pronat e tyre në veri të Mitrovicës në shkurt 2000./Zëri

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here