Gjykata Speciale para deputetëve më 29 maj

0

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë javës së ardhshme. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, si dhe përcaktoi rendin e ditës për këto dy seanca.
Të enjten, më 28 maj, në orën 10:00, Kuvendi do të shqyrtojë në lexim të dytë nëntë projektligje që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave: Projektligjin për Avokatin e Popullit, Projektligjin kundër diskriminimit, Projektligjin për barazi gjinore, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve dhe atë për kompensimin e viktimave të krimit.
Në këtë seancë, do të shqyrtohet në parim edhe Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Të premten, më 29 maj, ndërkaq, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, gjatë të cilës do të shqyrtojë Propozim-Amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia kërkoi nga qeveria që për seancën e 29 majit, të procedojë në Kuvend Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here