Gjilan: Fehmi Maliqi merr 25 vjetë burg për 2 vrasje e 2 plagosje

0

Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, sot ka shpallur aktgjykimin, duke e dënuar të akuzuarin Fehmi Maliqin me 25 (njëzetepesë) vjetë burgim, Ruzhdi Maliqin 13 (trembëdhjetë)vjetë e 6(gjashtë) muaj burgim dhe  Besnik Borovcin me 2 (dy) vjetë e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Zyra për Informim e Gjykatës Themelore në Gjilan ka njoftuar se i akuzuari Fehmi Maliqi, shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës dyshohet se me datë 14.11.2013, rreth orës 23:30 minuta, në rrugën “Avdullah Tahiri”, pas një konflikti verbal ka nxjerrë revolen dhe i ka vrarë dy vëllezërit Fitim Lipovica dhe Asllan Lipovica. Po ashtu i akuzuari me qëllim të privimit nga jeta me dashje ka shtënë edhe në drejtim të personave tjerë F. L. dhe A. L. (djemtë e të ndjerit F. L.), ku me këtë rast të dy personat kanë marr lëndime të rënda trupore “dhe me këtë ka kryer veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.11 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

I akuzuari Ruzhdi Maliqi me dashje ka tentuar t’i privoj nga jeta të ndjerët Fitim Lipovica dhe Asllan Lipovica si dhe të dëmtuarin F. L., me çka kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.11 lidhur me nenet 28 dhe 29 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa i akuzuari i tretë Besnik Borovci, në kohën dhe datën e njëjtë sulmon të dëmtuarit, me çka ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje, nga neni 190 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Trupi gjykues ka vendosur që ndaj të akuzuarit Fehmi Maliqi i dënuar me 25 vjetë burgim dhe të akuzuarit Ruzhdi Maliqi i dënuar me 13 vjetë e 6 muaj burgim të i vazhdohet paraburgimi, derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimet e shqiptuara.

Ndërsa të akuzuarit Besnik Borovci, i dënuar me 2 vjetë e 6 muaj burgim, i është ndërprerë paraburgimi dhe është liruar.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here