Gjenerata e re e Policisë së Kosovës u prezantua me uniformën e re

0

Pas një trajnimi 6 mujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot diplomuan 141 kadetë të rinj të Policisë së Kosovës, të cilët për herë të parë prezantuan edhe uniformën e re të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Skender Hyseni, gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 52-të, të kadetëve tha se Policia e Kosovës është një forcë demokratike, shumë funksionale dhe më e mira në rajon.
“Policia e Kosovës është një forcë multietnike në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie dhe feje”, u shpreh Hyseni duke thënë se policët e sapodiplomuar do të bëhen pjesë e një instrumenti të pazëvendësueshëm për rend dhe ligj në Republikën e Kosovës.
“Do të jeni në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në shërbim të sigurisë dhe në shërbimit të mirëqenies së secilit qytetar të vendit”, tha ministri Hyseni duke u uruar kadetëve policor suksese në punën e tyre. Ai i ka ftuar kadetët që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, e cila siç tha ai deri më sot ka dhënë prova të jashtëzakonshme të një punë të shkëlqyeshme.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Maxhuni u tha kadetëve se “sot, është dita kur ju jeni të gatshëm të përballeni me të gjitha sfidat e zbatimit të ligjit, jeni të disiplinuar, të arsimuar, të trajnuar mirë dhe të aftë fizikisht”.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, , tha se Akademia vazhdon të jap kontribut të jashtëzakonshëm në ofrimin e trajnimeve për pjesëtarët e sigurisë publike.
Drejtori Smakiqi vendimin e kadetëve për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës e ka vlerësuar shumë lartë duke thënë se profesioni i policit është profesion i shenjtë. “Akademia tani më është qendër e fort e të gjitha llojeve të trajnimit më bashkëkohorë për të gjitha Agjensionet e Sigurisë Publike”, tha Smakiqi .

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here