Gjatë vitit 2015 Emërgjenca trajtoj 55 mijë pacient, 75 % të rasteve gabimisht kërkuan ndihmë aty

0

Klinika Emergjente në Prishtinë me staf mjekësor të pamjaftueshëm, e që tash e sa kohë po pret plotësimin e kërkesës për rritjen e numrit të infermierëve, gjatë vitit 2015 është përballur me një numër rekord të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë emergjente mjekësore.

Por jo të gjitha rastet e kishin vendin në këtë repart. Edhe këtë vit, Klinika Emergjente u ngarkua me raste që nuk i përkisnin natyrës emergjente, gjë që në vazhdimësi po e pengon punën e stafit në këtë klinikë. Drejtues të kësaj klinike thonë se rregullimi i sistemit të referimit, në nivel vendi, është i domosdoshëm.

Viti 2015 u përmbyll me mbi 55 mijë raste në emergjencë, që 60 për qind e tyre u takojnë sëmundjeve, ndërsa 40 për qind gjendjeve aksidentale.

Reparti i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është çdo herë plot pacientë. Në këtë klinikë gjatë 2015-ës u shënuan mbi 140 vdekje.

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës emergjente thotë për KosovaPress se edhe këtë vit janë përballur me të njëjtin problem, atë të rasteve jo-emergjente. Zgjidhja e këtij problemi, sipas tij, duhet të bëhet sa më parë.

“Problemi kyç dhe sfidues kanë qenë rastet tjera të natyrës jo-emergjente që është një ngarkesë e shërbimit tonë përkundër kësaj unë mendoj se pa u rregullu sistemi i referimit në nivel vendi, ne edhe në vitin 2016 do të kemi të njejtën problematikë me të cilën do të ballafaqohemi”, thotë ai.

Ai thotë se ballafaqohen me 75 për qind të rasteve që fare nuk duhet të kërkojnë trajtim mjekësor në emergjencë. Sipas tij, spitalet rajonale dhe qendrat e mjekësisë familjare mund t’i menaxhojnë rastet e tilla.

Megjithatë, në vitin 2015, kjo klinikë ka pasur numër rekord të pacientëve.

“Në krahasim me vitet e kalaura shënohet numri rekord i të sëmurëve të cilët kanë kërkuar ndihmë emergjente mjekësore, si në aspektin diagnostiko, monitorues, në aspektin e vlerësimit, në aspektin e qasjeve laboratorike dhe qasjeve diagnostiko të avancuar. Vet fjala tregon që mbi 55 mijë raste kanë kërkuar ndihmë emergjente mjekësore…..Kjo potencohet për shkak të zhvillimit të dinamikës së jetës, gjendjeve aksidentale, një numër të madh të rritjes së numrit të aksidenteve”, thotë ai.

Rastet në emergjencë janë të mëdha, por jo edhe kapacitetet. Problemi i rritjes së numrit të infermierëve as për këtë vit nuk ka gjetur zgjidhje.

“Një problematikë e veçantë për shërbimin tonë është mungesa e infermierëve përkundër kërkesave të vazhdueshme në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, kjo kërkesë ende nuk është plotësuar më asnjë infermier. Në shpresojmë që në vitin 2016 të paktën 15 infermierë të cilët janë të domosdoshëm që të ofrojnë një kujdes më cilësor, në të kundërtën jemi të detyruar të punojmë me këto kapacitete shumë të zvogëluara dhe do të mungojë një kujdes i avancuar për të sëmurit të cilët kanë nevoje për shërbime shëndetësore.

Në rritjen e numrit të rasteve në emergjencë, që kanë ardhur si pasojë e aksidenteve, ka ndikuar edhe gjendja meteorologjike që ka mbretëruar në fund të vitit. Mjegullat e shpeshta dhe ngricat kanë bërë që të rritet numri i aksidenteve.

Në vitin 2014 ndihmë mjekësore emergjente kanë kërkuar afër 24 mijë raste, që nënkupton se për 15 mijë raste kanë shënuar rritje për vitin 2015.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here