Gjatë vitit 2014, 1.304 ankesa kundër pjestarëve të Policisë së Kosovës

0

Gjatë vitit 2014 në Inspektoratin Policor të Kosovës janë trajtuar njëmijë e treqind e katër (1.304) ankesa të ndryshme nga qytetarët dhe institucionet e ndryshme, kundër pjestarëve të Policisë së Kosovës, është bërë me dije sot përmes një njoftimi publik nga Inspektoriati Policor i Kosovës. Nga këto, 233 ankesa kanë qenë raste me elemente të veprës penale të cilat janë hetuar nga Departamenti i Hetimeve. “Në total ishin 305 punonjës të PK-së si subjekt i hetimit nga IPK-ja. Të paraqitur në përqindje kjo i bie që vetëm 3.4% i punonjësve të PK-së ishin nën hetim apo 0.6% më pak se vitin e kaluar”, është theksuar në raportin e bërë publik në faqen e IPK-së në internet. Nga rastet me elemente të veprës penale sipas njoftimit në prokurori janë përcjellë 132 kallëzime penale, 86 raste janë dërguar me raport të veçantë kurse 15 raste janë në proces në IPK. 957 raste ndërkaq që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës. Masat dhe rekomandimet e dhëna nga IPK-ja gjatë vitit 2014 të cilat kanë ardhur si kërkesa dhe nevoja gjatë zhvillimit të hetimeve janë: 20 arrestime nga ana e IPK-së, 64 rekomandime për suspendime dhe 13 rekomandime për transfer. Gjatë vitit 2014 IPK-ja ka hetuar 83 vepra penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare ndër të cilat më të shpeshtat kanë qenë: 48 vepra të keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, 12 vepra falsifikim i dokumentit zyrtar, 10 vepra të marrjes së ryshfetit, 4 vepra të ushtrimit të ndikimit, 4 vepra zbulim i fshehtësisë zyrtare, 2 vepra të dhënies së ryshfetit, 1 vepër të përvetësimit në detyrë, 1 vepër të mashtrimit dhe 1 vepër të konfliktit të interesit. Mandati ligjor i IPK-së si agjenci e pavarur është të ndihmojë Policinë e Kosovës në përmirësimin e performancës dhe të zbatojë suksesshëm mandatet e saja ligjore. Objektivi i veprimtarisë së IPK-së është parandalimi, zbulimi, dokumentimi dhe hetimi i veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here