Gjashtë persona kanë vdekur nga gripi sezonal në Kosovë gjatë 10 muajve të fundit

0

Gjashtë persona dyshohet se kanë vdekur nga gripi sezonal në Kosovë përgjatë dhjetë muajve të fundit. Vetëm në muajin e parë të këtij viti dy persona kanë ndërruar jetë nga epidemia e gripit. Ndërkohë që dy të tjerë janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në mjekimin intenziv. Nga ana tjetër, në tre muajt e fundit mbi 18 mijë kosovarë raportohet të janë prekur me grip. Megjithatë, gjendja nuk po cilësohet si alarmante nga mantelardhët.

Një burrë 40 vjeçar nga rajoni i Podujevës si dhe një grua 41 vjeçare nga Gjilani, kanë vdekur gjatë javës së fundit në Klinikën Infektive të QKUK’së. Të dy këta, sipas drejtuesve të Infektives po dyshohet se kanë ndërruar jetë si pasojë e epidemisë së gripit.

Kështu ka deklaruar sot për Gazetën Express, drejtori i Klinikës Infektive të QKUK’së, Hamdi Ramadani. Ai tha se pacientët, një burrë dhe një grua janë pranuar në gjendje të rëndë në klinikë. Pacienti mashkull nga Podujeva me iniciale A.Sh. (1979) kishte qenë i prekur nga virusi dy javë para se të shtrihej në klinikë.

Mjeku ka sqaruar se pacienti mashkull ka qenë në terapi prej më shumë se 10 vitesh për trajtimin e depresionit

“Ka qenë me virus me influencë të tipit A dhe i është bërë intubimi, pasi pacienti ka shënuar insuficiencë akute respiratore me ndryshime të mëdha në mushkëri. Pacienti është futur në terapi intensive dhe në vazhdimësi është përcjellë gjendja e tij nga infektologë, kardiologë, anesteziologë, etj. Përndryshe pacienti ka qenë po ashtu i palëvizshëm në anën e djathtë të trupit. Fatkeqësisht pacienti ka ndërruar jetë më datën 22 janar në ora tetë të mëngjesit”, ka deklaruar Ramadani.

Ramadani thotë se edhe pacientja nga Gjilani me iniciale H.M. (1978) është pranuar në gjendje të rëndë më datën 17.01. E njëjta sipas tij kishte pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.

“Siç shihet në rëntgen ana e djathtë e mushkërisë ka qenë pothuajse jashtë funksionit. Pacientja normalisht është intubuar në klinikën tonë. Është vërtetuar se ka qenë e prekur nga virusi me influencë A. Pacientja po ashtu ka pasur probleme serioze më shëndetin edhe më herët. Para disa vitesh ka vendosur stenta në zemër dhe vazhdimisht është përcjellë gjendja e saj nga kardiologët”, ka thënë Ramadani.

E që nga viti i kaluar në Infektiven e QKUk’së nga epidemia e gripit kanë vdekur gjashtë persona. Mirëpo për asnjërin nga ta nuk është bërë autopsia në mënyrë që të dihen shkaqet e detajuara që i kanë marrë jetën këtyre pacientëve.

“Asnjë nga këto familje të pacientëve të vdekur nuk  kanë pranuar që t’ua bëjnë autopsinë pacientëve. Neve kjo do të na ndihmonte që t’i shohim më mirë shkaktarët direkt që quan në vdekjen e tyre”, ka thënë Ramadani. 

Sipas tij, deri më tash të hospitalizuar nga gripi në Infektivë janë 8 raste, si dhe 8 pacientë të tjerë kanë marrë shërbime ambulatorë.

Në Klinikën që ai drejton thotë se që nga viti 2018 e deri në janarin e këtij viti në Infektive të QKUK’së, janë evidentuar 267 raste pozitive me epideminë e gripit. Me virusin e influencës A kanë qenë 47 raste, me influencë B rreth 78 raste si dhe rastet tjera sipas Ramadanit kanë qenë vetëm pasqyra klinike.

Në anën tjetër rreth vdekjeve të këtyre pacientëve është deklaruar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke thënë se njëri nga pacientët ka qenë i prekur nga tipi AH1pdm09.

“Pacientet kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal”,  deklarojnë nga KSHP-ja.
Ndërkaq në Kosovë nga 1 tetorit 2018 deri më sot në IKSHP janë raportuar mbi 18 mijë raste të dyshimta me grip, 3.233 raste me infeksione respiratorë akute dhe 19 raste me infeksione të rënda respiratorë akute.

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës. Numri më i madh i rasteve raportohet nga komunat: Prishtinë, Prizren dhe Podujevë por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

Gjatë javës së 02-të (07.01.2019-13.01.2019) janë raportuar 1.617 raste ILI dhe 319 raste ARI dhe 3 raste SARI.

Në laboratoret e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK janë testuar gjithsej 127 mostra të dyshimta në grip, prej tyre 19 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A. Nga 19 raste pozitive në 3 mostra është bërë subtipizimi dhe i takojnë subtipit AH1pdm09./

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here