Gëzim Kelmendi:”Hoxhallarët u arrestuan se përkrahën AKR-në e Pacollit e jo PDK-në e Thaqit”

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gëzim Kelmendi, gjatë një interviste në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, ka thënë se është larguar nga Partia e Drejtësisë, për shkak të lakmisë që kanë treguar ndaj pozitave Ferid Agani dhe zyrtarë tjerë të këtij subjekti.

Kelmendi i cili ka themeluar një subjekt të ri politik me emrin “Fjala”, ka akuzuar ish partinë e tij se nuk i ka bërë presion partnerit të koalicionit PDK-së, që të lejoj edhe bartjen e shamisë në shkolla.

“Lakmia për pushtetin dhe mos respektimin i programit të partisë më ka detyruar që të largohem nga Partia e Drejtësisë dhe të themeloj subjektin tim”, ka thënë Kelmendi.

Ai është shprehur kundër shkuarjes se kosovarëve në luftërat në Irak dhe Siri, duke thënë se lufta e ISIS-it nuk ka të bëjë asgjë me fenë myslimane. Kelmendi ka folur edhe për arrestimin e hoxhallarëve të cilët ishin akuzuar për nxitje të ekstremizmit, derisa ka potencuar se arrestimi i tyre ka ndodhur për shkaqe politike.

“Arrestimi i pesë hoxhallarëve në mesin e tyre edhe Shefqet Krasniqin në shtator të vitit të kaluar ka ndodhur kryekëput për shkaqe politike. Në zgjedhjet e 8 qershorit të vitit 2014, këta hoxhallarë kanë përkrahur partin e Behxhet Pacollit, AKR-në dhe kanë dal publikisht me qëndrime se janë pro kësaj partie dhe jo pro PDK-së dhe PD-së. Kjo i ka revoltuar këta partner të koalicionit PD dhe PDK-në dhe siç dihet këta pas dy javësh u liruan në mungesë të provave, bile ka pasur hoxhallarë ndaj te cilëve janë iniciuar procedura lirim nga prokurorët të cilët vetë i kishin ngritur aktakuzë”, ka thënë Kelmendi.

Ai është shprehur edhe kundër formës së protestës që e ka zgjedhur opozita në Kuvend. Sipas tij Qeveria i ka numrat dhe fuqia duhet të matet në bazë të numrave.

Kelmendi është shprehur edhe kundër zgjedhjeve të reja, pasi siç thotë ato nuk do të ndryshonin asgjë. Kryetari i partisë Fjala, ka bërë të ditur po ashtu se deri në përfundim të këtij mandati do të mbetet deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here