Geverina Muzhaqi: “Italia i kushton më shumë vëmendje leximit se sa Shqipëria”

0

Intervistë me shkrimtaren, Geverina Muzhaqi

Këtë muaj në panairin e librit në Prishtinë morët edhe çmim. Si e pritët?

Ishte hera e parë që shkoja në Prishtinë dhe përveç mikpritjes së ngrohtë që gjeta aty, u vlerësova edhe si shkrimtarja më e mirë debutuese e vitit 2015. Në fakt, bëhej fjalë për një çmim special, pasi është hera e parë që jepet, ndaj edhe ndihem shumë e nderuar dhe e privilegjuar që ma dhanë pikërisht mua.

Shkruani poezi dhe prozë. Ku ndiheni më mirë?

Kontakti im i parë me krijimtarinë letrare është shumë i hershëm. Dëshira për të shkruar nisi si një domosdoshmëri për të rrëfyer diçka. Duke qenë e drejtpërdrejtë dhe më komunikuese, poezia mund të shndërrohet edhe në një mjet të mirë për t’u shprehur e për t’u ndier më e kuptuar. Lidhja ime me të është aq e fortë sa, paevitueshmërisht, edhe në prozë përcjell shumë poezi. Ndaj dhe, në këtë kuptim, unë dhe poezia jemi të pandara. Ndërsa “Stina e pestë” është romani me të cilin debutova për herë të parë në zhanrin e prozës së gjatë. Më pëlqen të përthithem nga vorbulla e personazheve e t’i shoqëroj ata nëpër udhëtimet e tyre sa imagjinar, po aq edhe reale, t’u jap frymë mbi letër e të ëndërroj, të zhgënjehem, të vuaj apo të qesh bashkë me ta. Përpos kësaj, e kam të vështirë të identifikohem apo të zgjedh njërën prej tyre – poezi apo prozë – pasi gjendem shumë mirë tek të dyja. Poezia dhe proza për mua janë si dy botë paralele fantastike dhe unike që më joshin njëkohësisht.

Pse shkruani poezi?GeverinaRgeverinA1

Siç e thashë, nuk bëhet fjalë vetëm për dëshirën për të shkruar, por është më tepër se kaq. Qysh e vogël isha e heshtur dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloja duke fantazuar botë të mrekullueshme. Për mua ishte një realitet shumë herë më i bukur se ai që më rrethonte. Aq sa, për një periudhë të gjatë kohore, fillova të ndihesha “ndryshe” nga të tjerët. Përpos kësaj, ta hidhja këtë botë të imagjinuar mbi letër, ishte si një domosdoshmëri për t’u çliruar pak prej fantazisë, për t’u mbushur sërish me frymë e për të rifilluar me ëndërrimet.

Çfarë mund të thoni për romanin tuaj të parë?

Bëhet fjalë për një roman narrativ, por me nuanca të forta aktualiteti. Personazhi kryesor është një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçare, e cila dhunohet dhe, jo vetëm që nuk gjen përkrahjen e njerëzve të saj më të dashur, por fillon të dyshojë se mund të jetë vetë ajo shkaku për dhunën e pësuar. Ky dualizëm – “jam fajtore, ndonëse nuk kam faj” – e persekuton, e përndjek hap pas hapi dhe e vështirëson ringritjen e saj. Bëhet fjalë për një udhëtim introspektiv drejt njohjes dhe zbulimit të vetvetes së një femre të dhunuar jo vetëm fizikisht, por sidomos shpirtërisht dhe mendërisht. Me pak fjalë, është një libër kushtuar forcës dhe kurajës së njeriut për t’u ringritur.

Cilët janë autorët që ju pëlqejnë më shumë?

Më pëlqen shumë të lexoj. Madje lexoj çdo gjë që kam nëpër duar. Qofshin ato vëllime me poezi apo romane narrativë, manualë psikologjie apo filozofie, novela, tregime e shumëçka, mjafton të jenë shkruar mirë dhe të më lenë diçka në mendje dhe në shpirt. Adhuroj Oscar Wilde. Çdo gjë që shkruan ai, por edhe Milan Kundera apo Isabel Allende, për mua nuk janë vetëm letërsi; janë filozofi jetësore e njëkohësisht vetëdijesim, reflektim. Tek e fundit, a nuk është qëllimi i letërsisë që të ndikojë te lexuesit?

Po raporti juaj me filozofinë, cili është?

Gjithkush nga ne është i etur për dije, por sidomos krijuesit e kanë nevojë të domosdoshme që ta zhvillojnë edhe me shumë spektrin e njohurive mbi njohjen e botës që na rrethon dhe i drejtohen shpesh filozofisë për të zbuluar të vërtetën mbi faktorët jetësorë që i rrethojnë. Duke qenë një natyrë kurioze dhe eksploruese, gjeta te filozofia një terren të sigurt ku mund të kërkoja përgjigjet e pyetjeve të shumta që më prodhohen në mendje. Ndonëse jam e diplomuar për gjuhësi të përgjithshme, nuk e braktis kurrë interesin për filozofinë dhe psikologjinë, që i konsideroj si bërthamën qendrore të kulturës dhe të shprangosjes së mendjes nga padija dhe nga komplekset që ne, duke qenë një shoqëri mjaft ksenofobe, i prodhojmë rëndom.

Çfarë mund të thoni për kohën që keni punuar me personat me aftësi të kufizuara?

Më tepër se një përvojë pune, bëhet fjalë për një përvojë jetësore sa të pasur, po aq edhe mbresëlënëse. Duke qenë një punë që mbështetet kryesisht në rrafshin human e më pas pedagogjik, të përfshin aq shumë, sa përfundon duke mësuar shumë prej tyre, mbase po aq sa mësojnë edhe ata prej teje. U jam shumë mirënjohëse për mirëbesimin dhe dashamirësinë që kanë shprehur gjithmonë ndaj meje.

A mund ta bëni një krahasim mbi atë se si trajtohet letërsia në Itali dhe në Shqipëri? Letërsia është universale. Një lexues potencial do të vazhdojë të lexojë besnikërisht dhe me shumë dashuri, pavarësisht gjuhës, kulturës apo traditave të vendit që i përket. Libri është një lloj magjie e prehjeje për çdo lexues. Megjithëkëtë, duhet thënë se vendi ynë fqinj i kushton më tepër kohë dhe vëmendje leximit. Më tepër unë do të dëshiroja ta vija theksin mbi rëndësinë që Italia, ashtu si shumë vende të tjera, i jep temës qendrore që romani im trajton: dhunën me bazë gjinore, temë kjo jo vetëm shqiptare, por shumë më e gjerë. Ndonëse Italia është një vend që ka arritur shifra alarmante të viktimave të dhunës, është një temë që trajtohet më gjerësisht se në vendin tonë. Dhe është pikërisht ajo që propozoj: çdo shoqëri e qytetëruar i trajton problemet e veta dhe kërkon t’u japë zgjidhjen më të mirë. Unë mendoj se duhet të marrë fund koha kur femra e dhunuar trajtohej vetëm si një viktimë dhe asgjë më tepër. Pra, duhet menduar se si mund t’i vijmë në ndihmë sa më mirë.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Kam vetëm disa muaj që jam kthyer përfundimisht në Shqipëri, pas një periudhe njëmbëdhjetëvjeçare të kaluar në Romë, ku mbarova studimet e larta dhe punova për tre vjet si mësuese e adoleshentëve me aftësi të kufizuara. Aktualisht po punoj për romanin tim të dytë, për një vëllim me tregime, si dhe për vëllimin me poezi që do ta shohë së shpejti dritën e botimit. Jam gjithmonë duke shkruar diçka, por duke qenë natyrë vetëkritike, kërkoj shumë nga vetja dhe synoj që çdo krijesë letrare e imja të vijë në jetë e përkorë. Shpresoj shumë që një ditë letërsia të shndërrohet në profesionin tim. Kush lexon apo kush shkruan, jeton më shumë se një jetë. Libri është si një tokë e mbjellë dhe frytdhënëse, që mund ta mbash nëpër duar. Është i vetmi që ka magjinë të ta lexojë mendjen e të shprehë atë që mendon me fjalët e dikujt tjetër – të personazhit që krijon.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here