Gerina Maria Mulla: Romanin “Mëkati i shenjtë” e shkrova si frymëzim momenti

0

Ajo është vetëm njëzet e tre vjeç, por vetëm sa e ka nxjerrë romanin e saj. Mëkati i shenjtë, kështu ia ka lënë titullin Gerina Maria Mulla, librit të saj, i cili është edhe i pari.                                                                 Vajza e lindur në Korçë në një intervistë për portalin ONLINE ka treguar se romani i saj nuk ishte diçka që e kishte menduar më parë, por kishte ardhur si një frymëzim momenti. Juristja e cila ka pasion edhe gazetarinë ka nxjerrë në pah edhe autorët e saj të preferuar. Mulla ka folur edhe për raportin e saj me zhanret e tjera letrare, gjendjen e letërsisë sot, planet për të ardhmen…

Sapo e keni botuar romanin tuaj të parë. Çfarë mund të thuhet për të?

Romani im i parë erdhi si një frymëzim i sapoçelur atëherë kur as unë vetë nuk e prisja. Nuk është diçka e menduar prej shumë kohësh, por një shkëndijë e çastit, kur pashë veten të nxitur nga një formë e re e imja, nga diçka që nuk e kisha provuar më parë dhe që m’u shfaq si ylberi pas shiut. Kam ndjerë se nga ky ndryshim përveçse unë formova veten time të re ndjeva dëshirën edhe për ta shfaqur këtë ndryshim tek të tjerët, në formën e një romani ku personazhi kryesor Magdalena ndërmerrë një kthesë të befasishme në jetën e saj, një kthesë që do lëkundtte themelet e të zakonshmes dhe do ndërtonte më pas një trajtë lumturie të përjetshme që nuk lidhet me pasuritë e tokës, qejfet e tokës, sukseset e tokës por me pushtetin qiellor. Diçka që vetëm besimtarët e vërtetë mund ta arrijnë. Magda më përfaqëson pjesërisht megjithëse ajo është shumë ndryshe nga unë në shumë aspekte.

Një juriste që shkruan Letërsi! Si e shpjegoni këtë?

Pyetje e drejtë! Profesioni i juristes nuk shihet të ketë ndonjë pikë të përbashkët me Letërsinë, madje ato janë fusha magnetike të kundërta, ku drejtësia me ligjet dhe normat tejet të ngurtësuara bije ndesh me lirinë e shprehjes dhe çlirimin e imagjinatës në letërsi. Nëse njëra fushë më mbështillet si litar në fyt dhe më detyron të mos dalë nga kornizat statike të ligjit Letërsia më mbështjell si mëndafsh dhe më fal ndjesi të parrëfyera lumturie. Megjithëse besoj se çdo kush është i detyruar të zgjedhë një profesion për të siguruar bukën e gojës dhe të ruajë nga ana tjetër një hobi apo pasion që i shërben për t’i falur kënaqësi. Pastaj kush siguron bukën e gojës më anë të pasioneve të tij është fatlum.

Cili është raporti juaj me zhanret e tjera të Letërsisë, pos prozës?

Poezinë e ndjek dhe e ndjej shumë, por nuk e krijoj dot. Është forma më e lartë e të shprehurit pasi fal pak vargjeve dhe fal rimës poetët arrijnë të japin efektin e duhur tek lexuesi pa u stërgjatur shumë siç ndodhë në prozë, pra ato janë të afta të japin efekt të madh me mundim dhe fjalë të pakta. Jam ndjekëse e rregullt e disa poetëve shqiptarë si Dritëro Agolli dhe Skënder Rusi, të huajt më pas janë të shumtë.

Cilët janë autorët që ju pëlqejnë?

Viktor Hygoi vjen i pari në listë, sjell në vëmendje ‘Të Mjerët”, një vepër e cila më shtoi ndjeshmërinë ndaj krijimit dhe më shtoi oreksin për të krijuar. Kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen time edhe poeti Robert Berns, Mark Twain, Ernest Hemingway, Jack London, Honore de Balzac dhe Stefan Cvajg. Raporte të mira kam me librat psikologjikë, filozofikë, të cilët trajtojnë çështjet shpirtërore të njeriut, dhe padyshim me Biblen.

 A mund të jetojë sot krijuesi nga Letërsia?

Në ndryshim nga bota jashtë, e cila na i bën me sy me vezullimin e shkrimtarëve të sukseshëm të cilët dëshmojnë se krijimi jo vetëm vlerësohet, ndiqet, përqafohet por edhe paguhet mirë, në Shqipëri ndodh që ballë krijimit dhe artit mbyllen të dy sytë kur vjen puna për të mbështetur krijimet dhe autorët. Megjithëse ndodh që shumë shkrimtarëve u ndodh që lavdia u vjen pas vdekjes, e këtij rangu ndjej se jam edhe unë.

A lexohet Letërsia sot?

Nëse letërsia promovohet në Facebook patjetër që do lexohet. Pas lindjes së Facebook-it shumë njerëz jo artdashës, dashur pa dashur, janë njohur me emra të shumtë autorësh dhe veprash, ndjekin thënie dhe statuse nga shkrimtarë të ndryshëm dhe kështu mund të them se shkurtimisht Fb ka qënë një promotor i mirë i lëtërsisë duke nxitur më tepër të rinjtë të lexojnë, për të qënë më koherentë dhe më të përfshirë në botën e artit dhe për të mos u ndjerë inferior ndaj çështjes së krijimit. Sa për brezat e prindërve të mi, ata janë rritur me frymë tjetër kur teknologjia nuk zaptonte pjesën më të madhe të kohës dhe kur ata i kushtonin orët e lira leximit dhe lartësimit të tyre shpirtëror.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Nuk do heq dorë nga krijimi, jam duke punuar për idenç pasardhëse, ende në formë embrionale, por që pritet të jetë diçka ndryshe nga libri im i parë. Po pres të më vijë vegimi i rradhës që të kuptoj se çfarë do të shkruaj dhe si do e shkruaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here