Gazetarja e radios, Freskida Miloti: “Radio, mbetet fuqi…”

0

Dita Botërore e Radios shënohet më 13 shkurt. Nisma e UNESCO-s për ta konkretizuar si festën e radios ishte në vitin 2011. Kremtimi i kësaj date lidhet me transmetimin për herë të parë të ‘Radio OKB-së’ në vitin 1946. Radioja është shoqëruesja e vjetër që në zbulimin e saj  dhe ‘epokën e artë’ e pati nga fillimi i viteve 20-të deri në fund të viteve 40-të.

‘Radioja sot është një zgjedhje në larminë e gjerë mediatike, por mbetet në fuqinë e saj enigmatike, stimuluese e imagjinatës, mbartja e peshës së fjalës, përçuesja e zërit të bukur dhe mesazhit lakonik’ – thotë për portalin Online Freskida Miloti, gazetare në Radio Tirana prej dhjetë vitesh.

Eksperienca e saj ka nisur herët në moshën 16 vjeçare në Radio Shkodra, për të vijuar rrugëtimin në radio të njohura private në Tiranë dhe kohëzgjatjen më të madhe të pasionit të saj e ka në radion shtetërore, Radio Tirana. Ajo tregon që përveç angazhimeve të tjera, asnjëherë nuk e ka gjetur veten jashtë radios. Puna në administratën shtetërore dhe njëkohësisht profesioni i saj i dytë si farmaciste, nuk e ka larguar nga radioja. ‘Aty fitoj energjitë e duhura për të qenë sa më e zonja në dinamikën e punëve të përditshmërisë sime’- shton gazetarja. Kolegët e mi të radios e kuptojnë kur gjithmonë flas me pasion për të sepse kanë të njëjtën ndjesi. Kushdo që nis hapat e parë të profesionit në radio, e ka të pa mundur të ndahet prej saj. Nuk mund ta quash thjesht punë sepse radioja është dashuri, është pasion në të gjitha dimensionet e saj…

 

Emisioni i saj ‘Famë dhe hite’ ka në karakterin e tij kërkimet për personazhet me famë botërore, për kontributet e tyre në fusha të ndryshme, shkencën, artin, mjekësinë etj, dhe përzgjedhë një audiencë të caktuar, për vetë tematikën elitare.

A mbetet radioja edhe sot po aq e dashur për dëgjuesin?

“Për më shumë se njëqind vjet radioja e ka treguar dobinë e saj me të gjitha hapësirat informative dhe argëtuese. Radio luan një rol të rëndësishëm ndërlidhjeje në situata emergjente. Është marrja e shpejtë e informacionit kur jemi në udhëtim me makinë. Shoqëruese e mirë muzikore dhe e zbavitjes gjatë ecjes, vrapimit apo të të gjitha formave të lëvizjes. Pra radioja është lehtësisht e përdorshme në çdo moment dhe është një mundësi shumë e mirë edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara (që nuk mund të shikojnë apo lexojnë). Sot në Shqipëri ekzistojnë shumë radio lokale dhe 3 kombëtare, gjë e cila mundëson të përzgjedhë gjithsecili radiostacionin e preferuar. Edhe pse sot ekzistojnë shumë forma të tjera informuese, radioja mbetet në krye të listës për arsyet që thashë më lart”, shprehet Freskida Miloti.

Ajo kujton duke thënë se radioja, kjo dhuratë e çmuar iu bë njerëzimit nga shpikësi Nikola Tesla në vitin 1893. Zhvillimin e radiokomunikimit funksionues e bëri italiani Guljelmo Markoni dhe mesazhi i parë i radios përtej Oqeanit Atlantik u dërgua në dhjetor të vitit 1901 nga Anglia, por ishte 2 nëntori i vitit 1920, kur radio stacioni i parë komercial nisi transmetimin në Pitsburg, Pensilvani.

Radiotransmetues ndërkombëtarë nga e gjithë bota mblidhen dhe e manifestojnë këtë ditë duke vendosur në hollin e selisë së UNESCO-s mini-studiot e tyre. 13 shkurti është cilësuar si dita për të inkurajuar rrjetet e mëdha radiofonike, për të promovuar qasjet në informacion dhe lirinë e shprehjes.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here