Gashi “i luftës” e rrah nënkryetarin e Podujevës për shkak të renditjes së “gabuar” të këngëve në manifestim për dëshmorët

0

Xhemshit Gashi, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta në Këshillin Organizativ për shënimin e Ditës së Dëshmorëve në Podujevë, i pakënaqur me renditjen e këngëve në programin artistik në manifestimin e organizuar me këtë rast e ka sulmuar fizikisht nënkryetarin e Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari. Komuna e Podujevës sot e ka konfirmuar sulmin fizik ndaj Rudarit, kryetarit të Këshillit Organizativ të manifestimit për shënimin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve dhe të Rënëve. Duke e cilësuar këtë akt “qyqar” dhe të ulët Komuna ka kërkuar nga organet e rendit që të marrin masa adekuate ligjore ndaj Xhemshit Gashit – përfaqësuesit të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së. Komuna e Podujevës, ka tërhequr vëmendjen se nën patronazhin e Kryetarit Agim Veliu, të martën më 5 maj, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan organizoi manifestimin qendror për nder të Ditës së Dëshmorëve dhe të Rënëve.  “Këshilli organizativ, në krye me Nënkryetarin e Komunës z.Nexhmi Rudari, me kohë kishte bërë përgatitjet dhe kishte miratuar agjendën e rrjedhës së manifestimit”, ka bërë me dije komuna në një njoftim publik. “Derisa i tërë manifestimi është mbajtur dhe ka rrjedhur sipas agjendës dhe programit të miratuar nga Këshilli Organizativ, imazhin ia ka prishur një incident i shkaktuar nga Xhemshit Gashi përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së në Këshillin Organizativ, i cili, kinse i pakënaqur me radhitjen e këngëve në pjesën e programit artistik, sulmoi fizikisht Nënkryetarin e Komunës së Podujevës, z.Nexhmi Rudari, i cili ishte edhe kryetar i Këshillit Organizativ të manifestimit”, ka njoftuar Komuna e Podujevës.
“As 16 vjet pas çlirimit të Kosovës dikush nuk po mund të pajtohet që manifestimet për nder të dëshmorëve dhe të rënëve të organizohen nga institucionet zyrtare dhe të kenë karakter shtetëror. Është për keqardhje që familjet e dëshmorëve përfaqësohen nga individë, siç është Xhemshit Gashi, që edhe pse ishte pjesë e Këshillit Organizativ me aktin e tij të ulët provoi t’ia prish imazhin manifestimit”, është theksuar në reagimin e sotëm të komunës.
“Pavarësisht kësaj Komuna e Podujevës e vlerëson lart punën e Këshillit Organizativ për nivelin e lartë të organizimit të manifestimit për nder të Ditës së Dëshmorëve dhe të rënëve, kurse dënon akt sulmin ndaj Nënkryetarit të Komunës, duke e cilësuar edhe si atak ndaj institucionit dhe kërkon nga organet e drejtësisë që ndaj autorit të sulmit fizik të merren masat adekuate ligjore”, është përmbyllur reagimi i komunës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here