GABIM! GABIM! GABIM!

0

Agron S Dida

Ne shqiptarët, në të dy anët e kufirit, gjatë tërë historisë kemi pasur mungesë të theksuar të ndërgjegjes, dijes dhe sensit politik për të krijuar aleanca me popujt e përparuar dhe të fuqishëm të botës, përveç gjatë viteve ’90, kur arritëm të bindim SHBA-në dhe fuqitë më të mëdha evropiane, që me forcën ushtarake të NATO-s, të na ndihmojnë për ta fituar lirinë dhe mëvetësinë aq të dëshiruar me shekuj. Kështu, së bashku me lirinë, ne fituam për herë të parë në histori, edhe mbështetjen dhe besimin e aleatëve më të fuqishëm dhe prijës të gjithë botës së qytetëruar.
Tash, pas vetëm 15 vjetësh, Kuvendi i Kosovës voton KUNDËR një kërkese që është sugjeruar dhe mbështetet fuqimisht nga PO KËTA ALEATË dhe që ka të bëjë pikërisht me fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës si komb dhe shtet që dëshiron dhe din ta zbatojë drejtësinë, veçanërisht kur është fjala për krimet e luftës!
A mund të paramendoni se çka do të ndodhte nëse përfundimisht e humbim besimin dhe mbështetjen politike dhe ushtarake të aleatëve tanë? Jua tregoj unë: Me pafuqinë për të luftuar krimet e luftës me institucionet ende të paformuara të drejtësisë, me zvetënimin e pandalshëm të çdo norme etike dhe morale në shoqërinë tonë, veçanërisht në mesin e fëmijëve dhe të rinjëve, me liderët kleptokratë që nuk dinë të ndalen duke plaçkitur çdo vlerë materiale të krijuar me gjenerata në këtë vend, me FAK-un ende të paformuar dhe të paarmatosur si duhet (nuk ka lidhje me FUCK në anglisht sepse është një koincidencë që vetëm fonetikisht tingëllon njëjtë!), me bazën krejtësisht të rrënuar ekonomike, me kufijtë shtetëror ende të papërcaktuar, veçanërisht në veri të vendit, me dokumente të fotokopjuara të gjendjes civile dhe të pronësisë së shtetasve të këtij vendi, origjinalet e të cilave gjenden në Serbi, me mungesën e qëllimshme dhe infantile të ndjenjës së patriotizmit për shtetin tonë, që ende në përmasa ndërkombëtare quhet Kosovo dhe kjo askujt nuk i pengon, me tolerimin e një numëri të madh qytetarësh, partish e lëvizjesh të llojllojshme politike, revolucionare, marksiste, anarkiste, fondamentaliste, xiste, xiste, etj., me shërbime spiunazhi e “shoqata humanitare” të llojllojshme që veprojnë gati pa u penguar, ne shtetasit kosovarë, fare lehtë mund të biem përsëri nën pushtimin e Sërbisë të përkrahur nga Rusia, kundër të cilës nuk kemi asnjë gjasë që të rezistojmë ushtarakisht, njësoj ose edhe më dobët se gjatë viteve ’90.
Pra, kjo votë kundër ndryshimeve kushtetuese, që hapin rrugë për formimin e Gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë i cenon rëndë themelet ekzistenciale të shtetit të Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here