Foshnja kineze shpëton edhe pse e kishin varrosur të gjallë

0

Policia e ka shpëtuar një foshnje të gjinisë mashkullore të varrosur për së gjalli në një varr të cekët, në një kodër në provincën Guangxi të Kinës Jugore, kanë raportuar mediat shtetërore kineze.
Raportet e lajmeve thonë se besohet që fëmija ishte lënë vetëm në shkretëtirë për rreth 10 ditë, por detajet sipas CNN mbeten të paqarta.
Familja e djalit ka vendosur ta braktisë atë për shkak se ai ka lindur me aftësi të kufizuara, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Xinhua. Në Kinë, mijëra foshnje të lindura me defekte braktisen çdo vit.
CNN nuk ka mundur t’i verifikojë të dhënat e raportuara në mediat kineze rreth foshnjës së varrosur dhe të rigjetur gjallë, për shkak se policia dhe Byroja për Çështje Civile, e cila është duke u kujdesur për fëmijën, nuk ka pranuar të japë më shumë informata për mediat e huaja. Policia ka thënë se foshnjën e kanë lënë aty që të vdes.
Djali ka lindur më 20 prill dhe është liruar nga spitali katër ditë më vonë, pas marrjes së trajtimit për një temperaturë të lartë, sipas Spitalit Popullor të Qarkut Tiandong.
“Prindërit normal kërkojnë nga spitali që t’i pajisë ata me çertifikatë lindjeje dhe të aranazhoj sigurimin shëndetësor, por kjo familje nuk deshi çertifikatë lindjeje dhe u largua menjëherë pasi ka paguar faturën”, ka thënë Wu Weili, zëvendës drejtor i pediatrisë në spital, raporton Xinhua.
“Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur saktësisht gjatë periudhës kohore kur fëmija është liruar nga spitali më 24 prill, dhe kur ai u shtrua në spital përsëri më 4 maj”
Më 24 prill, familja – duke përfshirë edhe gjyshet e fëmijës, sipas agjensisë Xinhua e kanë angazhuar një njeri për 290 dollarë për të hequr qafe fëmijën.
Atë ditë, njeriu i angazhuar e ka lënë të porsalindurin të vdesë në një kuti kartoni në shkretëtirë. Dy ditë më vonë, sipas Xinhua, duke besuar se fëmija ka vdekur, ai e ka varrosur atë.
Më vonë, një grua që po merrte barishte në një kodër ka dëgjuar një të qarë foshnjeje. Me ndihmën e disa fshatarëve, policia e ka shpëtuar foshnjen dhe e ka dërguar atë në spital.
Zëvendësdrejtori i Pediatrisë në Spital, Wu ka thënë se fëmija ishte në gjendje kritike kur kishte mbërri në spital – peshtynte baltë, gjithë trupi i tij ishte i mbuluar me gërvishtje dhe të ënjtura.
Foshnja kishte rënë shumë në peshë.
“Kjo është me të vërtetë e pabesueshme,” i ka thënë Wu, Xinhua-së duke folur për mbijetesën e foshnjës.
Pesë persona – prindërit e foshnjës, dy gjyshet e tij dhe njeriu që ata e angazhuan për zhdukjen e të porsalindurit – janë arrestuar për vrasje në tentativë. Prindërit e tij janë liruar me kusht dhe ata tani janë duke u përpjekur për të rifituar kujdestarinë e djalit.
Ata kanë shkruar një letër me kërkim falje, duke premtuar që të mos e lëndojnë foshjën më, ka raportuar Xinhua.
“Ne brengosemi se prindërit e foshnjës mund ta dëmtojnë atë përsëri,” ka thënë Zhou Liying, kreu i Byrosë së Qarkut të Çështjeve Civile për Xinhua. “Edhe pse ata nuk duan, kjo tragjedi mund të ndjek familjen dhe të ndikojë në shëndetin mendor të djalit.”
Mjekët thonë se foshnja mund të lirohet nga spitali më vonë këtë javë. Zyrtarët e qeverisë vendore thonë se fëmija ka më shumë gjasa të vihet nën kujdesin e shërbimeve sociale.

varrinifoshnjes

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here